20 Mars, 2020 - 8:58 pm
Merrni tigrin e egër. Ai shoqërohet me tigrat e tjerë vetëm për t’u çiftuar, ose nëse është femër, për të rritur për një kohë të shkurtër këlyshët e saj. Në raste të tjera, tigri qëndron gjithnjë vetëm. Tigrat janë të shkëlqyer në aspektin e distancimit social.
Por ne nuk jemi tigra. Në mesin e pandemisë së re të koronavirusit, disa prej nesh kanë kundërshtuar thirrjet e zyrtarëve të shëndetit publik, duke shkuar në bare dhe restorante me anëtarët e tjerë të specieve tona. Shumë të tjerë, kanë pyetur veten se si do ta përballojmë jetën pa ndeshje basketbolli, pa klasat e jogave, apo darkat me miqtë.
Me përjashtim të heremitëve, njerëzit janë kafshë shoqërore, madje edhe ata që disa i quajnë “ultra-socialë”. Prej mijëvjeçarësh, mbijetesa jonë varet nga të qenit pjesë e një grupi. Nëse distancimi social ju duket sot i vështirë, nuk jeni të vetëm:është vetë natyra jonë njerëzore.
“Njerëzit janë thjesht krijesa sociale. Ne jemi shembulli më ekstrem i një specie, që vendosi dikur se bashkëpunimi me të tjerët do të jetë e gjithë strategjia”-thotë Stiv Kol, profesor i mjekësisë, psikiatrisë dhe shkencave sjellore në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles.
Dhe kjo gjë na ka shërbyer për mirë shton ai. “Ndonëse nuk jemi fizikisht shumë të mëdhenj apo të fortë, kemi arritur që ta pushtojmë botën”- thekson ai. Parardhësit tanë ishin socialë, por ne jemi shumë më tepër. Së pari, ne jemi veçanërisht bashkëpunues, një tipar për të cilin disa studiues besojnë se buron nga ndryshimet ekologjike, që i detyruan Homo Sapiens-ët e hershëm që të bëheshin bashkë.
Ne jemi ndër të paktat specie që zgjedhin të ndajnë gjërat me njëri-tjetrin. Luanët mund të gjuajnë dhe hanë bashkë me prenë e tyre, “por nuk do t’u çojnë gjë të tjerëve”, thotë Alan Fiske, antropolog psikologjik në Universitetin e Kalifornisë. Dhe më shumë se çdo gjitar tjetër, ne ndajmë me njëri tjetrin punën, tha Fiske.
“Nëse hidhni sytë rreth e rotull, do të vëreni se ndoshta nuk ka asgjë që nuk e keni bërë apo prodhuar për dobinë tuaj. Askush nga ne nuk është në gjendje t’i bëjë individualisht të gjitha gjërat që na duhen. Por me secilin prej nesh që bën një punë të specializuar, atëherë ne funksionojmë shumë mirë”- shton ai.
Ishin këto aftësi sociale, ato që i ndihmuan paraardhësit tanë të mbroheshin nga grabitqarët, dhe të mblidhnin në mënyrë më efikase ushqimin, si dhe të rritnin pasardhësit e tyre. Varësia jonë emocionale nga njëra-tjetri, mund ta bëjë të vështirë ruajtjen e distancës nga njëri-tjetri, edhe kur kjo gjë sjell përfitime për shëndetin publik.
“Për shkak se është kaq shumë adaptive, kaq e dobishme për mbijetesën dhe riprodhimin tonë, prej qindra mijëra vjetësh, njerëzit kanë evoluar që të kenë nevoja psikologjike. Këto nevoja, ju tregojnë se është e rëndësishme që të lidheni me njerëzit e tjerë”- thekson eksperti.
Kjo është e vërtetë si për ndërveprimet intime, sikurse është ngrënia bashkë, ashtu edhe tek përvojat në grup që u anuluan ditëve të fundit, nga koncertet tek takimet e punës, dhe aktivitetet sportive.
“Ne të gjithë mendojmë se më e rëndësishme është performanca e atletëve. Në fakt, ajo që ka më shumë rëndësi është krijimi i ndjenjës së pranisë. Pra ju jeni pjesë e të njëjtës përvojë emocionuese, dhe nuk e dini se çfarë do të ndodhë më pas. Ne të gjithë jemi në të njëjtën varkë”- shprehet Kol.
