23 Prill, 2018 - 7:00 pm
Nga: Zija Çela
1
Kur u bë përurimi i librit me tregime “Njerëz të krisur” të Dritëro Agollit, në sallën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve ligjëroi shumëkush. Dihet, sado të restaurohet, tavani i asaj salle do të vazhdojë të ruajë blozë tymi, jo nga i cigareve, por nga tymi i fishekzjarreve. Për Dritëroin megjithatë mund të flisja, por mes atij zjarrmllëku nuk m’u dha ta merja fjalën.
Nga leximi i librit më kishte lindur një pyetje, përgjigjen e së cilës ende s’ia kisha dhënë vetes dhe nuk po e dëgjoja as aty. Pyetja ishte: Çfarë ka moderne në klasiken e këtij autori, një moderne disi enigmë sepse, bie fjala, nuk e gjen të shfaqur as në strukturat e formës?
Pas ca kohësh, bëra një shkrim që e titullova “Leximi i një teksti univok” (Drita, shtator 1995). Sapo u lexua në dorëshkrim, me fjalën univok qysh në titull, në redaksi u shfaqën dyshime se Dritëroit do t’i mbetej hatri.
Nuk e di përse, por unë mendoja ndryshe. Në atë shkrim pohoja se, sipas meje, Agolli u përket shkrimtarëve që dëshmojnë rezistencë konservuese në rrugën e tyre, duke i besuar më tepër rezultatit sesa kërkimit dhe eksperimentit. Prandaj është i qëndrueshëm në mënyrën e shkrimit të letërsisë.
Në prozat e tij, lexuesi shkollar edhe sot i gjen me lehtësi të ashtuquajturat elemente të kompozicionit, hyrjen, pikën lidhëse, zhvillimin e ngjarjeve, pikën kulminante dhe zgjidhjen e veprimit. Në raportet e tij me lexuesin, i prirur njëherësh nga ideologjia dhe filozofia, Dritëroi shkruan një letërsi të orientuar.
Ai nuk e fsheh, përkundrazi, duket se bën përpjekje të vijueshme që nga tërësia e tekstit dhe përfundimi i tij, lexuesi të marrë po atë mesazh për të cilin ka shkruar autori.
Po ahere si shpjegohet ajo ndjesi moderniteti që, prapëseprapë, të vjen prej këtij shkrimtari teksa lexon prozën e tij? Nëse Dritëroit i mungon polisemantika dhe interteksti, atë e bën modern teksti univok që, për hir të prirjeve të këtij shkrimtari, mbart një vetjakësi të paimitueshme.
Po të ishte thjesht një realist i traditës, Dritëro Agollit do t’i duhej të parapëlqente sidomos vijën e mesit, në kuptimin se çfarë është e besueshme në jetë, bëhet më e besueshme edhe në letërsi. Mirëpo Dritëroi, si në tregime ashtu dhe në romanet e tij, jep kuota të skajshme, nevralgjike, pika të vlimit. Pa u shquar për trille fluturuese të fantazisë, ai dallohet për zgjedhjet kapriçoze që qëmton nga jeta.
Ja përse, ndonëse të shkruara me qëllime univoke, romanet dhe tregimet e tij afrojnë me vepra që japin mundësi për lexime e interpretime të ndryshme, siç ndodh në formacionet e artit modern. E kjo buron edhe nga paradoksi midis “fundit të mbyllur”, çka pritet te Dritëroi, dhe “fundit të hapur” që gjithsesi e shoqëron prozën e tij, duke nxitur tërheqje.
Nëse te Brehti ky shartim gjendet i përpunuar estetikisht në mënyrë të vetëdijshme, Dritëroit sikur i shpëton nga duart, ai e ka instinktiv dhe spontan. Ndoshta pikërisht intuita e artistit, në konflikt me metodën, u ka dhënë jetë kaq të gjatë edhe Zylos së famshëm e Mato Grudës me top.
