28 Mars, 2020 - 1:58 pm
Nga Juliana Londoño
Përktheu Arbër Selmani
Dua ta vras frikën se do të më thyejnë, se do të shprishem, se do të më copëtojnë. Dhe, në fakt, të shqyhem brenda, sikur të mos ekzistonte ndonjë mënyrë tjetër për të mbijetuar e ringjallur, sikur të bëhej fjalë për vetëm një rrugë dhe një fat unik.
Të ndjej që ditët peshojnë, që dhimbja është diçka që lejohet, që lotët e mi mbajnë mbi vete rërën e krejt deteve, që sytë e mi nuk mbyllen veç natën dhe që dhoma ime nuk është më hapësira ku kërkoj qetësi.
Të ndjej sikur diçka vjen e më godet pa pyetur, dhe më pas, të ndjej se nuk kam ndjerë asgjë. Të shoh në pasqyrë çdo varrë të dashurive të mia, ti përkëdhel ato, të shoh se asnjëra nuk dhemb por secila është e mërzitshme. Dua ti bëj copa copa secilën, dua ta vë një lëkurë të re dhe ta çmoj dritën që ajo përçon. Ta rris zërin e “Rasguna las piedras” nga Sui Generis, që nostalgjia t`më bëhet shoqe e protagonist, e më pas të dëgjoj një nga ato këngë që tregon se si melankolia nënkupton ngjyrë të hareshme.
Dhe dua të qaj, sepse nuk duhet të kesh arsye për të qarë. Sepse as nuk duhet buzëqeshur gjithmonë. Sepse ka kohë që lotët nuk dalin dhe është e ndaluar të harrosh të qash. Dua të qaj për secilën herë që nuk kam qarë, e nuk më kanë obliguar. Ta çliroj tërë dhimbjen si ujë i pastër, që të largohet pa e ndalë askush. Dua ta shikoj veten në reflektimin e pasqyrës, ta pyes veten pse po qaj e të mos kem arsye. As edhe një të vetme. Dua të filloj të buzëqesh, dhe ngadalë dua gjithçka të jetë me zë të lartë.
Dua të rrotullohem në shtrat, me gojën e hapur, me sytë e hapur, ta dëgjoj secilën zhurmë të sirenave. Të mendoj se nuk di ta dalloj policinë nga ndihma e shpejtë dhe të mendoj se cila është më pak e tmerrshme. Dua të mendoj se po e humbas kohën, se të mendosh kaq shumë banalitete është e dëmshme për suksesin tim, një orë pasi kam këtë pozicion të trupit e mendjes. Ka kohë për gjithcka, se ndjenja e fajit i takon veç vrasësve, se është mirë që jam kësisoj, duke mbledhur mendime të padobishme.
Dua të zgjohem në këtë pozicion. Të vërej që kam fjetur, që nuk kam harxhuar kohë por kam humbur kohë. Të ndalem si një pranverë, ta bëj një listë të “gjëra të rëndësishme për ta ndryshuar ritmin e jetës sime”, ti kem zili ata që janë atje ku doja të isha unë – ta largoj këtë ndjenjë, sepse kështu më kanë edukuar qysh fëmijë.
Dhe në fund i bie që është mirë të kesh ndjenja sepse njeriu duhet të ketë ndjenja, sepse duhet të ndjesh, sepse kam ndjerë. Por gjithashtu, e tëra që është e keqe të ndjehet, e kam ndjerë. Sepse rezulton e thjeshtë, njeriu është mjaftueshëm njeri, shumë e kundërshtimeve. / KultPlus.com