7 Janar, 2020 - 8:57 pm
Poeti i ri nga Peja, Donart Rexhbogaj, ka botuar këto ditë, librin e dytë poetik, me titull “Eolia”.
Shkruan: Preng Maca
(Mendime rreth librit poetik “EOLIA”, të poetit, Donart Rexhbogaj)
E lexova me vëmendje librin e Donart Rexhbogajt, jo vetëm se e pata në dorë këtë libër, por sepse poezia e tij prej kohësh ka trokitur ndryshe në vëmendjen time. Poezia e shkruar dhe e sistemuar në një libër, ma përforcoi edhe njëherë mendimin, se poezia e vërtetë është gjithnjë elitare, e ndërkaq poetët janë si të gjithë njerëzit e kësaj bote, pos kësaj, të shënuar nga Zoti ta imitojnë ATË, duke e rikrijuar botën prej fjalësh, si një ndjesi, si një shenjë, si një pasqyrim, si një përjetim, si një qëndrim, si një estetikë, si një muzikë, si një dhimbje, si një forcë, si një mençuri…
Ata (poetët), janë të përkohshëm, ndërsa mbetën të përjetshëm pikërisht me shenjën e veçantë që e lënë si një testament, shenjë kjo e pavdeksisë së tyre të vërtetë.
Përpara leximit të këtij libri kisha në dorë Paul Calan, një “dhuratë” e mrekullueshme prej poetit Agron Tufa, përkthyer me një mjeshtri e dashuri të dallueshme, një Celan që flet shqip… Diku i lexova vargjet e poshtëshënuara dhe me mbetën në mendje;
“Fjala – a e di:
është një kufomë.
Ejani ta lajmë,
ejani ta krehim
ejani t’i kthejmë,
sytë e saj nga qielli”
Ndërsa lexoja librin poetik të Donart Rexhbogajt, kjo poezi e Celan m’u zgjua papritur në mendje, aq herë sa e rilexova këtë libër. Poeti Rexhbogaj, e kishte kthyer fjalën e bukur shqipe me fytyrë nga qielli.
Një poezi e shkëlqyer, e dorës së parë, ku rri aq hijshëm ndjeshmëria, mendimi, stili origjinal, gjuha, teknika e të shkruarit me ato shenja aq origjinale, falë të cilave kush e lexon e kërkon poezinë e këtij poeti të veçantë, si një “mjet” që të çon në një botë që shkëlqen e vibron.
Duke “pluguar” poezinë më të bukur të traditës, shfaqet aq modern, i kursyer në sasi, dhe bujar në cilësi. Fjala e figurshme shfaqet tek lexuesi në mënyrë të pashlyeshme, ndërsa metafora e shpërfaq brenda vargjeve kulturën, dijen, guximin, njeriun me dhimbjet dhe vikamën e ngritur mjeshtërisht, me një regjistër poetik krejt të ri.
Libri është i strukturuar në katër cikle.
Rrjedh, dhe të bën t’i rikthehesh për të vjelë, atë që përmban jo vetëm në gjërësinë e vet, por për të shijuar thellësinë, nivelin më të lartë poetik e emocional, i cili haset kudo në faqet e këtij libri.
I lexuar, sipas meje ciklet i mendova kështu;
( I kërkoj falje autorit për sinqeritetin, por ta lexojë si shenjë dashurie për poezinë e tij!);
“Katër fjalë t’çame n’mes”
(Dimri… kështu e përjetova unë)
“Fëmijë i shiut”
(Pranvera… siç e ndjeva)
“N’andrrinë”
(Vera… sipas meje)
“Moti m’asht vra”
(Vjeshta…pjekuri dhe dhimbje)
Poezitë e ciklit të parë, kanë një dialog të çuditshëm. Kufiri mes atyre që janë dhe atyre që nuk janë më, tashmë është i fshirë. Është dashuria dhe malli ajo që e bën të mundur dialogun;
“A ke gjumë n’at terrinë t’dheut Ernë
A t’mërdhijnë ato t’njomat duer…”
Dialogu ka diçka të largët nga eposi.