Kishin kaluar disa ditë nga botimi i shkrimit kur, në trotuarin buzë gjelbërimit të “Pjacës”, po çapitesha me mikun tim Lazër Stani. Nuk vonon e përballë shfaqet Dritëroi. Dhe Lazri, që deri atë çast as ma kishte hapur atë temë, por i mësuar me shakatë qesh e ngjesh, ia fut me top:
“Hë, Dritëro, e pe si ta kishte hedhur Zijai me tekstin univok?!”
Prej asaj përskuqjes së tij fisnike, kur nuk i vinte nga tensioni nervoz por nga kapilarët më të thellë të shpirtit, Dritëroi më zgjati dorën dhe e dëgjova të thoshte:
“Jo, jo. Zijai ka të drejtë.”
Në majë të gjuhës më vjen tashti diçka. Por po përmbahem, për të thënë një tjetër. Esenë “I gjallë mes shpirtrash të vdekur” (Koha Jonë, 14 tetor, 2017), botuar në postum të Dritëroit, e kam mbyllur me këto radhë: “Mik i dashtun, na ndodh t’i shohim me sy djemtë e rinj, që në trupin e tyre shkruajnë me bojë gjithfarë shenjash.
Por vjen një moshë, ajo e bilancit, kur gjaku i zemrës i shkruan vetë shenjat e saj. E po ta them pra, e kam aty tatuazhin e pashlyeshëm për ty.”
2
Një ditë, mbasi kisha pësuar humbje të pakthyeshme në kompjuter, nisa ecejaket nëpër dhomë gjithë substrat hidhësie. Befas, u ndala para raftit të librave. Në gjendjen siç isha, për të gjetur njëfarë ngushëllimi, kërkova të harrohesha me ndonjë libër të sigurt.
Zgjodha një nga kryeveprat e letërsisë botërore, pikërisht “Pallatin e Ëndrrave”. Për çudi, gjatë rileximit po ndihesha tepër luçid, çka ma shtonte sensin e depërtimit dhe të vetinterpretimit.
E solli rasti që mbas do kohe u ftova për kafe. Nuk ishte mëngjes, por muzg. As nuk ishim në Kafe Rostand, por në oborrin e “Pjacës”. Kadareja, Helena, unë dhe Bujar Hudhri, botuesi i “Onufrit”.
Ra fjala e tregova për humbjen që kisha pësuar, rileximin e “Pallatit”, si dhe… Kam dëgjuar kolegë që thonë se “me Ismailin nuk mund të bisedohet”. Nuk po ndalem as te ndrydhjet e ndokujt, as te hasretet e forta si të xhenemit, as te xhindët e Kadaresë.
Pse? Ngaqë përvojën e kam ndryshe, çka nuk do të thotë se po tipizoj marrëdhëniet e kurrkujt. Unë jam mësuar që, nëse kam qenë kundër për diçka, ia kam thënë gjithmonë hapur, sy më sy, madje ka ndodhur edhe me dëshmitarë.
Aq sa ndonjëherë miqtë e pranishëm më kanë rënë lehtë me gju nën tavolinë, si për të më tërhequr vëmendjen, kujdes, ç’po thua?! Për shembull, në sallën e Lidhjes me dëshmitar Ndoc Gjetjën, në shtëpinë e Ismailit me dëshmitar Visar Zhitin.
Veçse mos nxitoni, zotërinj, parimi im është duke u dashur, duke u dashur edhe kur mendojmë ndryshe! Isamilin e kam lexuar herët dhe jam shprehur qysh herët për krijimtarinë e tij.
Po kujtoj vetëm një rast. Njëherë, duke synuar të shpjegoja çelësin se si duhet lexuar vepra e Kadaresë, në një ese bëja referime me autorë perëndimorë, që atëherë mallkoheshin me të madhe te ne.
