9 Tetor, 2024 - 12:22 pm
Getoarbë Mulliqi
(Insp. What’s done cannot be undone)
Makbethi i Shekspirit është një nga veprat më të famshme (mbase edhe të luajtura) të dramaturgut anglez, e cila shpërfaqë dhe trajton temat e fuqisë, ambicies, lakmisë dhe rënies e dilemës morale. Në qendër të saj qëndron Makbethi një ushtar i zoti skocez, i cili është i nxitur nga profecitë e tri shtrigave dhe nga ambicia e pamëshirshme e gruas së tij, Lady Makbeth (shq. Zonjës Makbeth) për të zënë vendin e Mbretit. Kjo tragjedi pasqyron udhëtimin e tij të errët drejt krimit, tradhtisë dhe çmendurisë, ndërsa ai përpiqet të mbajë pushtetin e fituar përmes gjakut dhe intrigave.
Një aspekt i rëndësishëm i Makbethit të Shekspirit është trajtimi i pashmangshmërisë së fatit dhe mënyra se si zgjedhjet individuale i çojnë personazhet drejt rënies së tyre të paevitueshme.
Teksa Makbethi zhytet gjithnjë e më shumë në profecitë që i shkojnë për shtati dhe dhunës e cila e çon drejt çmendurisë dhe dehumanizimit të tij, ai humb kontrollin mbi jetën dhe mendjen e tij, duke mbetur një figurë e përndjekur nga ndjenja e fajit dhe frika e vazhdueshme për pushtetin e tij të pamerituar, por premtuar nga profeci shtrigash.
Makbethi sipas Qëndrim Rijanit, nga ana tjetër, sjell këtë tragjedi klasike në një kontekst bashkëkohor, duke i dhënë kësaj tragjedie një dimension që rezonon (figurativisht) me aktualitetin. Këtu përdoren elemente të theksuara vizuale dhe simbolike për të përforcuar natyrën e errët të ambicies dhe çnjerëzimit që pushteti sjell, jo vetëm në kohën dhe për kohën kur ky tekst është shkruar, por edhe në shoqërinë e sotme.
Stili dhe teknika e përdorur nga ai, e zhvendos vëmendjen nga shfaqja e pushtetit në kuptimin e tij më abstrakt, duke e lidhur këtë temë me lakminë si emocion dhe shtysë për të pamerituarën që bëhet realitet me shumë gjak, degjenerim, mjegullim të inteligjencës emocionale dhe përgjegjësisë, si dhe fuqinë e dilemës morale mbi të pamoralshmit.
“Makbethi” i Rijanit në Teatrin Kombëtar të Kosovës shfaq një vizion të përpunuar artistikisht, që vjen si rezultat i një qasjeje intuitive dhe e thellë e tij mbi këtë tragjedi. Regjia e tij përgjithësisht është karakterizuar nga një koncept që mbështetet fuqishëm mbi kontrastet. Në rastin konkret ai i sjellë në pah këto kontraste ndërmjet hijeve dhe dritës, të kaluarës dhe të tashmes, realitetit dhe reflektimit të tij në pasqyrë, duke krijuar një ndjesi të përhershme të tensionit dhe misticizmit.
Regjisori, në mënyrë mjeshtërore, i jep jetë botës së errët të Makbethit përmes përdorimit të teknikave vizuale të sofistikuara dhe një narrative që zgjon ndjenja të fuqishme te publiku.
Në këtë spektakël teatral, simbolika e festave të shfrenuara, përdoret për të reflektuar gjendjen e brendshme të personazheve, ku çdo zgjedhje e Makbethit dhe Lady Makbethit i afron më shumë drejt errësirës së tyre të brendshme.
Ky Makbeth është një përplasje e egër me pasojat e lakmisë së papërmbajtshme e ambicies së sëmurë, ku si rrjedhojë humbet sensi mbi kontrollin personal. Ky i fundit mund të identifikohet si një aspekt tjetër (nuk mund të thuhet i rastësishëm, apo?) që erdhi me një ndjeshmëri të thellë mbi aktualitetin, ku etja për pushtet shpesh është po aq destruktive dhe sikur asnjëherë e mjaftueshme.
Loja e aktorëve në këtë shfaqje nuk është vetëm një mishërim i personazheve apo përcjellje e linjave dramatike, por është një eksplorim i psikologjisë së fateve të njerëzve dhe inteligjencës emocionale.
