4 Dhjetor, 2018 - 12:30 pm
Shkruan Sylë Ukshini.
Në vend të një festimi të madh për ditëlindjen e 70-të, Harald Juhnke i dhurojë 50.000 marka për fëmijët nga Kosova. Juhnke gjithashtu thirri të famshëm të tjerë për të dhuruar: Shumica fitojnë “më shumë se 2.50 marka”.
Kështu kishte thënë 19 vite më parë aktori i madh gjerman Harald Juhnke, kur në ballinën e gazetës “Bild” me 7 prill 1999 u publikua një fotografi e vajzës trevjeçare nga Kosova, Albenita, të cilës asokohe forcat okupuese serbe të Milosheviqit i kishin vrarë babanë, kurse për fatin e nënës së saj nuk dihej asgjë. Ndërsa në ballinën e gazetë “Bild” ishte publikuar edhe fotografia e përgjegjësit për krimet e luftës, Milosheviqit, e shoqëruar me titullin: “Shiko këtu, ti vrasës, banditët tuaj kanë vrarë prindërit e saj”.
Aktori gjerman Juhnke ishte prekur aq shumë nga fati i fëmijëve shqiptarë që po përndiqeshin nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe aq sa ai kishte anuluar festimin e ditëlindjes së tij të 70-të dhe paratë e festës 50.000 marka i kishte dhuruar për fëmijët shqiptarë të zhvendosur nga Kosova. Por, pos këtij gjesti të veçantë humanitar, Juhnke gjithashtu u kishte bërë thirrje edhe personaliteteve tjera gjermane për të dhuruar ndihma financiare për refugjatët e luftës nga Kosova.
Juhnke për festën e ditëlindjes së 70-të me 10 qershor 1999, në të cilën ishin ftuar 200 miq, e kishte anuluar sepse nuk mund të festonte kur në ballinat e gazetave gjermane shfaqeshin fëmijët e përlotur shqiptar, siç ishte rasti i Albenitës, së cilës i kishin vrarë babanë, ndërsa për nënën e saj nuk dihej asgjë. Shumica e figurave prominente fitojnë “më shumë se 2.50 marka”, thoshte Juhnke, prandaj, ai shpresonte se shumë prej tyre do ta ndiqnin shembullin e tij dhe gjithashtu do dhuronin donacione për fëmijët shqiptarë të përndjekur dhe të dëbuar nga forcat represive të regjimit kriminal të Milosheviqit. “Shikon këto fotografi dhe e di, se duhet ndihmuar këta njerëz,” thoshte Juhnke.
Festa e tij private e ditëlindjes fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në ambientet e Pallatit Sanssouci në Potsdam. Ambientet për ditëlindjen e artistit gjerman ishin vënë në dispozicion nga Kryeministrit socialdemokrat i Brandenburgut Manfred Stolpe. Dhe si një lloj shpërblimi nga Perëndia, pikërisht në ditëlindjen e aktorit të madh gjerman erdhi liria e fëmijëve shqiptarë, liria e Kosovës, për të cilën qytetarët dhe shteti gjerman ka bërë shumë.
Por, pa dyshim gjesti i veçantë humanitar i aktorit të madh gjerman Harald Junke për të ndihmuar fëmijët shqiptarë, për të zbutur sadopak dhimbjen dhe trishtimin e tyre të shkaktuar një agresor, e ndoqën miliona njerëz në Gjermani. Ndaj, thirrja e tij, humanizmi i tij, meriton detyrim, falënderim dhe nderim të përhershëm. Juhnke do të jetojë përherë në shpirtin, zemrat dhe në kujtesën popullit shqiptar, të cilit dy dekada më parë i ishte kanosur ekzistenca dhe ai ishte një zë i fuqishëm në mbrojtje të tyre. Prandaj, Harald Juhnke edhe sot meriton të falënderohet më zë edhe nga shteti i ynë, nga Republika e Kosovës. Ditëlindja e tij 10 qershori është po ashtu ditëlindja e lirisë së fëmijëve kosovarë, është ditëlindja e Kosovës. Sa herë ta festojmë këtë ditë duhet ta kujtojmë edhe aktorin e madh Harald Juhnke.
Harald Juhnke, ii cili u lind me 10 qershor në Berlin, ndërroi jetë më 1 prill 2005, në moshën 75 vjeçare. Vendi i varrit i përket varrezave të nderit të Landit të Berlinit./KultPlus.com