18 Prill, 2018 - 7:58 pm
Rrezearta Reka
Kur isha 10-12 vjeçe mbase, më kujtohet se ankohesha te prindërit për ca dhimbje të çuditshme në këmbë. Dhimbje të durueshme gjithsesi, por të tilla që janë këmbëngulëse dhe që zgjasin për ditë a javë të tëra. Fatmirësisht, në një nga vizitat te mjeku, ishim siguruar që s’ishin gjë, pos dhimbje të rritës. Këto, krahas me të tjerat që veç sa kishin filluar: shenjat e para të migrenës, si paralajmërim për menstracionet e para, puçrrat në vend të çukave në faqe, mustaqet mbi buzë dhe pushi i butë në fytyrë. Nuk më kujtohet në këto dhimbjet në këmbë kishin kaluar vetvetiu, apo thjeshtë i kisha harruar në përballje me këto të fundit. Gjithsesi, ishte hera e parë që kisha dëgjuar se rrita dhemb. Në moshë të vogël, dhimbjet janë fizike: në këmbë, në vezore, në kokë. Në moshë më të madhe, dhimbjet e rritës bëhen gjithnjë e më shpirtërore. Çdo çast në historinë tonë modeste, dhimbje epike e rritës: martesa dhe dhimbja e braktisjes së vetes së lirë e të pakompromis, amësia dhe motherf*%*ing dhimbja e lindjes e denjë vetëm për një njeri të madh dhe lindja e vetes si nënë, kariera dhe dhimbja e dështimeve, mundësive të humbura, e sfidave të reja, në përpjekje të pafund për të mbetur njeri gjatë gjithë kësaj kohe.
Në jetën time si e rritur, kam ndërruar shumë shtëpi, në disa qytete. Disa shtëpi të përkohshme, disa familjare, disa me qera dhe të tjera të tilla që i quanim tonat. E në secilën nga këto ndërrime që kam pasur, kam lënë një copë zemër, e shumë lot, në pragun e derës që kam mbyllur për të fundit herë. Nuk ka fare rëndësi nëse këto shtëpi kishin oborr të madh apo të tjerat ishin veç një dhomëshe. Është e rëndësishme se në secilën prej tyre kisha përjetuar kujtimet me të cilat kisha vendosur edhe një gurë në kalanë time që spo rreshtja së ndërtuari.
Banesën e fundit të cilën e kishim bërë shtëpi, e konsideroja si vendbanimin tim të parë stabil, të cilin po e ndaja me familjen time. Tani kishim dhomat tona, një dhomë dite të vogël sot, por që atëbotë më dukej e madhe, dhe madje edhe një ballkon asimetrik e minimal, po që të mirëpriste sa herë kishe nevojë të nxirrje frymën në mbrëmjet e vona. Fëmijët ishin të vegjël, 5 dhe 3 vjeç, e ne ishim një dekadë të më të ri, dhe rrita veç sa kishte filluar. Por, me fillimin e shkollave, çerdheve, kohëmatësve qindsekondësh të kredive, kurseve, magjistraturave e doktoraturave, koha kishte humbur rëndësinë, dhe na përkujtohej vetëm kur haxhoheshin bateritë e orës së murit, që ma kishin bërë dhuratë për dasmë. Ditë pas dite, edhe dhimbje kishim, sidomos të shkuarjes në çerdhje e në punë, por që nuk kishim kohë për ato. Kishim bërë edhe ca ndryshime në dhomën e fëmijëve, për të akomoduar rritën, por që shumë shpejtë, pothuajse në formë iluzore si te Liza ne Botën e Çudirave, ishim rritur shumë më shumë se sa që lejonte hapësira në banesën tonë, që dikur na dukej e madhe.
Banesën e re e kishim blerë diku rreth Ditës së Falemnderimeve: dy të vrame me një të rame! Koincidencë simbolike dhe zbritje marramendëse në teknikën e bardhë, të domosdoshme për jetë të re. S’ka dy javë që jemi zhvendosur. Fatmirësisht, ndryshimi ishte më i lehtë kësaj rradhe, se s’kemi ndërruar lagje, e që ishte një nga parakushtet e vëna nga fëmijët. Sërish folenë e kemi ndërtuar në katin e fundit, aty ku hap sytë në mëngjes dhe qielli të len shëndenë. Aty ku secili tani kemi dhomat tona dhe ku fëmijët tashmë nuk kanë nevojë për spjegime se pse mami dhe babi akoma nuk kanë dhoma të ndara. Aty ku buka gatuhet dhe hahet shlirë, e vera e kuqe ngrohet nga drunjët që digjen prush, ndërkaq në terracë, (ballkoni asimetrik tashmë kujtim i largët!), lulet vallëzojnë nga era e fortë e katit të lartë. Banesën e vjetër e shoh çdo ditë, në përfundim të ecjes së kthimit nga puna. Madje, deri para disa dite kisha shfrytëzuar hyrjen e vjetër, si shkurtesë që më çonte drejt banesës së re. Ditën e fundit të dorëzimit të çelësave, po bëja një turne nëpër banesë. Më shumë se turne fizike nëpër çdo dhomë veç e veç, kjo ishte turne shpirtërore nëpër kujtime, anë e përtej rritës. Kuzhina s’kishte më asnjë troshë të mbetur, perdet e dhomës së fjetjes ishin tëholluar nga vitet, e flokët e tepihut ishin krehur në pispillosje. Dritarja nga e cila sodisja dritat e qytetit çdo mbrëmje pas darkës, dhe ku çanim hallet e ditës, përmes shtëllungave të duhanit, sikur më përshëndeste. Duke mbledhur kostumet e fundit të superheronjëve nga Halloween-i i fundit, pash që dhoma e fëmijëve ishte rritur. Kjo banesë më kishte dhënë vatrën e çmuar për rritën e familjes sime dhe tani ishte koha t’a falemnderoja, me uratat për familjen e re që do të zhvendosej aty. Kur për të fundit herë mbylla derën e banesës, lash në pragun e saj më shumë se një copë zemër. Falemnderohesha që spo kalonte asnjë fqinj aty pari, për të parë ujëvarën nga sytë e mi, derisa po shkulja shenjën me emrat tonë nga dera.
Atë natë, nuk rreshta së menduari sa ishim rritur. Çdo banesë e kaluar ku kishim bërë nga pak rritë, mbante vulën e përkohshme. Ose ishin të bashkësisë, ose të qerasë, ose të vogla. Jeta ngreh penjët vazhdimisht dhe nuk i dihet në të çon në tjetër shtëpi, a vend, nesër. Mirëpo, në atë çast, sikur banesa e re ishte më e përhershme dhe çuditërisht ndjeheshim në shtëpi. Derisa po më ledhatonte jasteku i ri, e më përkundte dysheku i saposhtrirë, pata një vegim, ani që natë e vonë: më shumë se që kisha lënë copëza zemre në pragjet e dyerve që po mbyllja për të fundit herë, kisha marrë çdo herë me vete një copë shtëpi. Një gurë kujtimi, në kalanë e jetës që vazhdon së ndërtuari bashkë me rritën tonë. Kalaja pa njerëz s’është gjë pos grumbull gurësh të ftohtë. Atë natë, kalaja jonë po gërrhiste gjumë që gëlonte ëndërra për të nesërmen: ku mirëmëngjesin do ta dëshironte kafeja e posa zier. Ku tjetër, pos në shtëpi!