Biseda është e lirshme, ndërsa kufijtë janë të fshirë tashmë. Ndjen dhimbje dhe nuk mundesh ta kalosh lehtë. Ne thuajse jemi të përbërë prej plagësh, rruga nga e cila kaloi e tashmja është krejt dhimbje e atyre që mbetën si shenja prej nga erdhi liria.
“…Pranvera asht stina jote…”, shkruan poeti;
“…Hajde oj Ernë pashë moshën tande
Se nana veç nji pranverë ka”
Nuk flet nana, por poeti e fut në skenën e poezisë, në lutjen e saj, këndon dashuria e madhe për ta pasur sërish vajzën, bijën, “ikur” nëpër luftën jetëgllabruese, ndërsa zbulohet se mungesa e Ernës, ka vendosë një dimër në zemrën e nanës, por jo vetëm asaj.
Tek poezia “Marazi i erës”, tani pikturohet shtëpia ku tashma pushon Ernë. Janë përdorur fjalë tipike që tregojnë raportin e të gjallëve me ata që ikin. Kursyer në fjalë dhe me një gjuhë të figurshme, hapet dhe mbyllet “dritarja” e kësaj poezie.
Tek poezia “Çohu”, tonet rriten. Kërkohet që ajo të dëgjojë, është kërkesë ngritja e saj, ”harrohet“ kufiri i madh i vendosur tashmë, ka një shpresë prej nga mendohet se ende ka një mënyrë me udhëtue…
“…Me t’prek nuk mundem
Me t’lëshu nuk guxoj…”
Këto vargje kanë një tension të madh. Nuk mund të jetohet pa të kaluarën, pa mungesën, pa kujtimin e saj;
“…Udhë e udhë ke
Me ardhë e me shku…”
Dera mbetet e hapur, nuk ka lamtumirë, dialogu vazhdon, dhe asnjë pengesë tashmë s’ka. Bie në sy veçanërisht mënyra e trajtimit të poezisë. Aty janë të gjitha, poeti nana, Ernë që mungon, një mungesë e spërkatur, me një elegji ku fryma e eposit të veriut bën një dritë, prej së cilës gjithçka është mëse normale, e mundshme.
Tek cikli, “Fëmijë i shiut”, poeti hyn tek vetja, shpjegon veten, të shënuarin e tij, raportet thuajse jashtë njerëzore, të një fati të para thënë.
Tek poezia “Fëmijë i shiut”, gjendemi në historinë e sajuar poetikisht. Gjithë poetët e vërtetë kanë pjesë në atë poezi, ose ma mirë me thënë, janë nga pak të skicuar në këtë poezi.
“…Asht fëmijë i shiut, i patën thanë
Je gëzue para vaktit…”
Këtë poezi e ndjeva, se m’u shkrua në mendje, që herën e parë kur e lexova. Këtë cilësi e ka poezia e Donart Rexhbogajt.
Kisha me e veçue një poezi kredo të poetit. Ajo ndoshta ka për t’i bërë të skuqen ata që e mbushin emrin e tyre me libra të pafund.
N’GERMË
“Me u nisë
N’varg
Dikund duhet me vdekë
Shkrumb m’u ba n’germa
E letrën mos me e mbaru
Deri kur germa
T’bahet
Frymë e fjalë!”
Do të mjaftonte kjo poezi për ta kuptuar çfarë është poezia për Rexhbogajn;
“Due me t’përngja
Sall me t’shikju
Po përditshmënia
Ma sos qejfin,
Me njoftë të pambërritshmen…”
Janë vargjet në poezinë me titull “Me t’përngja”. Së pari ka karakter filozofik. Poetët gjithnjë synojnë të pamundurën. Elegancë dhe kumt, vargje të menduara e të shkruara me një stil të dallueshëm, një gjuhë ku bën dritë një gegnishte e kujdesshme, një fonetikë poetike e cila e vendos emrin e autorit në një gjeografi poetësh tashmë.
