Copa fëmijënie me borë

10 Janar, 2019 - 1:30 pm

Nga Rrahman Paçarizi

Akujt si dhambë gjigantë lëshoheshin nga kulmi deri në tokë dhe oda e dajve më dukej si një gojë e madhe e një balene që qeshte. “Mos u afro nër strehë, se t’bjen naj copë ak’lli e t’çon posht!”, më rrinte gati gjyshja, pasi më kish veshë trashë e veç sytë jashtë m’i kish lënë sa me pa. Kapuçi i bardhe me shallin ngjitun më pëlqente fort, por i lakmoja fëmijët e tjerë të kojshive të dajve që kishin kapuça të thurrun si këta që i bartin hajnat sot. 

Kur shkoja te dajtë ndihesha mbret, pasi isha fëmija i parë aty, pas nanës tem. Kanë qenë farë e pashtueme hisja e gjyshit të nanës. Dy djem – njani një djalë e tjetri një vajzë- nanën tem. Mund të bëja çka doja vetë dhe kush s’ma prishte. I thyeja gotat e çajit për pikë të qejfit, e çajit ceremonial që pihej në orën 9 të mengjesit ia hidhja nga shtatë lugë sheqer sa s’pihej më. Rrija me burra deri natën vonë në tym duhani e s’ma prishte kush qejfin. Kur bëja sherre, veç qeshnin, ndryshe nga shtëpia ime ku secili sherr ndëshkohej, të paktën me një ngrehje veshi që s’kishte masë. 

E bora ma kujton fëmijëninë time të bujshme, pushimet dimnore të dajtë, mëngjeset e mbramjet ceremoniale, darkat pafund në odën e madhe plot mysafirë, odën dypjeseshe të ndarë me arallak, me koftor të skuqun nga zjarri, me oxhakun e hapun nga i cili kam frikë edhe sot, me trapazanin në fund të odës, ku djemtë e rinj vigjilentë uleshin duke vrojtu me kujdes se kush e ka pi kafen a çajin, kush e ka mbushë shpuzoren me duça cigaresh që ua adhuroja aromën. Trokëllima e çibukëve prej çehlibari te hijshëm për shpuzoret e kristalta më dukej se ia jepte krejt autoritetin babës Mit, axhës së nanës tem, i cili më dukej se gjithmonë ishte i gatshëm për ta lëshu ndonjë britmë që ua merrte zanin e ua ngrinte gjakun të gjithëve, përveç meje. Mustaqet e tij të thinjura e te zverdhura nga tymi i duhanit shpërfaqnin krejt mençurinë e vendosmërinë, ndërsa mbështeste njërën dorë në gjunin e kambëve teksa ulej kambëkryq, ndërsa me dorën tjetër e tringëllonte idhtë çehlibarin për shpuzoren e kristaltë që e lëshonte veç kur i duhej me e marrë filxhanin e vogël dhe pa vegë, me do zbukurime orientale ngjyrë ari. “Filxhani i babës”, e quante me krenari dhe veç prej tij pinte kafet e panumërta. Filxhanin dhe çehlibarin s’merrte guxim me ia prekë kush, përveç meje, kur krekosesha, pasi më ulte kambëkryq në odë afër vetes. Ai krenohej me mu, po aq sa unë me të. Aq shumë i rrija afër sa më dukej se sa isha në odë edhe unë kisha mustaqe të njëjta dhe pozën e njëjte si ai.

Pasi kryheshin ceremonitë e mëngjesit që zgjasnin deri kah ora 11, i veshur trashë, e duke shiku akujt gjigantë që më buzëqeshnin, lëshohesha teposhtë për t’u taku me fëmijët e tjerë. Ata visheshin edhe më trashë, me xhemperë të thurrun e të shtrëngueshëm, aq sa s’mund t’i afronin krahët që u mbeteshin hapun dhe teksa ecnin në radhë për me shku te Agraxha dukeshin si një kolonë pinguinësh qe shtegtonin larg dhe pa u ngutë fare. Ndoshta, ngaqë rrija aq shumë në odë me gjyshin e vëllain e tij, që të dy figura thuajse të shkrira në bronz, më dukej se unë duhej me i udhëheqë edhe fëmijët e tjerë. Ata më donin, nuk e di se përse, ndaj ma jepnin edhe thesin ma të mirë të najlonit, të mbushun me kashtë për të rrshitë teposhtë Agraxhës, për të përfundu të shumtën e herave në përroskën e ngrirë, akulli i të cilës thuhesh pas nja gjysmë orë dhe ne përfundonim në ujë, pas secilit lëshim me thasët e najlonit të mbushur me kashtë, që i mblidhnim gjithë verës e vjeshtës pasi dajtë i kishin plehëru arat… 

S’ka si me u nxe afer koftorit bubulak, pasi nana m’i ndërronte krejt teshat e bame qull, pasi më kish bërtitë me atë pak autoritet që i mbetej kur isha te dajtë… /KultPlus.com

Të ngjajshme