Dafina Zeqiri – jo, a man, por woman me plan!

4 Tetor, 2021 - 2:11 pm

I.

Prej muzikës në kompleksin e të qenit, shqiptar

II

Prej jazz në shqiptaren

III

Dafina Zeqiri – jo, a man, por woman me plan!

Ballsor Hoxha

Le ta marrim në konsideratë, muzikën e një prej yjeve të kulturës sonë sot. Muzikën e Dafina Zeqirit, e cila, thënë shkurt, është çdo muzikë tjetër, por edhe shqip; por që në të vërtetë është shumë më e hapur, apo më e – çarë – se muzika e Bregoviq, apo edhe shija dhe festa e “Shqiptarëve të Shqipërisë”. Është vetë muzika globale dhe aktuale sot!

Por le të nisemi nga të qenit e Zeqirit ‘a woman with a plan’ (një grua me plan!)! A mund të ketë grua shqiptare sot me plan? Jo për shkak të tyre, por për shkak të konstelacionit të ankthit tonë kolektiv, ankthit tonë njerëzorë, dhe të dinamikës së të qenit shqiptar?

Pavarësisht patriarkalizmave dhe gjendjes në mbijetesë të kolektivit/kolektiveve tona. Të jetuarit në zonën e instinkteve për të mbetur gjallë, dhe aq më shumë për të vazhduar llojin (Freud). A mund të ketë grua sot? Apo, për ta bërë këtë pyetje aq më të pabesueshme: a mund të ketë grua me plan sot? Kosovare? Pavarësisht sukseseve prej Majlindës e Blerta Bashollit, etj. Ngjanë çdo gjë kjo e thënë, prej tendenciozes mashkullore, e deri tek rrënim i shpresës dhe fuqizimit të gruas. Në të vërtetë e tëra përmbytet dhe kalon në – çarje – nga vetë konstelacionet që u cekën; asnjë njeri sot nuk ka një plan, asnjë njeri nuk mund të ketë plan, dhe asnjë njeri nuk e di udhën e saj/tij. Jo për shkak të paaftësisë sonë, por ekzakt për shkak të – çarjes – së të vërtetës sonë. E në këtë kemi Dafina Zeqirin si grua me plan!?

Një prej problemeve më të mëdha të muzikës kosovare (e edhe asaj që i shkon prapa, pra muzikës Shqipe në përgjithësi!) është problemi i të ashtuquajturave – roots – (rrënjët). Që është edhe kërkimi dhe edhe trendi i krijimit muzikor sot, në frymën dhe skemën – back to the roots -. Ajo që ndodhë zakonisht në këtë eksplorim në muzikën shqipe, është se pikërisht duke përcjellë këtë skemë, muzika shqipe përmbytet, apo krijon paradoksin e kthimit në – the roots – të Reggae muzikës!

Një problem tjetër, është ai i të menduarit rreth muzikës si kjo e Dafina Zeqirit. Duke qenë se ky shkrim është në vazhdën e shkrimeve për “The Weeping Song”, apo “Killing an Arab”; Urban FM, e Kurrizin e Prishtinës gjatë kohës së luftës në Kosovë, të gjitha fenomene apo shenja kur Dafina Zeqiri as nuk ka qenë e lindur! Dhe që muzika e saj as nuk ka të bëjë me to.

Por mbi këto probleme, dhe të gjitha të tjerat të mundshme, është problemi se kur dikush niset të – çmojë – së paku muzikë kosovare dhe atë shqiptare, del si “entuziast” thënë butë, e deri tek i shitur, apo edhe injorant, etj. Është mentaliteti ynë, shpirtngushtësia jonë ‘estetike’ në raport me ballafaqimin e shijes, zgjedhjes dhe edhe arritjes/devijimit në këto fusha. Apo, thënë ndryshe, nuk ka njeri në Kosovë që nuk ka dëgjuar për Dafina Zeqirin, por, përpos masivitetit të turistëve/gërnaçave/diasporës që e shijojnë krijimtarinë e Dafinës, të tjerët e bëjnë këtë tinëz, apo edhe duke e ndarë personalitetin e saj me muzikën e saj, dhe këtë të dytën duke e marrë show – biz klasik etj.

Problemi është pikërisht në këtë të fundit: mosnjohjen, apo edhe druajtjen nga muzika e Dafinës. Duke iu kthyer problemit të parë të renduar këtu, asaj të – kthimit në rrënjët – (skemës muzikore – back to the roots –), dhe gjithherë kthimit të muzikës shqiptare në – the roots – të Reggae, Dafina është speciale dhe tejet e veçantë. Ajo, nuk është  a business woman, vetëm. Ajo është artiste, edhe me famë botërore, por e dalë dhe pjekur profesionalisht, prej kësaj grope të mentalitetit e shpirtngushtësisë sonë. Sigurisht, deri këtu kam komprometuar çdo “intelektual”, e rreth “Intelektual”, e posaçërisht “Njohësit” e muzikës, me këtë që është thënë. Por, ta shohim këtë më ndryshe se zakonisht.

