29 Shtator, 2018 - 12:28 pm
Artan Gjyzel Hasani
DHE “YJET” RRINE E VESHTROJNE…- nje shenim vertikal mbi plagjiaturen dhe integritetin e munguar.
Deri dje nuk dija asgjë për ekzistencën e saj. Nga facebook-u mësoj se ajo qënka një person shumë i njohur për publikun shqiptar. Emri i saj shfaqet në mediat shqiptare, fytyra e saj shfaqet në studio televizive, zëri i saj kumboka në auditore universitetesh, forume ndërkombëtare, konferenca shtypi, promovime e ceremonira politikanësh. Shfaqet në foto jo rrallë në shoqëri gazetarësh, botuesish, njerëzish me pushtet administrativ. CV e saj më zgjeron edhe më shumë horizontet: diku shfaqet si mjeke veterinere, diku si biologe, pastaj gazetare, analiste, psikologe, politologe, natyrisht edhe poete, lektore, pedagoge universiteti, doktore shkencash dhe madje, edhe drejtoreshe e Burgut te Grave te Tiranës. Nje person publik me steke te larte. Duket qartë që zgjuarsia dhe aftësitë PR të saj janë të niveleve më të larta akademike, administrative dhe sociale, duke e kthyer atë vetë në celebrity të standardeve shqiptare. Mund të thuhet pra, një njeri me integritet të lartë që buron nga vetë kjo karrierë e bollshme. Quhet Zoje Jakaj, e njohur më shumë si Xhoi Jakaj.
Por para pak ditësh zonja në fjalë i bëri një sfidë të re vetes, publikut të vet dhe memories sonë: publikoi një poezi nën emrin e saj, nje poezi që në fakt është poezia e famshme e më të madhit shkrimtar shqiptar, Kadaresë dora vetë. Me ndonjë modifikim qesharak mikroskopik. Një vjedhje skandaloze ditën me diell. Dhe jo vjedhje të ndonjë anonimi, por vetë Kadaresë. Dhe jo një poezi të panjohur, por bash poezinë më të bukur lirike të shkruar ndonjëherë nga Kadareja! E akuzuar për plagjiaturë në facebook, fillimisht nga nje mike e veta, e me pas edhe nga shkrimtarja dhe studiesja Ana Kove, personazhja interesante e këtij statusi e çon paturpesine e vet në një stad më të lartë: në atë të gënjeshtares gjakftohtë. Dhe gjithçka zhvillohet në publik. Doktorja e shkencave bën një vetëmbrojtje duke thënë që nuk e ka lexuar kurrë poezinë e Kadaresë, madje nuk kishte idenë që ekzistonte ajo poezi dhe se mund të jetë një koinçidencë që ajo sot dhe Kadareja 30 vjet më parë kanë shkruar të njejtën ide, mendim, vargje! Në këtë pikë fllucka e madhe e celebrity-s sonë është shfryrë. Momenti kur ajo guxon të vjedhë publikisht pronën intelektuale të dikujt tjetër dëshmon që ajo nuk ka asnjë integritet si person. Momenti kur ajo e mbron paturpësisht vjedhjen e saj dëshmon se ajo nuk ka pasur kurrë integritet. Dhe të mendosh që paska qenë edhe drejtore e një institucioni shtetëror që akomodon e rehabiliton hajdute e vjedhëse.
Dhe “yjet” rrinë e vështrojnë. “Yjet” e establishmentit të rremë shqiptar të medias, showbiz, botës akademike e kulturore, të gjithë njësoj të ngjajshëm.
Jo vetëm heshtin para vjedhjes, por i falin me qindra like-s dhe superlative, duke u deshmuar njesoj pa integritet personal dhe profesional. Njesoj te ngjajshem.
Dhe jo popullatë e thjeshtë, por gazetarë me emër, aktorë, pedagoge, politikane, edukatore, dhe për faqen e tyre të zezë heshtin, edhe pse një krim, një vjedhje është shpalosur publikisht para syve të tyre.
Vjedhja e nje poezie në vendin ku vidhet, shitet, blihet çdo gjë, pyjet e kullotat, malet, fushat, liqenet e detet, votat dhe postet, diplomat dhe titujt, partite e institucionet, njerezit dhe e ardhmja, nuk eshte ndonje gjeme sigurisht. Vec nderi nuk shitet më në “elitën” bashkëkohore shqiptare, sepse prej kohësh nderi është produkt i munguar në atë “elitë”.
Problemi shtrohet deri kur mund të lejojmë të na fyejnë inteligjencën karagjozët.
Vërtet, ku e gjen kurajon ky kallëp njerzish të bëjë këto gjëra kaq të padenja? Këta njerëz vanitozë që nuk dinë se çfarë do të thotë të fitosh e krijosh staturën tënde profesionale, kulturore e artistike, integritetin e dinjitetin njerzor me vlerat reale që kanë, këta njerëz që kanë mbështetur tërë karrierën dhe titujt akademikë e profesionalë, imazhin e tyre publik dhe mediatik veç në vjedhjen e tjetrit, veç në gënjeshtra e mashtrime, veç në fallsitet dhe imoralitet.
Kurajoja e tyre buron pikërisht nga Heshtja e Madhe, heshtja e atyre shqiptareve të ndershëm që akoma vuajnë dënimin e tyre nga Zoti për Moskallzim Krimi.