28 Korrik, 2018 - 10:45 am
Arbër Selmani – bursist i Sakharov 2018
Si njëri prej Sakharov bursistëve për këtë vit, reflektova shumë këto ditë mbi karrierën e Demaçit. Sidomos kur prej udhëtimit në Bruksel muajin e kalum i pata së paku dhjetë biseda të ndryshme me njerëz të tjerë rreth Demaçit, i cili kishte qenë i ftuar në ceremoninë e 30-të vjetorit të ndarjes së çmimit, por shkaku i shëndetit të përkeqësuar nuk erdhi.
Demaçi e ka marrë çmimin Sakharov në vitin 1991, vitin kur linda unë.
Ma shumë e dojshin Demaçin në Bruksel, se në Kosovë. Ose së paku, ma shumë atje fola për Demaçin sesa këtu. Në Facebook, ku bën roje gjithëdijësia e shqiptarëve, me rastin e vdekjes së Demaçit pashë komente prej “pak i ngushtëm” deri te “edhe ky ia ka huqë shpesh”, përfshirë këtu ngushëllimet për familjen. Në Bruksel, treguan për shëndetin e tij të përkeqësuar, për punën e tij, burgosjen disa herë, plus ishte interesant prej tyre me e taku dikë prej Kosovës për faktin se në tri gjenerata të bursistëve unë jam i vetmi prej Kosovës. Aspak i krahasueshëm me Rugovën e Demaçin që kanë marrë çmimin e madh Sakharov në vite të ndryshme. Në Bruksel Demaçin e përshkruanin si njeri të qetë, të butë, një mendje që e pati mahnitur edhe Parlamentin Evropian kur e pranoi çmimin Sakharov. Demaçin në Bruksel e pashë të barazuar me njerëz që kanë luftuar për kauzat e njëjta si ai, pa analizën shqiptare e cila shpesh është e vakët.
***
Demaçi ka kalu vite në burg, duke pasë ëndrra.
Demaçi nuk është Nelson Mandela i askujt. Ai është Adem Demaçi – një jetë si disident dhe një harresë kolektive e shqiptarëve në vitet e fundit të jetës së tij. Mandela poashtu e ka marrë Sakharovin, në vitin e parë të ndarjes. Demaçi dhe Mandela e kanë secili karrigen e vet në atë botë ku drejtësia ekziston dhe ku pishtarët e luftës për drejtësi e barazi kanë kolltukun e tyre pa komentet e të gjithëdijshmëve shqiptarë e kosovarë.
Politikanë, Demaçin kujtojeni, duke ndjerë pështirosje për veten tuaj dhe kuazi-kulturën që e shitni për njerëzillak.
Demaçi ka shkruar “Gjarpijt e Gjakut”, politikanët tanë që po i bëjnë nderime nuk i kanë lexuar as fletat e bardha që ju servohen në Parlament.
– Në momentin që më kanë tregu për bursën Sakharov 2018, dy emra më janë kujtu: Demaçi e Rugova. Duke i zhveshur prej çdo mangësie terciare, Rugova e Demaçi nuk ka as mundësi të klonohen në këtë depresion kosovar, edhe për shumë vite. Personalisht për mu janë dy prej emrave që të drejtat e njeriut në Kosovë i patën mendimin e parë të mëngjesit dhe misionin e vetëm në jetë. / KultPlus.com