Në shkrimin e botuar në MAPO (21 shkurt 2015), Arben Kallamata e sjell kështu jehonën e asaj eseje: “Duhet të ketë qenë në vitin 1987 ajo paradite kur, për herë të parë, më ra në dorë romani “1984” i Orëell-it… Unë kujtoja se në redaksinë e atëhershme të “Dritës” vetëm unë dhe Rudolfi (Marku) e kishim lexuar Orëell-in. Por ja ku na del kryeredaktori, Zija Çela, që me një guxim prej të marri ia vesh drejt e në faqet e gazetës, duke krahasuar veprën e Kadaresë me atë të Orëell-it dhe të Prustit.
Madje, për herë të parë publikisht në Shqipëri, Çela kishte shprehur edhe opinionin se Kadareja do të ishte i nderuar me Çmimin Nobel, po aq sa Nobeli me Kadarenë. Më rëndshëm nuk kishte si t’ua “këpuste” atyre kuteve të rrepta zyrtare.
Reagimi ishte i menjëhershëm dhe mjaft i fortë…” Pa gjëma, e hodha me një Vërejtje me paralajmërim për përjashtim nga puna. Mirëpo njeriu i shkretë regjet me kohë. Unë do të merrja nja tri-katër herë vërejtje të tilla, të cilat, nëse nuk përsëritej “proçka” brenda gjashtë muajve, të hiqeshin nga… Nga hiqeshin? Se ku dreqin shënoheshin dhe nga djallin hiqeshin nuk e di.
Por le të kthehemi te “Pjaca” kur i ftuar për kafe, rrëfeva humbjen në kompjuter, nevojën për të dalë nga gjendja e mërzisë dhe tërheqjen nga rafti të “Pallatit të Ëndrrave”.
Mirëpo unë nuk mund t’i shmangesha atij luçiditetit të çuditshëm gjatë leximit, sidomos sensit të depërtimit dhe vetinterpretimit. Kujdes, m’u bë siku po dëgjoja zërin e ndonjë miku, çfarë po matesh të thuash, ti vetë sapo e cilësove kryevepër dhe si kryevepër pranohet gjerësisht!
Megjithatë, iu drejtova Ismailit:
“Për mendimin tim, romani nuk duhet të këputet ashtu, pra të përfundojë në shtëpinë e Qypërlinjve. Ai ka nevojë për një pjesë më vete, vazhduese, pavarësisht se sa rreshta mund të jetë, mjaft që në mëngjes nëpunësi të kthehet sërish në institucionin e tij shtetëror, në Pallatin e Ëndrrave. Ky roman kaq polivalent dhe me fund krejt të hapur, do të më dukej me vend sikur nga ana kompozicionale të ishte i mbyllur, dhe të mbyllej tamam në pikën nga është nisur rrethi…”
Pas pak, Ismaili nxori një copë letër dhe diç po shënonte. Pastaj u ngrit dhe nisi të bënte vajtje-ardhje ndanë tavolinës.
“E di çfarë po bluan?”, tha Bujari. “Po bluan atë propozimin tënd.”
Helena buzëqeshte. Edhe unë buzëqeshja, ngaqë edhe më vinte, edhe nuk më vinte ta besoja.
Në bibliotekën e shtëpisë e kam gjithë kompletin e Veprave të Ismailit. Madje për romanin “Darka e gabuar” kam aty edhe parathënien. Por “Pallatin” s’e kam shfletuar më asnjëhërë. Nuk di pse, nuk dua ta shoh fundin, megjithëse ndokush thotë sikur ka shtuar diçka… Por kjo nuk është e rëndësishme, në superkrijimtarinë e përbotshme ka disa ëndrra të mistershme, që patjetër do të prisheshin, po të mos mbesin ëndrra.
Prandaj rëndësi ka pohimi, ai pohimi që tashmë më ka ardhur në majë të gjuhës dhe nuk ka përse ta mbaj ende, përderisa u bë nxitje për këto rrëfime.
Shkrimtarët e mëdhenj nuk kanë vetëm gojë, as vetëm huj, inate shafitëse dhe zemërata të hatashme. Shkrimtarët e mëdhenj kanë edhe veshë.
Veçse, sipas një legjende të vjetër urbane, thonë se hapësira e lirisë së dialogut varet nga tjetri përballë dhe nga ç’zemër u flitet.