7 Dhjetor, 2019 - 1:15 pm
Askush s’do të mund ta imagjinonte se në Shqipërinë postkomuniste, pas tri dekadash lirie, çakajtë komunistë do të çoheshin peshë dhe do të kërkonin burgimin e ndërgjegjes së lirë të njerëzve që kërkojnë drejtësi.
Më së paku dikush do të mund ta imagjinonte se çakajtë do t’i vërsuleshin një shkrimtari.
Këtyre çakajve komunistë duhet t’u përsëritet vazhdimisht se tmerret që kanë shkaktuar ata mbi kombin shqiptar s’ka forcë në botë që mund t’i pastrojë. Sepse, ato janë të shkruara me gjak e vuajtje në vepra kapitale, të cilat janë ndërgjegjja e Shqipërisë së vërtetë përballë Shqipërisë së një grusht shkretanësh komunistë.
Komunizmi në historinë njerëzore mbetet njëra nga ideologjitë totalitare më të tmerrshme dhe njerëzimit i ka shkaktuar të këqija të panumërta, kurse popullin shqiptar për pak sa nuk e gllabëroi në humnerë. Ky pohim i imi nuk përbën kurrfarë risie, por është në pajtueshmëri të plotë me mendimin e shumicës së vendeve të Evropës. Madje, në shumicën e vendeve ish-komuniste janë ngritur gjyqe dhe krimet e këtij sistemi janë dënuar në forma të ndryshme.
Në Evropë, aty ku synojmë të integrohemi, njihet “Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Evropës dhe Komunizmin”. Kjo deklaratë, që u nënshkrua më 3 qershor 2008, ishte iniciuar nga ana e Qeverisë çeke, dhe u nënshkrua nga politikanë të shquar evropianë, ish-të burgosur politikë dhe historianë, në mesin e të cilëve Václav Havel dhe Joachim Gauck, presidenti i Gjermanisë. Kjo deklaratë bëri thirrje që “Evropa e gjerë t’i dënojë krimet e komunizmit dhe dënimi ndaj tyre të edukohet” dhe kështu popujt të ndërgjegjësohen përballë kësaj murtaje ideologjike. Por kështu nuk mendojnë disa harbutë e shkretanë të mjerë komunistë shqiptarë, që kombit shqiptar i kanë shkaktuar veç vuajte, dhimbje e lot dhe e kanë më të varfrin në Evropë. /Koha.net /KultPlus.com