17 Maj, 2019 - 6:25 pm
Naime Beqiraj (Poete)
Prej që të kam njohur (kur të kam njohur unë kam qenë poete shumë e re, ti emër i njohur i letërsisë), gjithmonë e kam pas çmuar qetësinë tënde. Kemi ndejt herë pas herë.
Nganjëherë habitesha se si kjo grua kaq e qetë, dikur si vajzë e re, si studente e mjeksisë, si gazetare e Rilindjes, ka qenë nga të vetmet shqiptare që ngiste motorin. Rebele, thojshin poetët e njohur, miqtë tonë të përbashkët. Zonjësi për ta patur lakmi, shiheshin herë herë në orë letrare e gjithmonë me përzemërsi të ndërsjellë. Nuk kemi folur për poezinë pothuaj asnjëherë, ndoshta temat për Kosovën të dukeshin më të rëndësishme. Nuk insistoja ndryshe.
Asnjëherë nuk kemi folur për politikë. Ti e dije qëndrimin tim, ndaj nuk më ke kërkuar votë. Na mjaftonte ajo njohja e moçme. Para pak vitesh, kur u alivanose në kuvend pas hedhjes së gazit lotsjellës, erdhëm në banesën tënde me miken tonë Flutura Açka. U gëzove. Na ndale të rrinim më gjatë atë pasdite plot shi. Nuk ta prishëm. E hodhe idenë të mos kandidosh më për politikë, por jo vendosmërisht. Nuk e di a e kërkove mendimin tonë. Flutura nuk ta prishi, unë të kurseva, por herën tjetër kur u takuam të thashë: “Nëse kërkon mendimin tim, mos kandido. Ke me çka të merresh. E ke lëruar gjatë të qenët deputete”. Të propozova t’i ktheheshe të qenët humaniste, aty je më e madhe, më e rëndësishme, më me peshë.
Flora, kjo shoqëri, ky komunitet i Kosovës të ka dashur gjithmonë. E re ke hyrë në letrat shqipe me librin “Verma emin tim” kur i kishe vetëm 23 vjet. Ke hyrë në pothuaj secilën antologji, je prezentuar dhe e ke përfaqësuar poezinë shqipe në shumë vende të botës. Ishin vite kur kishim pak poete aq sa mezi numëroheshin me gishtat e një dore. Poetët tonë mendjendritur, njerëzit e kulturës donin me çdo kusht të shpërfaqnin brenda e jashtë artin e femrave, nganjëherë pa e thelluar cilësinë.
Të kemi dasht shumë Flora. Kemi qajtur për ty sa ishe në burg. Në secilën protestë kam marrë pjesë. Ke qenë zëri i grilave në vitet e pasluftës në Kosovë. Ke qenë simbol, aq simbol sa kishte njerëz që nuk shihnin të burgosur të tjerë. Ishe si të thuash heroinë. Aq e rëndësishme pas luftës, edhe duke qenë në burg, fitove aq vota nga poetët nga Lidhja e Shkrimtarëve sa të hysh në kryesi duke qenë në burg. E kujtoj një mbledhje të këtij asociacioni ku aderonin edhe shkrimtarë të mirë atëherë, kur dikush kërkoi të bënim protestë si shkrimtarë për lirimin e Flora Brovinës. Isha më e reja në kryesi por kërkova të merrja fjalën. “Protestë edhe për poetin Halil Matoshi“. Disa më shikuan me habi. “Po për Halilin, ai është kolegu ynë, është edhe poet, bile poet i mirë”. Aq ishin të fokusuar njerëzit pas teje sa harronin që në burg ishte edhe një poet i shkëlqyer Halil Matoshi. Madje edhe poetët pothuaj kishin harruar.
Flora, dikur e deri tash ta kam vlerësuar qetësinë. Ajo qetësi, më nuk të bën nder. Fol, tregoje të vërtetën. E vërteta dhemb por edhe fisnikëron. Godit të keqen Flora. Ke qenë e guximshme të vitet e egra të pushtimit. E ke moshën dhe të kaluarën e guximshme për ta thënë të vërtetën. Mos na e le faqen e zezë para botës!/KultPlus.com