‘E tronditur shikoj nga qielli se mos ndoshta aty shoh prapë sytë e tu, babë…’

25 Gusht, 2019 - 4:51 pm

Nga : Dafina Buçinca

Pritje

Ka kohë që, sa herë hapet porta e oborrit të shtëpisë, lëshon një tingull të çuditshëm. Tingull i vjetër, i portës së vjetër, që më ngjan me melodi vajtuese, sikur i dhemb diku. Më duket sikur edhe ajo e vajton humbjen e të zotit të shtëpisë. Sa herë i dëgjoj këta tinguj, shtangem, zemra sikur pushon së rrahuri dhe pres e ngrirë me kokën kthyer andej, mbaj vesh se mos ndoshta je ti, Babë! Për disa sekonda më shfaqesh para syve sikur po vjen drejt meje, burrë shtatlartë, paksa i plotë e i kërrusur nga lodhja e hallet e jetës, me një cigare anash në buzë, flokë ashtu të shprishura, një pallto të vjetër hedhur krahëve, një tufë letrash nën sqetull. Pamja jote hijerëndë e terron oborrin. Fytyra jote e lodhur tregon mungesën e gjumit, punën e vazhdueshme vullnetare, ndërkaq rrudhat, hallet e jetës, qëndrimin e papërkulur. Por, megjithatë, sytë sikur të shkëlqejnë, sepse ti e doje shumë jetën, por nuk kishe fare frikë nga vdekja. Afrohesh edhe më ngatë, ndalesh para meje dhe më vështron. Në  sytë e tu shfaqet trishtimi, sepse ti nuk doje të më lije vetëm. E di… e ndiej që kjo duhej të ishte pamja jote e fundit para se të ikje… Ashtu e mpirë zgjas krahët të të përqafoj…

Ti zhdukesh… humb në hapësirën e pafund të gjithësisë…

E tronditur shikoj përreth, shoh arkivolin tënd që qëndron në mes të oborrit. Për anash kalojnë familjarë, miq, shokë, dashamirë, thuajse të gjithë ata që të njohën e ata që kishin dëgjuar, erdhën për të të dhënë lamtumirën e fundit. Ti, i mbështjellë me flamur. Turma e njerëzve sa vjen e shtohet, disa qajnë, disa mallkojnë luftën, ndërkaq disa të tjerë, në heshtje, me kokën ulur, pëshpëritin ndonjë dua në gjuhën arabe. Gjithë këtë skenë e vështroj pa asnjë ndjenjë në trup. Nuk ndiej as dhimbje, as urrejtje, as dëshirë për shfrime mallkimesh, sepse nuk bindem dot se ti nuk jeton më! Nuk arrij ta bind veten se ata eshtra në arkivol përbënin dikur trupin tënd të madh e të fuqishëm.  

Isha aty ditën që të zhvarrosi vëllai. Nga ajo copë toke, ku të kishin mbuluar me dhé, shpejt e shpejt, nëpër terr e mes plumbash, disa të afërm, në pamundësi që të të varrosnin siç e donte zakoni. Kishin kaluar disa vite e trupi yt tashmë ishte tretur, e kishte ngrënë toka,  krejt çka kishte mbetur nga Ti, ishin një grusht eshtra, tash të renditur në atë arkivol.

Turma e njerëzve sa vjen e shtohet. Oborri u errësua tërësisht nga koka njerëzish, burra të mërzitur, gra me lot në sy e me shami të bardha në koka. ”Na bëfsh hallall, rahmet pastë shpirti yt, ishe burrë i mirë, ishe i pashoq Elmi burri!”, thoshte dikush, një tjetër ”U prehsh në paqe!”, tjetri ”Shkofsh në lula të xhenetit!”. Ishin këto fjalë që dolën nga grupi që erdhi i fundit, derisa silleshin rreth arkivolit. Lutjet e tyre që arrinin deri të veshi im sikur ma pickonin ndërgjegjen, që, për një çast, më qortoi për atë ftohtësi ndaj atyre eshtrave.

Por, truri im punonte ndryshe, vazhdimisht. Në mendje m’u shfaq përpara një pamje tjetër e Babës. M’u duk se e pashë, ishte aty, i veçuar nga turma, me një cigare në gojë, e thithte fort. E shikonte turmën mendueshëm. Një hije e rëndë, e verdhë, i kishte rënë fytyrës së tij të parruar. Fytyra tij nuk shprehte asnjë lloj ndjenje, vetëm vështronte mendueshëm. Ngrita dorën që t’i bëj shenjë, ta vërente se isha aty. Por, dora u pengua nga një grua që atë moment erdhi dhe zuri vend pranë meje.

