Coronavirusi nuk është murtajë!

10 Mars, 2020 - 1:39 pm

Nga Jusuf Buxhovi

Si ndjehet autori në “luftë” me personazhet (kur ata e ndjekin), këtë më së miri na e tregon shkrimtari L. Pirandeli në romanin e tij.
Por, si ndjehet autori i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i botuar në vitin 1982, kur situatat tragjike përsëriten jashtë përshkrimeve metaforike, siç është e tanishmja e kërcënimit nga coronaviruesi?
Kjo, përafërsisht, mund të shpjegohet me atë se krijimtaria, ndonëse është imagjinatë, ndonëse përdorë figurat stilistike ndër më të ndryshmet, ndonëse përpiqet që realitetin ta kthejë në fantazi, megjithatë nuk mund të përjashtojë situatat jetësore mbi të cilat ndërtohet rrëfimi i caktuar i dramave të brendshme, të atyre që janë të përsëritshme dhe si të tilla i takojnë përvojës së gjithmbarshme njerëzore në kohë dhe në hapësirë, të cilat përjetohen në mënyra të ndryshme në përputhje me rrethanat që i përcjellin ato.
Megjithatë, në këtë shtjellë, ka diçka që është e përbashkët, që dallimet e përjetimit, i kthen te instinktet më të thella dhe më të errëta të qenies, siç është frika, prej nga pastaj paniku ia zë vendin të tjerave deri aty saqë të krijohet përshtypja e defetizmit deri te pafuqia dhe hiqësia madje.
Natyrisht se situatat vis mayer, pra katastrofat e natyrës (veçmas tërmetet) si dhe epidemitë janë përjetuar si gjendje të pafuqisë, që jo rrallë u janë atribuuar “ndëshkimeve” nga “lart” nga shkaku i “mëkateve” dhe të tjerave, ndërkohë që është harruar se edhe sëmundjet qofshin ato edhe të përmasave shfarosëses (murtaja, kolera dhe të ngjashme), janë pjesë e ritmit të përgjithshëm jetësor, që situatat ose gjendjet e caktuara, i vejnë në veprim madje në përputhje edhe me interesat e caktuara (edhe morbide) edhe i përballojnë.
Te kjo e fundit, pra te përballimi, ndodhet edhe çelësi i çështjes, që ka të bëjë me sjelljen e njeriut, po edhe të shoqërisë në përputhje me atë se jeta është e pamposhtur përkundër kërcënimeve çfarëdo qofshin ato, dhe se për këtë, me vullnetin për veprim dhe fuqi, duhet përqendrim dhe organizim, që për parakusht ka shkarkimin nga çdo frikë e brendshme dhe e jashtme, sidomos e panikut kolektiv dhe të pranimit të gjendjeve të dorëzimit, qofshin atë të mbylljeve (karantinave).
Në këtë aspekt, autori i “Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit” përkujton se përballimi i murtajës së fundit, në vitin 1747 në pjesën e Gjakovës dhe të Malësisë, lidhet me një fakt historik, pra atë të vetëimunizimit me anën e mikrobit (grithjes), si pjesë e përvojës jetësore e konfirmuar edhe nga mjekësia, gjë që nuk është e rastit që edhe në Kinë, conoravirusi ka filluar të luftohet me futjen e antitrupave në formë të vaksinës, të fituara nga të mbijetuari e gripit.
Pra, përvoja kineze, që me siguri se edhe magnatët e fuqishëm të farmaceutikës botërore së shpejti do ta kthejnë në vaksinë, është pjesë e kësaj përvoje jetësore dhe historike, e mbështetur mbi dijet e hershme, së cilës i janë referuar, intelektualët dhe të dijshmit, në rrethanat e kërcënimeve nga shfarosjet, siç ishte murtaja e vitit 1747, ku personazhi kryesor, Kazazi, shfaqet si bartës i kësaj elite dhe mendësie, së cilës, në rrethana të tilla ekzistenciale, i takon opërgjegjësia e veprimit.
Imagjinata e autorit në këtë rrëfim letrar, e ndërlidhur me murtajën si metaforë të së keqes, që kërcënon përherë, do të ishte jashtë fuqisë motivuese pa atmosferën e panikut të përgjithshëm , që po qe së pranohet, shfaqet si sëmundje pa ilaç… / KultPlus.com

Të ngjajshme