Muzikën e Dafina Zeqirit mund ta shohësh në dy perspektiva:

1. si trend e  skemë – back to the roots –

2. si (intertekst postmodernizmi) asimilim i masave muzikore, aktuale, dhe sidomos, të të shkuarës. Mishërimit të tyre në një kompozicion tërësisht origjinal. Për të cilën pak rëndësi ka nëse Dafina është teorikisht e vetëdijshme, derisa është tejet e veçantë në këtë!

Muzika e Dafinës si skemë – back to the roots – është kompozicion, rrënjësisht i vetëdijshëm për këtë teknikë dhe skemë, nëse jo teorikisht, është së paku artistikisht. Por, për dallim prej të pavetëdijshmes dhe kompozimit inferior kosovar e shqiptarë në këtë teknikë, e cila gjithherë përfundon në roots të Reggae (siç u cek më lartë), muzika dhe krijimi artistik i Dafinës shkon tutje, duke kompozuar reggae, me muzikën lindore. Por sigurisht, muzika, apo thënë saktë shprehja – root – e shqipes duke qenë edhe parësore në këtë krijimtari të saj, e deri tek eksplorim më thellë, dhe aq më shumë më i guximshëm se zakonisht në artin tonë.

Në të vërtetë, ajo që është shqipe në muzikën e Dafinës, del të jetë muzikë, si pandashmëri dhe brikolazh i masave shpirtërore ballkanase. E cila më tutje thellohet, deri në Hindu e lindore.

Në anën tjetër, muzika e Dafinës si ndërthurje e dromcave dhe masave muzikore, aktuale dhe të të shkuarës, mishërimit të tyre në një kompozicion, (si intertekst postmodern, për të cilën ndoshta Dafina nuk ka një informatë, por ka një vetëdije dhe intuitë muzikore dhe artistike.)

Por, kësaj duhet shtuar, pikërisht dhe më me rëndësi shpirtin e muzikës dhe artit të saj, vetë aftësinë për të asimiluar dhe për të manovruar artistikisht në krijimtarinë e saj. Pikërisht të kësaj teknike dhe trendi muzikorë e artistik, e që është fuqizimi i femrës; feminizmi; por aq më shumë – çarja – e shtjellës së vetëdijesuar thellë dhe prapa në femërore; në – the root – të shprehjes e të shpirtit femëror, sipas vetë artit të Dafinës. Sigurisht, me ndihmën e skemave krijuese muzikore të trendëve globale.

Këtu, nuk është më çështja e shijes, apo preferencës muzikore, është ajo që Zeqiri ndërton si qëndrim, vetëdije, shpirt e shprehje të nxjerrë dhe të aktualizuar, qoftë globalisht e në vend, si frymë femërore, dhe përpjekje origjinare femërore.

Por, për fund, cila është ajo – root – e të gjitha këtyre, apo çka është – root –  e artit të Dafinës? Është shpirti femëror, i cili të shumtën e krijimtarisë së saj është gërmim dhe – çarje – e prezentes, në vetë shprehjen shpirtërore të femrës, e cila është e nxënë nën patriarkalizëm, e të gjitha parakalimet e ideologjive, dhe të origjinares së kësaj në kulturën tonë. Nuk është gërmim dhe – çarje – në etniken, apo në të fundmen e shqiptares, shpirtit shqiptar, sidomos të femrës shqiptare, por është eksplorim në ndërthurjen dhe intertekstin artistik. Apo thënë saktë të shprehjes shpirtërore të femrës më gjerë.

Kjo – root – në krijimtarinë e Zeqirit është pikërisht ura e zërit femëror në kohë. Dhe është përpjekje për të nxjerrë masat dhe dromcat e zërit të parë femëror, shprehjet e para femërore në shpirtin dhe frymën tonë, po e përsëris, si trend dhe si kërkim artistik i saj. Dhe, megjithëse nuk është etnike, apo e pastër shqiptare, kjo shprehje është globale dhe aq më shumë kompozim dhe krijim në frymën e skemës muzikore globale – back to the roots -.

Dafina është një nga eksplorueset më të thella dhe më të guximshme të këtij shpirti, të kësaj fryme dhe të kësaj shprehjeje. Pavarësisht se e njohim veten autokton e të ‘padyshimtë’ në shpirtin tonë e kulturën tonë, në të vërtetë ne jemi krejtësisht, apo vetë muzika është krejtësisht dhe rrënjësisht frymë dhe amalgamim i shkëmbimit kulturor dhe ndër-kulturor, gjë që do të thotë se Dafina, është shumë para muzikës dhe përkufizimeve tona, si për veten e po ashtu edhe për muzikën tonë.

Dhe prej këtu, ndoshta, na duhet kohë të bluajmë, të përpijmë, dhe të shijojmë në fund, muzikën e Dafina Zeqirit, si fuqizimin i kolektiveve të shtypura e të ringjallura jashtë bërthamës së lindjes së tyre, siç është diaspora shqiptare!

Sigurisht, ky është shkrim dhe vlerësim pozitiv, pavarësisht -trap – të muzikës së saj, dhe të biznesit brenda muzikës së saj, por shumë më shumë është ngacmim i reflektimit tonë ndaj muzikës së saj, dhe aq më shumë përmes po të njëjtit të ngacmojë reflektimin për qëniesimin tonë!/KultPlus.com

Të ngjajshme