Pas ciklit poetik “Fëmijë i shiut”, pason cikli tjetër; “N’andrrinë”.
Stili është i njëjtë për ai vështron në një kënd tjetër botën, mbushur me shumë imagjinatë e mendim, me konstrukte të çuditshme, zbuluar magjishëm e me finesë.
“Sofrën leje shtruem”, një poezi që më ndaloi si një kangë, që e kthejmë shiritin për ta shijuar dy tre, herë. Më bëri për vete për intensitetin e të shkruarit, atë botë të “fshehur” brenda gjërave të përditshme, prej nga marrin rrugë një nga krijimet më të spikaturat të librit. Aty është Atdheu, krejt ajo gjendje e re, marrëdhënia e rrezikuar nga lufta për të jetuar larg Atdheut, duke e mbajtur atë në mendje e zemër, ndërsa vetë nana, kisha me thanë se është marrëdhënie ma shënuese për Atdheun;
“…Kam me u dukë
Po s’kam me u pa
Nanë!
Sofrën leje shtruem…”
Natyrisht se dashuria nuk ndodhë të dallohet, ndaj dhe biri nuk shihet por ndodhë gjithnjë që është aty, në shtëpi, në Atdhe. Largësia nuk pengon asnjë me e gëzue dashninë, nanën e cila sheh andrra me “Fëmijën e shiut”. Ta shkruash jetën e zakonshme në mënyrë të jashtzakonshme. Ky është një leksion mjaft cilësor i poezisë së këtij libri me aq pak fletë dhe aq shumë botë. Natyrisht gjërat e menduara janë kualitet intelektual, sepse arti i vërtetë përcaktohet nga cilësia e tij së pari.
“…E unë rrëfehesha
Për mëkatin që s’e kam ba…”
Diku tjetër i lexova këto vargje në një poezi në vazhdim. U ndjeva i strukur brenda tyre, pak i trishtuar, por kjo “çati” poetike e Rexhbogajt më shpëtoi për momentin nga trishtimi i botës dhe i jetës plot shpresa e zhgënjime.
Pastaj pak vargje, nga një poezi tjetër mjaft mbresëlënëse, shkak për ta lexuar dy tre herë, për të qenë në lëkurën e poetit. Nga poezia “Rruzullim shatzanë”;
“…Trajtë kam lëshu
N’kët tokë,
Si pëlhurë n’vek endem shpirtit
Dera më pagëzon
Si hiç i së nesërmes…”
Rrallë më ndodhë të lexoj cilësi poetike e filozofike kësisoj. Në landën e shkruar “fshihet” kultura e dija e Rexhbogajt. E kam parandjerë librin e tij poetik. I sigurt se ai ka me na “godit” me një libër si ky që kam në dorë. Natyrisht në kapakët e këtij libri gjeta emrin e Xhevdet Bajrajt, dhe nuk u surprizova aspak. Syrit të kujdesshëm të Bajrajt nuk i ka shpëtuar poezia e Rexhbogajt. Është me fat poeti në emrin e një kumbari si Xhevdet Bajraj, por dhe Bajraj mendoj se është gëzuar me zbulimn e një visi poetik, ku “banon” autori i këtij libri. Është fundviti dhe në këtë çast sapo ka hyrë viti i ri 2020.
Libri i Rexhbogajt është një libër i ri, një mënyrë e re e të shkruarit të poezisë. Ai vendos lart stekën, duke e bërë atë të pakalueshëm për mediokritetin poetik, kësisoj jep një kontribut në rritjen e cilësisë së poezisë;
MOMENTI
“Momenti asht ndjesi
E pamarrun vesh,
Pritje e çoroditun…
Momenti
Asht tutë!
Mashtrim i kohës
Që s’vjen kurrë!
Momenti
S’ban rrugë!
Asht veç nji andërr e keqe
Që e kam besu!”
Nuk munda me e nda këtë poezi. Ajo nuk mundi me ndejt e pjesshme. Nuk e marr vesh se ku fillon, e ku mbaron. Ajo ka lind dhe nuk mund ta prekësh. Një bravo për poetin!
