18 Korrik, 2019 - 10:54 pm
Shkruan: Phd c. Mimoza Kamberi
Njëra ndër sfidat më të mëdha me të cilën po përballen të rinjtë në ditët e sotme, padyshim që është shëndeti mendor dhe mirëqenia e tyre.
Edukimi i shekullit 21 mund ti ofrojë studentëve kompetencat e nevojshme për të sotmen dhe të ardhmen, siç janë komunikimi, të menduarit kritik dhe inteligjenca emocionale ku studenti jo vetëm që do të tejkalojnë të qenurit i përgatitur vetëm për vend të punës, por edhe të jetë në gjendje ti tejkalojë më lehtë shumë situata të vështira me të cilat ai do të përballet gjatë jetës së tij. Pra Edukimi i shekullit 21 nuk është i orientuar vetëm në karrierë, por edhe në zhvillim të vetës gjatë gjithë jetës.
Po përse edukimi është kaq i rëndësishëm pikërisht në shekullin 21?
Përderisa bota e sotme po karakterizohet me ekonomi globale, shoqëri komplekse në rritje, kjo e bën të domosdoshme dhe të nevojshme që studentët të jenë të përgatitur për botën e shekullit 21, studentëve i nevojitet të mendojnë në mënyrë kritike, të komunikojnë në mënyrë efektive, të bashkëpunojnë me kolegë të ndryshëm, të zgjedhin probleme komplekse, të adaptojnë mendësinë globale dhe të jenë të angazhuar me informacione dhe teknologji komunikuese.
Po sa me të vërtetë edukimi i sotëm po i përgatitë studentët për tu pajisur me “mjetet” e shekullit 21?
Të gjithë jemi të njohur me edukimin e shekullit 20, ku komplianca dhe konformiteti, kanë qenë dy elemente të cilat është dashur ti posedosh për të qenë në gjendje me ja dalur mirë qoftë në aspektin profesional apo edhe ne ambientin e punës dhe për ta mbajtur punën ndoshta me dekada. Sistem ky që rezultonte në një popullatë me shkathtësi të ngjashme. Por në ditët e sotme të shekullit 21, inovacioni dhe kreativiteti janë të nevojshme në shumë fusha për të qenë në gjendje për ti mbijetuar sfidave të shekullit 21. Kjo do të thotë që një mësimdhënës i cili në ditët e sotme kah para vetës një studentë i cili mund edhe të mos jetë i motivuar të dëgjojë ligjëratën e profesorit sepse të njëjtat informacione mund ti merr shumë shpejtë duke shikuar një video në Youtube? Kjo e vë në dukje edhe më shumë rolin e mësimdhënësit në procesin e mësimdhënies-mësimnxënies dhe shpeshherë edhe në riorientimin e edukimit, duke pasur parasysh se mësimdhënësit gjithnjë në mënyrë të pashmangshme janë pjesë e reformave në arsim. Dhe asnjë nivel i sistemit të edukimit nuk mund të ngritët shumë shpejtë nëse prapa saj nuk qëndrojnë mësimdhënësit e përgatitur për një ngritje të tillë.
Mësimdhënësit e shekullit 21, të përfshirë në procesin mësimdhënës “knowing-learning-teaching” nuk janë vetëm transmetues të diturisë, ata janë gjithashtu udhëzues të mësimit, këshillues, model, punëtor i dijës, një mësimtar për gjatë gjithë jetës, pra mësimdhënësi dhe studenti janë partner të një raporti të vazhdueshëm kërkues dhe eksplorues.
Çdo qenie njerëzore është unike ka ndonjë dhunti, talent, shkathtësi apo aftësi speciale. Secili prej nesh ka identitetin e tij dhe edukimi do të duhej të na ndihmonte të realizojmë potencialet tona të vërteta. Edukimi do të duhej të na ekspozonte para mendimeve, pikëpamjeve, qëndrimeve të shumëllojshme të njerëzve të tjerë. Edukimi do të duhej të ofronte qartësi rreth asaj se çfarë je tani dhe çfarë dëshiron të bëhesh, dhe eventualisht të gjesh edhe qëllimin e jetës tënde.
Duke marrë në konsideratë se projektet me bazë mësimin dhe puna në grup janë standarde në edukimin sot, të sigurohemi se në procesin mësimdhënies i kemi përfshirë së paku pesë elementet bazë të listuara më poshtë:
– Krijoni situata të improvizuara në të cilat studentët do të jenë pjesëmarrës të takimeve strategjike dhe kontribues në vendimmarrje
– Krijoni ambiente të adaptuara mësimi të përshtatshme për lloje të ndryshme bashkëpunimi dhe ekipe punuese
– Inkurajoni studentët të bëjnë punë vullnetare në komunitet apo të bëhen udhëheqës të programeve të ndryshme në komunitet
– Gjeni mënyra që studentët të jenë të lidhur në projekte të ndryshme studentore me bashkëmoshatarë të tyre nga e gjithë bota
– Rishqyrtoni përdorimin e teknologjisë brenda sallës së mësimit dhe përherë mendoni se si përdorimi i saj mund të bëhet më efektive.
Dhe si përfundim pavarësisht sfidave për tu përshtatur me ndryshime, reforma në edukim, rëndësinë e të qenurit i edukuar dhe në hap me zhvillimet globale e fuqizojnë edhe statistikat që vazhdimisht tregojnë se “të diplomuarit në arsim të lartë kanë më shumë mundësi për tu punësuar në krahasim me ata të cilët nuk vazhdojnë shkollimin pas shkollës së mesme. Kjo pastaj reflekton edhe në anën financiare ku statistikat gjithashtu tregojnë se rritja e të ardhurave do të jetë më e lartë sa më e lartë të jetë edhe ngritja akademike e pasuar nga niveli master dhe doktoraturë”, pra investimi më i mirë që ne mund të bëjmë për vetën tonë është edukimi, investim ky që padyshim do të rikthehet shumëfishë si në aspekt individual ashtu edhe shoqëror dhe global.Ligjëruese në Kolegjin AAB/ KultPlus.com