Porta e oborrit hapet e mbyllet. E mpirë pres hyrjen tënde. Kur lamtumira përfundon, katër burra, në mesin e tyre edhe vëllai, të marrin, të ngritin lart, pastaj ashtu, në atë lartësi, të bartin deri te makina e bardhë, e madhe, e cila do të të përcjellë deri në banesën e fundit. Pas makinës nisemi familjaret dhe disa miq të afërt që, dy nga dy, bartim kurora me lule. Edhe mua më dhanë një të tillë, e mbaj bashkë me motrën e vogël. Në një shirit të kuq shkruan: ”I përjetshëm qoftë kujtimi për ty!”. Turma është e madhe, të gjithë në heshtje, me kokën ulur, ecim nëpër rrugën gjarpërore të Zabelit drejt varrezave. Policia kishte bllokuar rrugën, asnjë makinë nuk kalon, përveç funeralit të gjatë.   

Derisa ecim më duket se dëgjoj dënesën e nënës dhe kthej kokën për të parë. Nuk është nëna, është halla, motra e vetme e Babës, e cila është krejt afër meje, por nuk e kisha vërejtur. Qan akoma nga dhimbja që ndjen për humbjen e vëllait. Duhet te jetë dhimbje e madhe ta humbësh vëllanë, mendoj derisa e shikoj fytyrën e saj të skuqur, sytë po ashtu të skuqur e të ënjtur nga lotët, të cilët i fshin me një shami të vogël të bardhë. Pas pak shoh edhe  nënën, nuk qan, ec e heshtur, por sytë i ka të ënjtur e të skuqur edhe ajo. Po e përcjell njeriun e zemrës për në varr. Tridhjetë vjet të martuar. Nga kjo martesë kishin lindur shumë fëmijë. Bashkë kishin jetuar çaste të lumtura, por më shumë të vështira, bashkë kishin përballuar varfërinë, dhimbjen, frikën, dhunën e terrorin serb. Derisa lufta i ndau përfundimisht. Maji ishte muaji që i bashkoi, por edhe muaji që i ndau. Sytë  e nënës ishin tharë, ishin bërë si dy zgavra të mëdha në fytyrën e saj. Një shtresë e hollë lotësh ishte tharë në ta prej kohësh. Fytyra i ishte zverdhur si dyllë nga dhimbja që mbante brenda. Edhe fjalët i kishte të pakta. Rrinte mendueshëm shumicën e kohës. Në kokë mbante një shami të bardhë, shenjë zije për humbjen e dikujt të afërt e të dashur. Këtë simbol ajo nuk e largoi kurrë më, si shenjë respekti për kujtimin për Babën, por edhe si shenjë zije të përjetshme.

Turma arrin te varri i hapur. Njerëzit shpërndahen rreth tij. Prapë, katër bartësit kapin arkivolin, e nxjerrin nga makina e bardhë, i vendosin litar përfund dhe e lëshojnë ngadalë në gropën e thellë. Gropa më ngjan në humnerë. Lopatat fillojnë të hedhin copa dheu mbi arkivol. Tingujt që lëshon dheu kur ndeshet me arkivolin, më rrëqethin deri në palcë. Një dhimbje e hollë si teh thike, që del nga zemra, më përshkon tërë trupin. Më duket se shoh vdekjen, qëndron sipër varrit me një buzëqeshje në fytyrë. Fsheh kokën pas fustanit të nënës. Kur e largoj pëlhurën e fustanit, fytyra e vdekjes ishte zhdukur. Hoxha lutet me zë të lartë për shpirtin e Babës. Pas lutjes së tij bie heshtja. Pas heshtjes, dikush thirri “Lavdi për të gjith ata që ranë për lirin e vendit” pas tij, të gjithë njëzëri thërrasin ”Lavdi”!

                    E tronditur shikoj nga qielli se mos ndoshta aty shoh prapë sytë e tu Babë… Gënjehem, shoh vetëm disa re të zeza që zvarriten ngadalë sikur të plagosura. I vështroj mendueshëm një copë herë, ato më përshëndesin më disa pika shi, të cilat, pasi bashkohen me disa pika lot, bien përdhe, treten në tokën e përgjakur…

Të ngjajshme