Aq e rëndësishme është lidhja sociale me njerëzit e tjerë, sa që mungesa e tyre është e tmerrshme për shëndetin tonë. SHBA-ja ka tashmë nivele të larta vetmie, dhe kjo dukuri cilësohet një rrezik për shëndetin publik, edhe para se koronavirusi të na izolonte më tej.
Shkencëtarët bëjnë dallimin mes të jetuarit vetëm dhe vetmisë:Njerëzit e vetmuar, janë të uritur për lidhje njerëzore, por kanë shumë pak të tilla. Dhe një studim i gjerë ka zbuluar se njerëzit e vetmuar, janë më të rrezikuar të preken nga një mori sëmundjesh, përfshirë sëmundjet e zemrës, kanceri dhe Alzheimeri.
Kol ka studiuar arsyen, dhe ka gjetur disa histori në gjenet tona. Për shkak se njerëzit janë kaq shumë socialë, viruset – si ai që shkakton Covid-19 – na “duan”. Viruset përhapen më së miri përmes kontakteve të ngushta personale, pavarësisht nëse është në një koloni lakuriqësh nate, apo një dhomë plot me studentë.
Kjo gjë bërë që ne të krijojmë mbrojtje të fuqishme antivirale në sistemin tonë imunitar. Gjithsesi ndjenja e izolimit social, shkakton përgjigjen “lufto ose ik”, ashtu siç do të ndodhte me të parët tanë, për të cilët të jetuarit vetëm mund të nënkuptonte të qenit një “drekë” e mirë për tigrin.
Kjo nxit inflamacionin, një reagim i përshtatshëm i sistemit imunitar, që lufton infeksionin bakterial. Tek njerëzit e lashtë, kjo përgjigje do të kishte qenë e shpejtë. Por stresi i kohërave moderne, thotë Kol, i ka lënë shumë njerëz të ndjehen “kronikisht të pasigurtë”.
Kështu vepron edhe vetmia, të cilën disa studiues e karakterizojnë si një epidemi. Dhe inflamacioni, nxit sëmundjet kronike, dhe ndërkohë na lë më të prekshëm ndaj viruseve. Të gjitha këto ndihmojnë në shpjegimin, se pse qëndrimi në shtëpi për të ngadalësuar përhapjen e epidemisë së koronavirusit cilësohet i gabuar.
Edhe pse, thonë studiuesit, ai nuk ka të ngjarë të rrisë nivelet e vetmisë apo të na sëmurë mendërisht. Sëmundjet kronike si kanceri zhvillohen gjatë dekadave, dhe jo në pak javë apo muaj të një karantine kombëtare. Dhe megjithëse studimet për majmunët kanë zbuluar, se reagimi i sistemit tonë imunitar ndaj izolimit shoqëror mund të fillojë shpejt, çdo rezistencë e reduktuar ndaj virusit që mund të sjellë kjo praktikë e paparë kombëtare, mund të kompensohet nga ekspozimi më i ulët ndaj koronavirusit.
Dhe është diçka që ia vlen. “Këto lloj masash, nuk po përpiqen t’ju bëjnë të ndjeheni të vetmuar, por synojnë ta bëjnë virusin të ndjehet i ‘vetmuar”-thotë Stefani Kaçiopo, ndihmësprofesore e psikiatrisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Çikagos, që studion marrëdhëniet shoqërore dhe vetminë.
Shumica e njerëzve që po zvogëlojnë kontaktet fizike, nuk po mbyllen vetëm në dhoma të izoluara. Ata qëndrojnë bashkë me disa të afërm apo miq. Dhe media sociale, shpesh e cilësuar si një kërcënim për strukturën sociale, duhet të shihet tani si një rrugë shpëtimi.
“Njerëzit do të ndjehen të izoluar dhe të vetmuar, vetëm nëse nuk bëjnë përpjekje për t’iu afruar njëri-tjetrit. Ndaj ajo që duhet të bëjmë, është t’u telefonojmë njerëzve tanë në telefon dhe Skype”- thotë Fiske.
“Edhe pse kemi evoluar për të qenë të ndërvarur nga njëri-tjetri, ne kemi evoluar gjithashtu të kemi mendje të arsyeshme, që të kuptojnë se situata e rrugëve të boshatisura dhe shkollave tëe mbyllura, nuk do të zgjasë përgjithmonë”- thotë Kaçiopo./washingtonpost/ KultPlus.com