10 Prill, 2020 - 3:30 pm
Nga Marsi Simo
Rrëfimi më poshtë vjen pas disa mesazhesh të disa grave të cilat kanë ndarë me mua një ditë të tyre në karantinë. Deri diku për pjesën më të madhe të grave dita është po thuaj e njëjtë dhe ngarkohet nëse kanë më shumë fëmijë apo dhe nëse jetojnë edhe me vjehrrit.
Dhe aq herët nuk zgjohem, por para fëmijëve dhe burrit zgjohem përherë një orë para. Ajros kuzhinën, vë vezët të ziejnë, laj nja dy enë të darkës, shkund pecetën, rregulloj mbulesat, e libra apo lodra që kane ngel nëpër cepat e shtëpisë. Të mbaroj këto punë mendoj e do shoh ndonjë video humoristike që më kanë dërguar nja dy shoqe.
Sapo ulem para kompjuterit, nisin zhurmat nga dhoma dhe unë lutem të jenë komshinjtë, por jo.
Vijnë në kuzhinë e të shohin ulur sikur e ke në terezi, kur ti je as dy minuta në karrige.
Filloj vesh vajzën e vogël dhe nis udhëzimet e më të madhes që ndërkohë shkon në tualet. Shkoj dhe unë dhe laj vajzën e vogël që mezi rri në këmbë pasi është e përgjumur. Pastaj vazhdon luf-ta e të dyjave për pultin e tv, dhe të qarat e kota. Bëj gati mëngjesin dhe i thërras të ulemi të gjithë. Nisin ankesat se veza është shumë e zier, tjetra e do më të fortë. Të paktën burri nuk bën zë. Mbaron mëngjesi dhe tavolina është plot dhe ti duhet t’i kujtosh që pjatat t’i çojnë në lavaman. Po askush nuk e ndjen të çojë gjë më shumë.
Burri del të hedhë plehrat dhe unë vazhdoj punët e ditës, ndërkohë udhëzoj gocën e madhe të mësojë se ka njëqind projekte për të dorëzuar në lëndë të ndryshme. Ndërroj çarçafët, vë rrobat në lavatriçe, i hedh zbardhuesin banjos, e shkoj laj enët. Burri pyet çfarë kemi për drekë dhe ikën të hapë laptopin të punojë.
Qëroj disa perime dhe fus dhe të voglën të bëjë gjoja sikur gatuan dhe ajo. Të bëj supë sot mendoj, të vë dhe ca perime në furrë, por nesër çfarë të gatuaj?
-Nesër çfarë do na gatuash, i them burrit si nga larg.
– Po është mbyll ai i peshkut se kisha marrë ca koce të mira dhe ja e kishim zgjidh, pason me seriozitet ai.
-Po ja qe nuk ka peshk pra, them unë, se dua ta coj sërish muhabetin pse ai nuk mëson të gatuajë.
– Epo mirë, futi makarona, oriz…e përmbyll ai.
-Ah sa mirë, ti cilën do mësosh të parën?, dhe pres me padurim përgjigjen.
-Po hic mos bëj gjë, hamë bukë me djathë.
Kur e kanë barkun plot kështu flasin burrat, por kur kanë uri e di unë djathin e këtyre.
…
Pastaj shkoj të laj banjon dhe e vogla më thërret çdo dy minuta. Ik te babi i them, por jo i pëlqen me mua.
Dhe nuk e di sesi për pak vjen dreka. Nder rrobat, laj sallatën, i jap një detyrë me vizatim të voglës, i sqaroj kohët e foljes të madhes, vendos pecetën në tavolinë. Më duket sikur shtroj e ngre tavolina nga mëngjesi deri në darkë. Harroj cilin kam profesion të vërtetë.
Mendoj çastin kur të gjithë të flenë gjumë në drekë e do punoj çik për qejfin tim. Nuk mund ta besoj që edhe puna më duket më me qejf se punët e shtëpisë. Nëse i mbaroj shpejt ato dokumentet, mund ta nis të lexoj atë librin që kam blerë në panairin e librit 2012. Të gjithë ekspertët këto kohë karantine thonë lexo, lexo hiq mendjen…
Vesh të voglën me rroba gjumi, i lexoj një përrallë, dy, dhe gjumi s`po duket gjëkundi. Po normal se nuk lodhen gjatë ditës. E madhja është shtrirë me cel në dorë. Tani nuk i thua dot hiqe atë cel se të thotë direkt po flas me zyshën.
Kur ja duket afër gjumit dhe e vogla thotë nën zë… -O ma, kaka. Ç`është kjo kaka në orën 3 o ma. Ka rregulla dhe kaka, nuk mund të vijë tani që vjen gjumi. Thuaji të ikiii.
Ok hajde çohu…
Pas dy orësh ato më në fund po flenë. Burri ma bën me shenjë miratimi se kujdeset ai tani për gjumin e tyre.
Hap kompjuterin dhe nis të bëj punën që kam për ditën. Punoj e shoh orën dhe them ku ikën kaq shpejt.
Hë se e vazhdoj punën dhe nesër mendoj dhe hap librin.
Kam lënë një shënim tek faqja 12. Nuk e mbaja mend që i paskam lexuar aq dhe e nis nga e para.
Dëgjohen zhurma nga dhoma.. mos u zgjuan.
-Ma çfarë do hamë. -Ma po kjo detyra, ma hajde luajmë, ma nesër kam provim.
Ndërkohë dëgjon burrin që ankohet: -Boo u trashëm duke ndenjur kot…
Edhe pasditja vijon me punë e detyra të tjera deri sa thur sërish ëndrra për darkën kur ato të flenë.
Ora 23:00. Vajzat janë gati për gjumë. Të fle, të rri pak me burrin se zëre nuk u pamë sot, të lexoj librin të paktën deri te faqja 13? Uuu janë dhe rrobat për tu hekuros…
Fliii se nesër do zgjohesh herët edhe pse je në karantinë. /supergrate.net/KultPlus.com