8 Mars, 2020 - 12:02 pm
Për nder të festës së gruas, ka reaguar edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlor Dumoshi.
Më poshtë KultPlus ju sjell reagimin e saj të plotë:
‘Shumëkush nuk na ka besuar. Disa edhe na kanë fyer e përçmuar pse kërkesat tona për barazi e të drejta që i meritojmë kanë qenë të zëshme. Ne nuk u dorëzuam. Sot jemi më të forta se kurrë.
Sot jemi bashkë; më askush nuk mund të na shkelë të drejtat apo të na fyej dinjitetin tonë prej gruaje.
Nuk ka qenë e lehtë për asnjërën prej nesh t’i thyejmë pengesat që jeta na i ka sjellë.
Ata që është dashur të na përkrahin e mbrojnë shpesh herë na kanë tradhtuar e lënë vetëm. Por ne nuk jemi ndalë.
Unë nuk jam ndalë.
Sepse kam besuar në dinjitetin tim; vlerat e mia nuk janë plaçkë që varen nga dikush. Ato më takojnë mua t’i mbroj e promovoj.
Secila prej nesh kemi një këngë që kemi nisur dhe e cila ende nuk ka përfunduar. Aty ka nota gëzimi, trishtimi e vetmie por ajo kurrë nuk do të përfundoj e shtypur, e thyer dhe e mundur. Kënga jonë do të jetë forcë e motiv për gratë tjera që mos ta ndalin kurrë betejën.’ / KultPlus.com