Mes të tjerave kisha me dallue poezinë “Gryka”.
Gjetje befasuese, metafora elegante, strukturë krejt veçanti. Detyra e këtij shkrimi është njësoj mirënjohje për këtë libër që lexova këtij fundviti, e viti i ri më zuni me këtë libër në dorë. E marr si ugur të mirë për vete dhe për lexuesit që e patën këtë fat.
Do të jetë një vit poezie!
GRYKA
“Grykë
Asht ajo grykë
Që t’merr
Ngryk
Ba me dashtë
Të grykon,
Ba me dashtë
Të hudh e s’të lëshon
Ba me dashtë
Të zanon,
Vorrin ta len
Emnin s’ta gdhend
Gryka
Që asht grykë
T’bahet gjamë,
Gurin
Ta ban jastëk
E vet bahet
Gur!”
Përmbyllës vjen cikli i fundit i librit, “Moti m’asht vra”. Këtë cikël e sundon lirika e një dashnije plot dritë, pezm, lutje, shpresë, drita që na bën të mos e mendojmë vdekjen e të shpresojmë gjithnjë në dashninë, si një stacion drejt të cilit përsoset njeriu.
Ndërsa isha duke lexuar poezitë e këtij cikli, nuk e di pse m’u kujtuan vargjet aq të bukura nga De Rada :
“…Çdo ditë malli për ty bëhet më i thellë
Kur nuk të shoh ty nuk jam ma i kthjellët…”
Poezitë e këtij cikli kanë një qasje ndryshe ndaj dashnisë, dhimbjes, sjellë prej saj, gjurmët e lëna tek njeriu, gjurmë të cilat bien aq lehtë e të pashlyeshmne njëkohshëm nëpër vargje.
Poeti hap derën e asaj që quhet intime, personales së tij, të një përjetimi aq të besueshëm, na beson çelsat e një shtëpie poetike, ku shkruhen vargje të përdiellta dashnije. Vargje nga poezia;
“T’lus t’më kjash”
“…Hajde pa ba za
E njehi mirë
Ditët e djehme pa ty!
Njaty janë
T’palueme në qivurin bri meje
E masnej
T’lus t’më kjash!”
Është këtu lutja, një përpjekje tashmë për ta shëruar plagën e cila dhemb nga ndarja. Nuk bëhet fjalë për rikthim, por ajo çfarë ka shkëlqyer dikur është sërish në kujtesë dhe lutja për të dashurën se ai do të jetë gjithnjë në të njëjtin vend duke e menduar gjithnjë atë çfarë humbet mes njerëzve që duhen. Çfarë do të ndodhë më pas? Asnjeri nuk di më tepër se autori, falë të cilit përftojmë këtë poezi të rallë për nga drita që lëshon ajo tek lexuesi, falë së cilës gjithkush shkon e falet në “kishën” e vet.
“Me vdekë para teje”, është tjetër poezi. Ai që dashuron don me vdekë para saj, sepse nuk mundet me e durue ndryshe. Dashnija këtu ka një vetmohim, tregues i një thellësie e ndjeshmërie hasur në jetë mes njerëzve që duhen. Poezia është shkruar me trevargësh por brenda saj është njësoj gjendja dhe forma, mbi të gjitha gjuha aq e pasur , aq e pastër njëkohësisht. E ka qëruar fjalën e cila vazhdimisht është një pengesë për të thënë atë që ndjen, por Rexhbogaj e sfidon këtë mendim për gjuhën me mënyrën se si e trajton atë(gjuhën), si një shenjë shprehje që transmeton pa humbë ndjenjën dhe mendimin..
“… Ti kurrë s’ke me dëgju zanin tem
Atë t’egrin, fëminorin, t’padëgjueshmin
Sepse gjithmonë kam me u ba fjal jote…”
Në poezinë tjetër gjithë çfarë ndodhë është një rikthim në kujtesë. Nuk ka shpresë aspak por dhimbja akoma zotëron, aty mbetën gjumët e një ngjarje ku humbin njerëzit për njëmijë arsye, por nuk ndjehet mëri. Bëhet një apel i lehtë vlerash e përkujtimesh.
