24 Tetor, 2019 - 9:20 am
Nga Edison Ypi
Sa ende akullnajat nuk janë shkrirë, pyjet nuk janë sharruar, ka njerëz që u mbushen sytë me lot, yjtë ndriçojnë, dielli ngroh, hëna frymëzon – dua.
Dua sa s’thuhet, sa s’shkruhet, sa s’numurohet.
Dua të dua.
Dua të mos pres të dua.
Dua të ngutem të dua.
Dua shqiptarët të kthehen me diturinë e bukurinë e botës mbi shpinë duke rrëmbyer tragetet e shpresës, lirisë e dashurisë, dhimbjes, rënkimit, mallit.
Dua që shqiptarët ta mësojnë se kanë edhe ata me se të mburren, se e kanë historinë e tyre, qytetërimin e tyre, artin e tyre.
Dua që shqiptarët të mos presin hënën e plotë në muzg t’ua ndërrojë ajo qeverinë, por ta ndërrojnë vetë sa herë të duan.
Dua që shqiptarët të rrëqethen para asaj të krisurës së vogël prej nga shpërthen ai zjarri i madh prej nga del urtësia që zbut, nënshtrimi që fisnikëron, malli që s’vdes, që e bëjnë universin sa kaotik dhe misterioz, po aq të rregullt dhe të qëndrueshëm, dhe jetën e mbështjellin me atë eterin e padukshëm që e bën jetën sa të tmerrëshme aq dhe të dashur.
Dua të gjithë shqiptarët ta kenë atë talentin e rrallë që të bën të dish të plakesh duke mbetur gjithmonë fëmijë.
Dua që të gjithë ta dinë se dashuria është si numri “¶”, natyral, irracional, mistik dhe shumë i rëndësishëm.
Dua të gjithë të dinë se të dashurosh nuk do të thotë të gjesh njeriun e përsosur, por të mësosh të shohësh përsosmërisht njeriun e papërsosur.
Dua që shqiptarët ta kuptojnë mirë e të mos harrojnë kurrë se: “Në këtë Botë, uria për Dashuri është shumë më e madhe dhe më e vyeshme se uria për bukë”.
Dua që për Shqipërinë “më mirë të qaj unë për të, se sa ajo për mua”.
Dua ata që më duan dhe i dua. Por dua më tepër ata që nuk më duan.
Dua që të gjithë shqiptarët; Të jetojnë duke u mahnitur, të mos munden kurrë dot, të vështrojnë pa u tronditur, të dashurojnë pa derdhur lot. /KultPlus.com