29 Qershor, 2018 - 4:00 pm
Nga Pjeter Logoreci
Gjersa së bashku me ish presidentin Alfred Moisiu po vizitonim bustin e Aleksandër Moisiut të vendosur në Vjenë, vërejta që rrugica Moissigasse (ku ndodhej busti, vepër e skulptorit të talentuar durrsak Qemal Kërtusha), kryqëzohej me rrugicën Sinagasse. Emri Sina ishte i njohur për mua pasi miku im Gaqo Qyfeku, gjatë një takimi në Tiranë, më kishte treguar për disa familje të emigruara nga Voskopoja, të cilat ishin shumë të njohura në Austri, ndër to edhe familja SINA. Menjëherë mendova se nuk ishte e rastësishme që zyrtarët e bashkisë së Vjenës i kanë vendosur këto dy emra së bashku. Ideja e tyre është historikisht dhe gjeografikisht funksionale, pasi të dy këto figura (Moisi dhe Sina) kanë lidhje me Shqipërinë.
Me qëllimin e evidentimit dhe të ndriçimit të figurave të rëndësishme me origjinë nga trevat shqiptare, që patën aktivitet në Austri / Vjenë, të cilët ishin të njohur në mbarë botën e përparuar dhe atë shqiptare si: Karl Gega, Aleksander Moisiu, Gjergj Pekmezi, Kolë Rrota, Federik Shiroka…etj, dëshiroj të sjell për lexuesin shqiptar informacione mbi prejardhjen dhe aktivitetin e një ndër familjeve më të famshme në gjiron finaciare, tregtare e industriale në Austri, të familjes SINA.
Të njohim familjen Sina….
Në mesin e “Patrizëve” më të pasur të Vjenës, qendrës së perandorisë së fuqishme Austro-Hungareze, vendosej edhe familja me origjine nga trevat shqiptare SINA. Historia e dinastisë së kësaj familje fillon me zotëruesin e madh të tokave, financuesin dhe ndërtuesin më të rëndësishëm, ajkën e perandorisë austro – hungareze nën Franc Jozefin I, Freiherr Simon Georg von Sina (1753 – 1822) (1).
“Familja Sina ka ardhur nga Voskopoja, vendi i origjinës së tyre, që sot është një fshat po me këtë emër në Juglindje të Shqipërisë, ndërsa dikur ishte një krahinë e begatë nën perandorinë osmane. …Këtu përshkoheshin rrugë të rëndësishme tregtare që e kthyen Voskopojën në një qendër të rëndësishme ekonomike dhe kulturore, me disa kisha, biblioteka si dhe me shtypshkronjën e saj. Qyteti ishe një qendër e Aromuneve….., të cilët tradicionalisht ishin nga zanati tregtarë, udhëheqës të karvanëve me mallra apo ustallarë lëvizës”, shkruan zonja J. Ecker në studimin e saj mbi familjen Sina.
Njohja e familjes SINA, jashtë kufijve të perandorisë osmane (Shqipërisë), fillon me Simon Gjergj Sinën të vjetrin, i cili nga çereku i tretë i shekullit të 18 vendosi kontakte tregtare me Vjenën. Ndër dokumentet e pakët që janë gjetur, ka paqartësi për kohën e lindjes së Simon Sinës, filluesin e historisë së suksesshme të kësaj dinastie, paqartësi të cilat vijnë nga periudha kohore nën perandorinë osmane si dhe vendndodhja administrative ku u lindën dhe filluan aktivitetin e tyre personazhet e kësaj familje.
Për të kuptuar qartë arsyet e lëvizjes së familjes Sina nga vendlindja duhet ti referohemi një studimi të autorit Max Demeter Peyfuss i cili është marrë me studimin e prejardhjes, lëvizjes, kulturës, dhe aktivitetit të Vllehëve të pasqyruara këto në librin e tij „Çështja Vllahe“:
… fiset e vllehëve, kanë lëvizur rregullisht në grupe të mëdha për arsye politike apo ekonomike duke krijuar koloni të mëdha në vendbanimet shqiptare të Maqedonisë. Ato filluan të qarkullonin në të gjithë Ballkanin si tregtar, transportues e shoqërues malli. Në shumë qytete të gadishullit ballkanik ato njiheshin si mjeshtra artizanë, ndërtues shtëpish, argjendar. Në Shqipëri fiset vllehe gjendeshin të përqendruar në zonën e Myzeqesë, në qarkun e Permetit dhe në Korcë….
