7 Maj, 2018 - 10:26 pm
Më 7 Maj 2018, Ikona jonë, Nexhmije Pagarusha, feston 85 vitet e saj të florinjta!
T´a kam thënë:- “Dua të shkruaj emrin Tënd në plepin e vjetër…, sepse të dua me gjerësinë e detit dhe shtrirjen e qiejve”.
E kush nuk e njeh Pagarushën legjendare ???
Më shumë se vetëm një këngëtare Pagarusha është një diva pa maniera, një talent dhe kontribut muzikor, një ikonë kulturore, simbol i një populli dhe trashëgimie të vojtur, nje ambasadore paqesjellëse. Ajo pranohet në mënyrë rutinore nga të gjithë. Mbi të gjitha nga njerëzit e lëne jashtë shoqërisë, ata që këngët e saj i këndojnë në gaz e në vaj, që dritën e syve e kanë humbur por shohin jetën me dritën e shpirtit. Për mua, ndryshe nga çdo artist tjetër, zëri i saj këngëtor pikturon fytyrën e shpresës, mallit, dashurisë, pritjes, lutjes dhe bekimit!
Të puth duart ty fqinje e Hënës tek mekesh me klas:- “E dehur jam”, apo tek vibron -“E kujtoj un´at takim, me lot e dashuri…”!
Këngët e saj dëshmojnë për gjenialitetin muzikor, kolegialitetin dhe frymën e bashkëpunimit me kompozitorët e saj të zemrës, që ndër vite na falën një sfond të gjerë muzikor, duke krijuar një fenomen unik kulturor.
Pagarush, Ti fyell mëngjesor! Ti je një letër dashurie Trinish nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja!
85 vjetori i ditëlindjes tënde është festimi ynë, festimi i fëmijërisë sonë dhe i rinisë sonë, i lutjeve tona, dashuris sonë, forca, krenaria, lavdia, nderi dhe madje pavarësia e gruas, ndjenjë e qenies.
Të puth duart. E jotja Eda./KultPlus.com