21 Mars, 2019 - 1:52 pm
Në vitin shkollor 2000-2001, në kuadër të Shkollës së Mesme të Muzikës në Prishtinë, u hap për herë të parë edhe dega e baletit. Atë vit unë isha regjistruar në shkollën e muzikës, dhe sapo dëgjova që është hapur dega e baletit u regjistrova edhe aty. Mësimin e baletit e zhvillonim në Teatrin Kombëtar, dhe mësim na jepnin balerinët që kishin mbaruar shkollën e mesme të baletit në Shkup, gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë.
Si 17 vjeçare, nxënëse e vitit të katërt, isha pjesë e trupës së baletit. Me mbarimin e shkollës së mesme vendosa të shkoj të studioj koreografinë ne Akademinë e Arteve në Tiranë. Meqë u pranova në Akademi dhe nuk kisha mundësi të isha prezentë në ushtrime dhe në prova për shfaqje, në dhjetor të vitit 2005, kontrata me trupën e baletit m’u ndërpre. Gjatë studimeve, kur vija me pushime në Kosovë, aq sa kisha mundësi i ndiqja shfaqjet e trupës së baletit.
Shfaqjen e diplomës vendosa ta bëjë me balerinët e trupës. Profesorët në Tiranë ma mundësuan këtë gjë. Kontaktova me Ahmet Brahimajn, drejtorin e atëhershëm të trupës, i cili më tha se balerinët do të jenë në dispozicionin tim. Por, qysh në provën e parë pata sabotim. Një balerinë erdhi, por balerini tjetër që do të duhej të ishte pjesë e shfaqjes sime të diplomës, nuk erdhi. Kjo sjellje vazhdoi edhe më tutje dhe për të mos humbur kohë vendosa që shfaqjen e diplomës ta përgatis me nxënësit e baletit të shkollës së Prizrenit
Para se unë të përfundoja studimet, çdo vit hapej konkurs për mësimdhënës të baletit, në Shkollën e Mesme “Prenk Jakova”, meqë mësimdhënësit e deriatëhershëm ishin vetëm me shkollim të mesëm dhe nuk plotësonin kriteret për pozitën që mbanin. Mirëpo, në vitin që unë mbarova studimet, ky konkurs nuk u shpall më. U interesova në Komunën e Prishtinës (që atë kohë drejtohej nga LDK) se pse nuk po hapej konkursi, e aty më thoshin sepse aty janë mësimdhënësit dhe nuk ka nevojë për konkurs të ri.
Pas shumë ankesave drejtuar Komunës së Prishtinës, vendosa të kërkoj ndihmën e Inspektoratit të Arsimit. Dhe, menjëherë pas përfundimit të procedurave bashkë me Inspektoratin e Arsimit, vendosa t’i drejtohem edhe gjykatës. Dhe, më në fund Komuna e Prishtinës vendosi ta hapë konkursin për mësimdhënës të baletit në dhjetor te vitit 2011, kurse në fund të janarit në vitin 2012 unë u pranova si mësimdhënëse e baletit klasik në degën e baletit në kuadër të Shkollës së Mesme së Muzikës.
Nxënësit e kësaj shkolle, ushtrimet e baletit ende vazhdonin t’i mbanin ne Teatrin Kombëtar. Për këtë shkak, u desh te kontaktoja me drejtorin e atëhershëm të trupës së baletit, Ahmet Brahimaj, i cili njëkohësisht ishte edhe mësimdhënës i baletit, për orarin e ushtrimeve të nxënësve. Z. Brahimaj nëpërmes telefonit më tha që as të mos guxoj të shkoj në teatër.
E gjendur në një situatë të tillë, shkova të kërkoj ndihmën e drejtoreshës së shkollës dhe pastaj edhe të Drejtorisë së Arsimit. Meqë z. Brahimaj nuk më lejonte që unë ta mbaja mësimin në Teatrin Kombëtar dhe shkolla e muzikës nuk kishte një salle adekuate për balet, në bashkëpunim me MAShT u vendos që nxënësve te baletit t’u shtohen edhe disa lëndë teorike, në mënyrë që unë të mund të ushtroj detyrat dhe përgjegjësitë si mësimdhënëse. Kaluan disa vite dhe jepja vetëm lëndë teorike në degën e baletit. Kur Komuna e Prishtinës vendosi ta rrëzojë objektin e vjetër të Shkollës së Muzikës për ta ndërtuar një objekt të ri, neve si shkollë na transferuan në objektin e vjetër të Shkollës Ekonomike. Në këtë shkollë e bëmë edhe sallën e baletit dhe nxënësit e degës së baletit, që ishin në vitin e fundit, vendosën që ushtrimet e baletit t’i mbanin në shkollë, dhe unë fillova t’u jap mësimet e baletit.