Adrian Morina dhe Gresa Pallaska, në rolet kryesore, arrijnë të sjellin në jetë tensionin e brendshëm të Makbethit dhe Lady Makbethit në një mënyrë të tillë që i bën të duken të gjallë dhe publiku të ndjehet i familjarizuar me ta. Përkundër kontekstit historik të temës, kjo vendosje është një reflektim mbi njeriun modern dhe mënyrën se si pushteti dhe ambicia e paarsyeshme e shkatërrojnë atë, duke i dhënë tekstit një qasje të re, më të ndërlikuar dhe më korrespoduese me publikun modern.
Aktorët e tjerë që i japin nur skenës si: Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Ismet Azemi, Semira Latifi, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Ermal Sadiku, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati e Yzeir Meha (për të mos i mbetur borxh asnjërit) të përkushtuar nëpërmjet lojës së tyre të i japin jetë tragjedisë, ndër më të njohurat, duke e kuptuar qartë misionin e transformimit kohor të ngjarjes, për ta sjellë atë tek publiku modern.
Kështu ata duke përforcuar peshën e mesazhit të fundit me një fokus të veçantë në nuancat emocionale që pasqyrohen në secilin veprim (sicker tek skenografia) i japin kuptim tërë rrjedhës së ngjarjeve që rezulton me aktin e fundit.
Në këtë shfaqje nuhatet edhe një aspekt jo shumë i ngjyruar i dilemës morale që përballon personazhi i Makbethit e që merr një tjetër përmasë pak para keqardhjes për te, pas vdekjes së zonjës së tij. Vdekja e saj, pas një rënie të thellë në çmenduri për shkak të fajit dhe dhimbjes që ndiente për krimet e tyre, e lë Makbethin të përballur jo vetëm me pasojat e veprimeve të tij, por edhe me një ndjesi të thellë të pashmangshmërisë së fatit. Këtë fat që as aromat arabe s’e mbulojnë aromën e tij.
Makbethi shfaq një indiferencë (edhe më të ftohtë se rëndom) ndaj humbjes, e pikërisht në këtë pikë, vjen në pah dilema morale e fuqisë dhe përpjekjeve të pamëshirshme për ta mbajtur atë: A ia vlen pushteti nëse sjell vetëm shkatërrim dhe vetshkatërrim? Makbethi mbetet i vetmuar, duke kuptuar që gjithçka që ka bërë nuk ka asnjë vlerë reale, duke thelluar tragjedinë e tij si një njeri i shkatërruar nga ambicia dhe faji i vet.
Duke përdorur elemente vizuale, madje edhe nëpërmjet kostumeve dhe rekuizitave, si simbolika të theksuara, aty theksohet ambicia dhe çmenduria që sjell pushteti – i cili u fitua kështu. Të gjitha këto shfaqen jo vetëm në kohën e Shekspirit, por edhe në shoqërinë e sotme dhe ajo që bie thellësisht në sy në këtë adaptim është pikërisht zhvendosja e fokusit nga përpjekjet e Makbethit për pushtet në një shqyrtim më të thellë të moralit dhe dëshpërimit, që ngjason me dilemat e tjera tragjike shekspiriane. Këtu mund të thuhet se kemi të bëjmë me një vendosje të një kokteji fatesh nëpërmjet integrimit të personazheve të tjera të Shekspirit, për të vënë më shumë dritë në drejtim të dinamikave (edhe të brendshme) të personazheve tek Makbethi.
Për shembull, marrëzia dhe konflikti i brendshëm i Makbethit shpesh mund të shihet nga aspekti i Hamletit, ndërsa ambicia dhe tirania e tij ndjek një trajektore të ngjashme me atë të Richard III. Gjithashtu, përplasja e tij (e brendshme dhe me të tjerët) me tradhtinë dhe pasojat e pushtetit mund të lidhet me Brutin nga Jul Cezari. Ndërsa më së shumti e gjejmë një Mbret Lir tek Dunkani i këtij versioni, sepse qartë janë të gdhendura elementet e çmendurisë si reflektim i gjendjes emocionale, dëshpërimit të thellë nga pamundësia për të ZHBËRË ATË QË ËSHTË BËRË, si dhe humbjen e kontrollit mbi veten (se nga fati, po se po). Kështu, ky adaptim edhe mund të shpërfaqë lidhjen me tematikat universale të Shekspirit dhe për t’i paraqitur ato në një formë që mbetet relevante dhe sfiduese për publikun modern.
Si përfundim, kjo qasje moderne e vë në pah marrëdhënien e ndërlikuar të individit me pushtetin dhe përgjegjësinë morale, duke e bërë këtë Makbeth një pasqyrim të thellë të shoqërisë së sotme./ KultPlus.com