21 Korrik, 2018 - 3:28 pm
Nga Ergys Mertiri
Të përzgjidhesh për këngën hapëse të një botërori, mund të jetë një event me rëndësi për çdo këngëtar, por nuk tregon asgjë mbi vlerat artistike të këngës. Ia kanë arritur kësaj edhe këngëtarë ordinerë si Ricky Martin, Shakira apo Pitbull me Jennifer Lopes dhe as ngre as ul gjë në listë edhe Era Istrefi.
Muzika që ajo përfaqëson është thjesht dhe vetëm komerciale pa asnjë vlerë artistike reale. Ajo ka vetëm efektin që të tërheqë masa të mëdha njerëzish, të pakultivuar me art e kulturë, por asgjë përtej kësaj. Kjo është e kundërta e artit, është konsum, mall tregu, tagji për popullin dhe si e tillë mund ta konsiderojmë si ant-iart, që shkatërron vlerat kulturore të një shoqërie. Kjo lloj muzike është jetëshkurtër. Ajo nuk mbahet mend, vdes që pas konsumimit të parë.
Publiku e harron menjëherë, sapo një hit i ri hidhet në treg. Dekorimi i Era Istrefit nga Presidenti i Kosovës, ashtu siç më parë është dekoruar edhe Rita Ora nga ish-presidentja Jahjaga, është në kuadrin e kompleksit të inferioritetit kulturor që shqiptarët shpërfaqin në mënyrë të frikshme dekadat e fundit. Ky akt është ekspozim i fuqishëm i provincialitetit që na përfaqëson në instancat më të larta drejtuese e kudo.
Ti japësh Era Istrefit medaljen jubilare të 10 vjetorit të pavarësisë do të thotë të kesh ngatërrim zorrësh në tru, do të thotë të degjenerosh vlerat më të thella të një shoqërie që ia doli të çlirohet nga një robëri 100 vjeçare, duke i shkartisur këto me vlerat e një kulture që promovon gjithçka profane si konsumin, vanitetin, mendjelehtësinë, të mosmenduarit, të qenit bosh. Ky lloj pseudoarti është modeli më i keq që mund ti ofrojmë shoqërisë e sidomos të rinjve.
E trishtë të jetosh në një shoqëri ku Era Istrefi merr medalje kombëtare, ndërsa në Kosovë ka artistë brilantë që prodhojnë muzikë të niveleve evropiane. Mund të themi psh. që një kompleks muzikor thuajse i panjohur si Gilespie, u përzgjodh para disa vitesh nga Red Hot Chili Papers mbështetës që do të këndonte në koncertin e tyre në Beograd. Për çdo muzikant serioz, ky propozim do të ishte një vlerësim shumë herë më i madh sesa ngjitja në skenën e një botërori për të englendisur turmat e tifozëve.
E njëjta gjë ndodh rëndom edhe në Shqipëri, ku mediokriteti dhe banaliteti janë kudo më të kërkuar dhe më të vlerësuar. Ndërsa prishet godina e teatrit sheshet e bashkisë ushtojnë nga koncertet e sharabajkave të botës që vijnë e pozojnë si yje që po iu hapin pak sytë edhe shqiptarëve.
Mesazhi që na vjen nga presidenca në Kosovë, siç ndodh rëndom edhe në Shqipëri është i trishtë. Ky shtet nuk interesohet për vlerat, kulturën dhe artin e vërtetë, por vlerëson dhe nderon vetëm çingijet, ndërsa favorizon gjithmonë kopukët, kurvat dhe hajdutët!