Një vit më vonë u pranuan nxënësit e ri për klasën e X. Nxënësit të cilët kishin zgjedhur baletin u kërcënuan nga z. Brahimaj, se nëse do të mbanin balet me mua në shkollë dhe jo në Teatër me të, atëherë ata nxënës nuk do të mundë të futeshin në trupën e baletit. Përveç kërcënimit, ai u thoshte nxënësve që unë nuk jam në gjendje t’i mësoj ata, sepse nuk di asgjë, ani pse kisha mbaruar, përveç shkollës se mesme njëjtë si ai, edhe Akademinë e Arteve – Koreografinë, në Tiranë. Por, nxënësit pas këtij kërcënimi refuzonin të mbanin orën e baletit me mua.
Me këtë presion u përballa gjatë. Kur unë do të shkoja në pushim të lehonisë, u shpall konkursi për të më zëvendësuar mua, si dhe për një vend tjetër të lirë për mësimdhënës të baletit. Për këto dy vende konkurruan disa nga balerinët e trupës. Por, ata të cilët u pranuan, Driton Saqipi dhe Labinot Rexhepi, nuk ishin të preferuarit e z. Brahimajt, kështu që “as ata nuk dinin asgjë”, edhe pse të dytë kishin shkollim më shumë se ai në këtë lëmi (kemi shkollimin e njëjtë). Kështu avazi i z. Brahimajt vazhdoi edhe pak. Derisa erdhi koha që të pranohen nxënësit e rinj dhe në provim pranues u ftuan Dritoni dhe Labinoti, e jo Ahmet Brahimaj, dhe nxënësit nuk kishin kontakt me këtë të fundit. Por, këtu filloi plani tjetër i trupës së baletit dhe z. Brahimaj. Që nga ky moment ata ndërprenë çdo bashkëpunim me shkollën. Pas një viti në bashkëpunim me MAShT hapëm degën e baletit nga shkolla fillore, ashtu siç është në të gjitha vendet. Tani është viti i tretë që e kemi degën e baletit që nga klasa IV.
Ka afërsisht dy vjet që balerinët e trupës së baletit përhapin zëra se nuk ka shkollë të baletit. Pajtohem. Nuk kemi shkollë të baletit. Por kemi një degë të baletit në kuadër të shkollës së muzikës, në të cilën kemi nxënës super të talentuar, që punojnë shumë dhe që premtojnë një të ardhme të ndritshme në këtë fushë. Por, trupa e baletit duhet të hapet, t’i largojë muret për ata të cilët nuk janë pjesë e klanit të tyre. Ata nuk duan shkollë të baletit. Ata duan shkollë të baletit të cilën e kontrollojnë vetë. Në mënyrë që ata vetë, sipas preferencave dhe interesave të tyre personale, të mundë të vendosin se kë do ta pranojnë e kë jo në trupën e baletit.
Si arsyetohen z. Brahimaj dhe trupa e baletit se që nga viti 2000 nuk bën asnjë hap për formimin e shkollës së veçantë të baletit? Ose të mos shkojmë kaq larg, si arsyetohen që nuk bën asnjë hap që, të paktën, këtë degë të baletit në kuadër të Shkollës së Muzikës ta hapnin nga shkolla fillore? Por, gjithë këtë zhurmë filluan ta bëjnë vetëm në momentin kur shkolla nuk ishte më nën kontrollin e tyre!
Do të isha shumë e lumtur po të ishim në gjendje ta hapnin një shkollë të veçantë baleti, të pavarur, ashtu siç e kanë të gjitha shtetet tjera. Por, për ta bërë këtë gjë do të duhej së paku edhe 10 apo 15 balerinë të shkolloheshin jashtë, qoftë në Tiranë apo kudo tjetër, për këtë lëmi, sepse me balerinë me shkollim të mesëm kjo gjë është e pamundur. Të mos përmendim pastaj, se përveç që janë veç me shkollim të mesëm, kanë mësuar si lëndë vetëm baletin dhe vallen popullore, pa iu mohuar përvojën në shfaqje të zhanreve të ndryshme. Shkolla e veçantë e baletit ka lëndë, të cilat këta ka mundësi që as të mos i kenë dëgjuar ndonjëherë. Kështu që, derisa jemi në këtë nivel, le t’i përvishemi punës të gjithë, që të nxjerrim balerinë të mirë nga këto gjenerata të reja, me shpresën se këta do të vazhdojnë shkollimin edhe përtej shkollës së mesme, dhe do të jenë në gjendje të hapin një shkollë të veçantë baleti.
(Krenare Krasniqi Dakaj, mësimdhënëse e baletit klasik në degën e baletit në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë)
(Qëndrimet e shprehura në këtë opinion janë të autores dhe jodomosdoshmerishtë paraqesin qëndrimet e gazetës online KultPlus).