20 Janar, 2019 - 10:11 pm
Shkruan: Don Lush Gjergji
(Përvjetori i vdekjes)
Sot, si dhe shumë ditë dhe shumë herë, jam në “shoqëri” me Mikun, Vëllain, Vizionarin, nuk është teprim të thuhet edhe “profetin” dhe arkitektin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Ndihem “mirë” së bashku me Të shpirtërisht, edhe pse më mungon prania e tij fizike. Komunikoj me Të nëpërmjet fesë, uratës, dashurisë, falënderimit. Si shpesh herë, kur rrinim, bisedonim, takoheshim, shqyrtonim, analizonim gjendjen tonë historike dhe aktuale, planifikonim udhëtimet tona nëpër botë, në kërkim, “shfletoj” kujtimet, shënimet, albumet…
Kërkonim shteg apo rrugëdalje për një popull të shkretë dhe të robëruar, të nëpërkëmbur dhe të nënçmuar, të poshtëruar dhe të sfiduar, shpesh në breg të “varrit”, si “Pakica” e Izraelitëve që ishte në pritje të kthimit në atdhe, të lirisë së humbur dhe të mohuar, të rrezikimit deri te shfarosja…
Mirëpo Presidenti ynë dr. Ibrahim Rugova kishte në besim të madh dhe të pathyeshëm në Zotin dhe në Popullin, si dhe në miqtë tanë, SHBA-në, Bashkësinë Evropiane dhe Selinë e Shenjtë, sidomos në Papën Gjon Pali II. Dhe nuk ishte mashtruar. Përpos Zotit, që i besonte dhe e kërkonte në mënyrë “burimore” nëpërmjet Drejtësisë, Paqes, Lirisë, Demokracisë, Pavarësisë, vlera këto që janë universale, për të gjithë, pra, edhe për ne Shqiptarët, dhe Popullin të cilin duhet ta “motivojmë dhe bashkojmë”.
Shi për këtë ai çmonte, nderonte dhe e donte shumë Prof. Anton Çettën, Imzot Nikë Prelën, veprimtarët e Pajtimit, sepse thoshte, “këta njerëz dhe bashkëpunëtorët e tyre, po e lirojnë popullin nga ndarja, përçarja, ngatërresa, hak apo gjak – marrja, si parakusht për liri, demokraci dhe pavarësi”. Dhe vazhdonte: “Kur të jemi të bashkuar, një, atëherë edhe Zoti do të jetë me ne, si dhe bota demokratike, paqedashëse dhe liridashëse…”.
Dhe ndodhi ajo që pak kush besonte, mos të them askush, lufta mes Davidit – Dr. Ibrahim Rugovës, dhe Goliatit – Milosheviqit, Serbisë, me fitore mahnitëse, ndërhyrja e botës në dobi dhe të mirë tonë, si Lufta e parë dhe e vetme “humanitare, preventive, shpëtimprurëse” për një popull, për ne Shqiptarët, që ishim para sfidave të shkatërrimit dhe asgjësimit apo dëbimit masiv.
Dr. Ibrahim Rugova çështjen shqiptare, në veçanti atë të Kosovës, e shndërroi në çështje të ndërgjegjes, përgjegjësisë dhe bashkëpërgjegjësisë botërore.
Unë e vlerësoj Presidentin Dr. Ibrahim Rugova si simbol e asaj çka ishte e kaluara jonë shekullore ilire-arbërore dhe shqiptare, tradita, kultura, qytetërimi dhe aspiratat shumëshekullore. Më kujtohet thënia e tij bindëse dhe profetike: “Nëse Nëna Tereze e ka përfituar mbarë njerëzimin me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, përse ne mos ta fitojmë lirinë, demokracinë dhe pavarësinë me strategjinë paqësore jo-dhunore gandiane, edhe më mirë tereziane…”.
Nëpërmjet Imzot Pjetër Bogdanit, autorit të studiuar dhe të preferuar të Rugovës, ai e kishte krijuar një “Çetë të Profetëve” moderne dhe për ditët tona nëpërmjet Zotit, Popullit Shqiptarë dhe botës mbarë.
Ky ishte botëkuptimi i tij filozofik, kulturor, shpirtëror, shoqëror për popullin tonë Shqiptar, për Kosovën tonë të tashme dhe të ardhme.
Presidenti i parë i Kosovës dr. Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë të Istogut më 2 dhjetor 1944. Pas dramës familjare, pushkatimit të babait Ukë Rugovës, më 10 janar 1945, doli në pah burrnesha e rrallë dhe trimëresha e vërtetë, Sofë Rugova, e cila e theu traditën shekullore dhe vendosi ta rriste djalin Ibrahimin, kuptohet me shumë flijime dhe me dashuri shembullore.
Këto dy ngjarje janë rrënjët e thella dhe të forta në personalitetin e shquar të Presidentit tonë të ndjerë dr. Ibrahim Rugova, i cili ia dëshmoi botës lashtësinë, martirizimin, traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë ilir-arbëror dhe shqiptar, aftësinë për flijime, vëllazërinë gjithëshqiptare, strategjinë paqësore jo-dhunore, nevojën, dëshirën dhe domosdoshmërinë për liri dhe demokraci me mjete paqësore.
Shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, fakultetin në Prishtinë (1971). Gjatë një viti akademik (1976-1977) ishte në specializim në Paris. Doktoroi në Universitetin e Kosovës në vitin 1984.
Dallohej si Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për shumë vite, sidomos si mbrojtës i dinjitetit, identitetit dhe lirisë sonë kombëtare dhe kulturore, atëherë kur ishte rrezik të jetosh e jo më të veprosh në lëmin politik dhe kulturor. Të gjitha këto ai i përmblidhte në binomin bërthamor dhe me porosi tashmë të njohur: vetëvendosja dhe pavarësia e Kosovës.
Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thosha edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të së mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jo-dhunore.
Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.
Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë… Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që të na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd… Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullit… Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet… Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.
Këto mendime, vlerësime dhe përcaktime Presidenti dr. Ibrahim Rugova i ka shprehur shumë më herët, si vizion dhe profeci, që për disa dukeshin ëndërrime, utopi, pasivizëm, dhe ja, fatbardhësisht, ato tani janë proces dhe në fazën e zbatimit përfundimtar.
Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askend, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.
Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999 si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënësn Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.
Si “testament” kulturor e la kompletin e tetë vëllimeve, kujtimin e njeriut të qetë dhe të urtë, të flijimtarit të pakursyeshëm, të strategut të paqes dhe të lirisë, këmbëngulesin e bindur dhe besnik të pavarësisë së Kosovës.
Bota e çmoi dhe nderoi me shumë shpërblime. Bota demokratike ishte me Presidentin tonë gjatë jetës së tij, sidoms në varrimin e tij madhështor, që në një mënyrë ishte edhe promovimi i pavarësisë sonë. Shpërblimi më i madh, kuptohet, nga ana e Zotit, është pavdekësia, amshimi, jeta e pasosur, ndërsa nga ana njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare, është pa dyshim pavarësia e Kosovës, që edhe ne gjurmave të tija të shkojmë dhe atë mos ta harrojmë.
Prishtinë, 21 janar 2019