28 Gusht, 2018 - 5:19 pm
Nga Rrezearta Reka
Edhepse kanë kaluar shumë orë që nga agimi, është akoma mëngjes: midis borish të automjeteve të vozitësve të sertë që pritojnë me u zgju herët, e masnej e ngutin kohën. Ajër i ftoftë para shiu, të shton edhe më dëshirën me qenë jashtë, pas kaq shumë ditëve zapullim gushti, por që këto të fundit i pëlqej më shumë. Ma çojnë mallin e fëmijërisë, gjallërisë së palodhshme, pushimeve prej shkollës, mbrëmjeve të gjata në skutat e lagjes, ditëve me hundë midis librash, jetës së vërtetë larg ekraneve të mençura e që na matufosën krejt sot. E shkurtoj rrugën me makinë, duke e vulos “mirëupafshim” e përditshëm me një puthje të shpejtë. Ec rrugicës teposhtë që të çon në Shesh. Sa mirë, kafetë përskaj rrugës veç i kanë përcjellë myshterinjtë e parë, e po i presin të dytit. Ata që ditën e nisin me gjoja një takim jashtë zyrës. Këpucët e mija të mëdha por të rehatshme, më bëjnë me krahë që të mbërrij edhe unë në takim. Jo gjoja, por të vërtetë. Në Shesh dy të rinj ngucen me shikime ani që sytë akoma si kanë la prej gjumit të natës. Pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit e Mon Balajt ka mbledh pluhur me ca mbetje lulesh të thata. Zhurmën e njerëzve si në kazan, e mbizotëron fontana “budallicë”, ku verës freskohen fëmijët. Njerëzit e mirë i kemi, mendoj me vete. I bëjnë ballë edhe vërshimeve të Sheshit, edhe stuhive të kombit. Edhe dorëheqjeve të prokurorëve, që i nxjerrin të palarat në shesh, edhe fjalimeve boshe që të lënë pa gojë. E para Teatrit, dy qej sikur japin shfaqje, tek kruajnë shpinën në pllakat e shumë përfolura të Sheshit. Si Kosova që kruan kusinë e zgjidhjeve, pa dit njerëzia çka po marrin e çka po humbin. A ka me mbet naj troshë e shijshme në fund me na ngop ëndërrat a jo? Si bëhet kjo punë pajtimi midis Kosovës e Serbisë, që edhe Amerika me e beku? E si të bekohet ky pajtim, atëherë kush mund të mos e bekojë një pajtim të herdokurshëm midis Kosovës e Shqipërisë?! E kruaj edhe unë tepenë e kresë, e i them vetes, me një naivitet qytetareje të rëndomtë, që ndoshta- ndoshta, ky farë shkëmbimi territoresh është përnjëmend një “ngreh e mos këput”, siç thot populli. Ngreh pak ka jugu, lësho pak ka veriu, e ndoshta masnej, mot-mot pas mot-moti, ne veri të Shqipërisë, këputet krejt ai far kufiri, për mos me na kujtu më dhimbjen më se shekullore. E masnej ky lugati i “Shqipërisë së Madhe”, që e kishin krijuar të tjerët përreth nesh, mposhtet, për me i lëshu rrugë një fundi të lumtur?!
Veç kundërmimi i rëndë i glacave të sorrave në Shesh, se fundja jemi në Kosovë, më kthjelli e më bëri të kthej drejtimin e këmbëve në vendtakimin ku isha nisur. Për pak isha duke mbërritur në Kuvend. Po Kuvendi është në pushim, në kërkim të energjive të reja. Shpresova rrugës që përnjëmend të marr Kuvendi energji të reja, se na duhet shërim kolektiv. Jemi katandis me sëmundje të rëndë të lakmisë, sa që historia më s’na bën përshtypje. As humbjet e evidentuara e as ato që akoma si kemi gjetur. Protestojmë pa bindje, po veç pse jemi lodh e çdo manifestim që na jep kanal britme, e konsiderojmë terapi mbijetese. E masnej kjo britmë humb në ajrin e tendosur politik, në të cilën frymojnë edhe goxha do analistë që në vend se më të kthjellu, të duhmojnë edhe më shumë mjegull.
Mbërrij kështu afër oazës elitare të cilën shumica zyrtare e konsideron bife për kafe pauza. Para meje kalon familja që i shoh shpesh Sheshit, rrugës për me mbërri deri te TEB Banka prapa Teatrit. Një nënë dhe një baba, nëna me sy teposhtë e baba që ngreh prapa shputën, e mbajnë për krahësh të birin me nevoja të veçanta, derisa të shkojnë në sportelin e bankës për të kërkuar ndihmat. Për këta s’ka rëndësi shkëmbimi i territoreve, e aq më pak postimet gjuhësisht non-sens që kanë zëvëndësuar përgjegjësinë institucionale. Pa hyrë në takim, edhe pak mendohem. Kosova e Dunning-Krugerit: na ha mendja që kushedi çka jemi, e në fakt kam frikë se do të na marrin me krejt çka kemi! Qe edhe një analogji që më vjen ndërmend në korzonë e dikurshme: si në sanatorium kërkojmë daljen me liberalizim, por kur të na çelin dyertë, gjithmonë kemi me u kthy në shtëpinë tonë.
Mbërriva në takim. Në prapavijë, një xhez i lehtë, sa për me kriju atmosferë e mos me ja u prish njerëzve diskutimin serioz të takimit. Porosis kafe amerikane, për me mi shkund tutje mendimet e Sheshit. Derisa pres të nis takimi, lexoj titujt e portaleve. Sot protesta në Gjakovë e nesër në Prishtinë. Me nis s’na ka munguar kurrë guximi, i’a konfirmova vetes. Por lipset guxim edhe më i madh për me çu një kauzë deri në fund. Me e nis e kemi pas nis i madh e i vogël, moti kohë. Edhe ata që refuzuan me i mbajt vendet e punës nën sund, ne vitet e 90-ta, edhe ata që vazhduan me viju mësimin në klasa pas helmimeve, dhe arsimtarët që ditën jepnin dije e në mbrëmje, shitnin marka te Bahollët. E ata që me strajcën plot kujtime, zbarkuan në Bllacë? A janë veteranë edhe ata që e kanë nis, apo veç ata që e kanë çu kauzën deri në fund? Lufta ishte e lavdishme dhe veç një bukëpërmbysët mendon ndryshe. Por, Kosova nuk është veç qe 20 vjet.
Hajde bëjmë sikur takohemi dhe kryejmë punë, nën tingujt e xhezit edhe një farë uji të pasuruar me xhenxhefil e nenxhik. Athua i kanë dal ndihmat familjes që ish rrugës për TEB-bankë?