Lëvizjet dhe aktiviteti tregtar i Vllehëve filloj të lulëzoje sidomos pas paqes së Beogradit të vitit 1739, me aktivitetet e tyre tregtare drejt Selanikut, Serbisë, Hungarisë deri në Vjenë, ku krijuan edhe baza të mëdha për magazinimin e mallrave me shumicë.
Për familjen Sina, kjo lëvizje u kushtëzua veçanërisht pas trazirave, plaçkitjeve dhe zjarrvënieve që ndodhen në Voskopojë në shtatorin e vitit 1769, por edhe më vonë me shkatërrimet e vitit 1788, për të cilat u bë përgjegjës Ali Pasha. Për të mbrojtur aktivitetin e pasurinë e tyre, ato u detyruan të largoheshin drejt zonave perëndimore të gadishullit. Simon Sina (i vjetri) pas vendosjes në Nish në vitin 1782 u martua me Irene Czippe me të cilën pas një viti pat një fëmijë: Gjergj Sinën (1782-1856). Gjergji ishte 10 vjeç kur i vdiq nëna dhe kur i ati vendosi të transferohej me familje në Vjenë.
Shumë familje të larguara nga Voskopoja në atë kohe u vendosën në Vjenë, ku ju bashkëngjiten komunitetit grek që gjendej në qytet. Edhe pse ishin shtetas të perandorisë osmane, bashkësia ortodokse e vllehëve nga Voskopoja filloj të shihej nga popullsia e Vjenës si …“grekët”. Quartieri ku ishte vendosur komuniteti grek i asaj kohe ishte në qendër, nga pjesa verilindore e qytetit të Vjenës dhe vendasit shpreheshin për të ardhurit me humor: ….Ballkani fillon sapo mbaron zona e Rennweg-ut (atëkohë një lagje periferike e Vjenës).
Sipas studiuesve, Simon Sina i vjetër, fillimisht njihej si bashkëpronar i disa shoqërive tregtare të mallrave me shumicë, por në vitin 1798 ai krijoj firmën e tij për tregtimin e mallrave si dhe një bankë tregtare, e cila u morë fillimisht me aktivitetet dhe lëvizjen e parave të bizneseve të tija. Kjo periudhë, quhet si koha e artë e rritjes së pasurisë së dinastisë dhe rreshtimit të familjes në serën e patrizëve të qytetit. Ndërkohë, në vitin 1802, Simon Sina martohet për herë të dytë me Katharina de Gyra me të cilën pat një djalë (1804), Johann Sinën (1804-1869).
Pjesëtarët e familjes Sina ruajtën traditën e vendit të tyre, atë të trashëgimit të emrave dhe po të vërehet, ato kanë përdorur për fëmijët pasardhës emrat e gjyshave të tyre, si psh: Simon Gjergj Sina (plaku), Gjergj Simon Sina, Johann Simon Sina, Simon Gjergj Sina (junior), Gjergj Simon Sina (junior).
Punën në Vjenë, Simon Sina e filloj me importin e pambukut me shumicë nga Maqedonia, ku dërgonte në këmbim pëlhurë dhe punime metali apo qelqi. Ai ishte i pari tregtar që futi në kufijtë e perandorisë osmane si mjet këmbimi (pagese) monedhën Taler me figurën e Maria Theresës, që ishte mjeti zyrtar i pagesës i perandorisë austro-hungarezë.
Një vështirësi e madhe për punën e përditshme të bizneseve të tij ishte statusi i shtetësisë së tij, pasi ai ishte shtetas i perandorisë osmane. Për këtë, shpesh ai detyrohej të përdorte për blerjet e objekteve të mëdha (shptëpive), emra të personave nga rrethit familjar i gruas së tij. Meqenëse ishte zotërues i madh tokash në pjesë të ndryshme të Evropës (Hungari, Rumani, Serbi) dhe tregtar me pasuri të madhe, në vitin 1818 familja e tij mori statusin e ARISTOKRACISË hungareze, që e lehtësonte shumë në aktivitetin e tij tregtar. Simon Sina i vjetër vdiq në moshën 69 vjeçar në vitin 1822, duke lënë pas një pasuri dhe një karriere të pashoqe.
Në numrat e tjerë të kësaj gazete do të keni mundësinë të ndiqni dhe shkrime të tjera për dinastinë Sina dhe projektet gjigande në infrastrukturën dhe jetën ekonomike të Austrisë, që vazhdoj burri më i suksesshëm i kësaj familje, Gjergj Simon Sina./KultPlus.com
Vjenë, 7 qershor 2015
Shënime:
1. Freiherr – titull nderi për aristokratet, i barabarte me titullin Baron, Kont.
Referencat: A. Deak, M. Peyfuss, J. Ecker