Dekania Lindita Rugova: Sa herë flas për sëmundjen në medie, shpresoj që prindërit e mi mos ta shohin

19 Tetor, 2022 - 8:48 pm

Shkruan: Lindita Rugova

Një mike imja insistoi një ditë të mos dal e të mos flas për sëmundjen në publik sepse sipas saj, të tjerët i ndihmoj, ndoshta edhe i mërziti, por vetës nuk i bëj mirë. Sipas saj, çdo përkujtim më kthen te sëmundja dhe ma preokupon kokën me të.

Është e vërtetë kjo punë deri diku! Sa herë që dal, shpresoj shumë prindërit mos me më pa.

-Hiq mos shkruaj e as mos dil në TV se vetën po e sëmur më shumë e as ne nuk po mundemi me të pa keq!

Ajo më don shumë dhe ka frikë për mua, e kuptoj!

Por, këtë akull e kam thyer kaherë, diku para 11 vjetësh, kur në KS nuk është folur hapur për këtë punë…

Unë nuk mundem ndryshe, miq të dashur, ky është brumi im, nuk mund të mos flas e t’i tregoj përvojat e mia. Kjo po më ndihmon me e nxjerrë jashtë atë dufin tim, por edhe për faktin se kur unë e bëj këtë, nja 50 mesazhe në FB më vijnë nga gra të ndryshme e të panjohura, që më falënderojnë që po i nxis edhe ato me mendu ndryshe për sëmundjen, dhe që po u ndihmoj me i paralajmëru çfarë i pret.

Nuk e kisha ditur sa impakt paskam në shoqëri!

Pak për shkak të Linditës e pak edhe për faktin që e kam pasur guximin të dal e të flas haptazi deri në 30 min publikisht në TV për çdo detaj të ballafaqimit tim me kancer të gjirit, kur në Kosovë ishte ende tabu. Kam folur për heqjen e gjirit si tregues i feminitetit dhe për rënien e flokëve të bukura që dikur ishin krenari imja, duke i trajtuar si veprime të lehta dhe pa pasoja emocionale për femrën derisa të tjerët i mbanin të fshehta këto detaje. Dhe jam e lumtur që ua kam hapur rrugën shumë të tjerave pas meje që tash e kanë shumë më lehtë të shprehen për telashet e tyre.

Jam e lumtur që bashkëshorti im ka ndikuar me paraqitjet e tij publike në TV (emisione dhe spot vetëdijesues), me ju dhënë mesazh familjeve dhe partnerëve të grave të prekura që të jenë shtyllë e tyre në çdo kohë. Nuk ka qenë fare e lehtë për të dhe për ne si çift e familje ta bëjmë këtë, por e kemi bërë. Dhe jam shumë krenare për këtë gjë!

Ashtu siç jam përpjekur me ju tregu të gjithëve në punë se ne gratë dimë e ia dalim në çdo gjë për të mirën e kësaj shoqërie të brishtë, ashtu do të vazhdoj të luftoj për këtë kauzë me aq fuqi sa kam deri në momentin e fundit.

E ju miq të dashur, burra e gra, flisni hapur, shkruani për telashet që i keni e mos përtoni e shkoni e bëni së paku një echo (ultraze) në çdo 6 muaj dhe disa analiza të gjakut, për të cilat ju këshillon çdo mjek specialist që ju kontrollon. Kjo është më së paku që mund ta bëni per vetën. / KultPlus.com

Të ngjajshme