“…E tue t’pa
Kam harru
Si duket pritja…”
Pastaj ngjarja tjetër është ndryshe. Ka shumë dashuri, distanca është shterruese, askush nuk do të gjendet larg, gjithsekush e dëshiron afeksionin e dashnisë. Pak vargje nga poezia“Me ikë”;
“…M’duket shumë!
Me ikë
Po si me ikë
Hapave tu
Që m’shkelin përditë!”
Nuk ka rrugë tjejtër përveçse me qenë me atë (Të dashurën).
Të gjitha rrugët të çojnë tek dashnija. Poezi si një arritje e emocionit dhe e përçueshmërisë, prej një mjeshtrie të spikatur.
Tani një poezi tjetër nga ato që nuk mund të lashë pa e sjellë në këto pak rreshta për poezinë e Rexhbogajt. Titulli është kuptimplotë por dhe vetë poezia njësoj. Vlerat e poezisë janë tek qartësia niveli i transmetimit emocional, narracioni, mbi të gjitha leksiku i zgjedhur e figurat letrare në faqet e librit. Poezia titullohet “Larg me t’pa”;
“Buzë perëndimit
Larg me t’pa
Afër me t’u afru
Kur du me t’dashtë
Më përhumbesh para syve
Kur du me ardhë
Të rrëmbejnë retë
Tue praru ti m’djeg ma shumë…”
Mundohem vetëm me e cik këtë libër, sepse po të ishte për mue të gjitha poezitë kanë zjarrin e vërtetë të poezisë me vlerë. Metafora e poezisë së Rexhbogajt është aty, për ta prekur e në këtë prekje gjithkush zgjohet më i mençur, më i pasur. Një libër si ky do të mbetet aty në skaj të librave të zgjedhur duke ma ba me sy ta lexoj sërish, sepse poezia e Rexhbogajt sa herë e lexon lëshon një dritë të re , ndriçuese për jetën e njeriut.
Do të mundohem të bëj të njohura edhe dy vargje, tunduese për nga mesazhi, nga vërtetësia, nga ndjeshmëria, lakonizmi, nga të gjitha ato që përbëjnë poezinë moderne e të lashtë, ndërsa e bëjnë atë (poezinë), të pakonkurueshme prej asnjë shpikje moderne të teknologjisë, e cila vrapon sikur do të fshijë gjithçka të shkruar në fletë. Por njeriu mbetet gjithnjë një soj qenie më perfekte në këtë botë, qenia më rrezatuese. Dy vargje nga poezia “Fundi:;
“…O Zjarre kanë me ardhë
E na s’kem me kenë aty…”
Udha e mbarë poezia e Donart Rexhbogaj! Jam i bindur se ata që e duan poezinë do të gjejnë tek libri juaj poezinë në nivelin më të lartë, si një dashuri që nuk shterr kurrë, si një apel për ngritjen e nivelit poetik e të “kursimit” të letrës. O duhen shkruar habi poetike si tuajat ose duhet të kënaqemi si lexues, nëse nuk mund të shkruajmë poezinë që duhet.
Isha i lumtur që e pata librin tuaj. E mbaj aty në tavolinë e herë pas here e lexoj. Libri juaj më ngjall të njëjtin efekt, siç ndodhë me një muzikë të bukur që pasi e dëgjojmë, e kthejmë sërish për ta shijuar sërish e sërish. Gjithnjë vargjet tuaja lëshojnë dritën që përmban në vetvete poezia moderne. Me këmbët e mbështetura tek tradita e klasikja , për së tepërmi është një shembull se gjuha shqipe është e mundur të ketë një regjistër të nivelit të lartë perceptimi e shprehjesh.
Më ngjan se ju kam lexuar tash njëqint vjet!
Preng MACA
Tiranë, 1 janar 2020