12 Prill, 2021 - 8:24 pm
Në kujtim të 81 vjetorit të lindjes
Nga: Feti Tunuzliu
Teksa ulem që të shkruaj për veprën dhe figurën e Ejup Statovcit në jubileun e 81 vjetorit të ditëlindjes së tij që i bie më 16 prill 2021, fillimisht kujtoj thukët historikun e formimit të profesorit të nderuar. Ejup Statovci u lind më 16 prill 1940 në Prugoc të Prishtinës. Pinjoll i një familjeje bujare dhe arsimdashëse, fëmiu i zgjuar dhe i urtë u edukua nga dashuria dhe kujdesi prindor me ndjenjën e punës, përparimit dhe atdhedashurisë. Filloren e kreu në Besijë dhe normalen në Prishtinë (1959/60). Pas mësuesisë 14 muajshe iu rrek studimeve për drejtësi. Diplomoi (1966) dhe magjistroi (1971) në Fakultetin Juridik të Zagrebit, ndërsa doktoroi (1974) në ate të Lubjanës. Ishte autor tekstesh, pedagog universitar, vizitor studiues e panelist. Por, vlera më e madhe e tij është në botën shkencore e institucionale.
Përndryshe, si jurist i sapodiplomuar punoi në Shërbimin e Kontabilitetit Shoqëror në Prishtinë dhe në Sekretariatin Krahinor të Financave. Nga viti akademik 1967/68, nisi të bëj karrier të vrullshme pedagogjike me titullin fillestar asistent për grupin e lëndëve juridiko-civile në Fakultetin juridik-ekonomik në Prishtinë. Kjo kohë koincidoi me fillimin e punës edhe të kolegëve të tij asistentë: mr. Ismet Salihu, docent (E drejta penale), Ragip Halili (Kriminologji me Penologj), Hilmi Ismajli (Historia e shtetit dhe e së drejtës), Faik Brestovci (E drejta procedurale civile), etj. Me themelimin e Universitetit të Prishtinës në shkurt 1970, përktësisht në vitin akademik 1970/71 autorizohet të mbajë ligjërata në dy lëndë: “Hyrje në të drejtën civile dhe e drejta reale” dhe “E drejta ndërkombëtare private”. Në vitin 1971 zgjedhet docent, në vitin 1975 profesor inordinar dhe në vitin 1980 profesor ordinar për lëndën “Pjesa e përgjithshme e së drejtës civile dhe e drejta sendore”.
Gjatë kësaj karriere të ngjeshur pedagogjike 23 vjeçare dha kontribut të çmueshëm për krijimin e shumë brezave të juristëve të diplomuar, magjistrave dhe doktorëve të shkencave juridike të cilët do marrin një gamë epitetesh respektive: gjyqtarë, prokurorë, avokat, profesorë, …
Por, krahas karrierës së bujshme pedagogjike universitare ishte edhe: drejtor i studimeve juridike-civile postdiplomike; anëtar i Pleqësisë së Universitetit të Prishtinës; Kryetar i Pleqësisë së Fakultetit juridik, drejtor i Institutit për Kërkime Juridike dhe Shoqërore në Fakultetin e Drejtësisë; Kryeredaktor i revistës “E drejta-Pravo”; anëtar i Këshillit botues të revistës “Përparimi”; Kryredaktor përgjegjës e anëtar i Redaksisë “Përmbledhje punimesh – Zbornik radova” të Fakultetit juridik, sekretar i Buletinit të Fakultetit Juridik të Prishtinës dhe anëtar i Redaksisë së revistës “Universiteti sot”.
Me këtë hartim biografik, do ta ruaj nga harresa profesorin tim të respektuar si njeri të qetë e natyrëbutë. Jo vetëm kaq. Nuk mund ta lë pa evokuar me pietet edhe virtytet e tij të larta. Ishte skofjar, modest dhe pa bujë. Ishte fjalëmatur, fjalëpak dhe fjalëprerë. Pothuajse unikal. Fliste me urtësi dhe zë të ultë. E ruaj në kujtesë dhe sakaq do ta shpalosja dukurinë kur para fillimit të ligjërimit të leksioneve nga e drejta civile dhe reale në vitin akademik 1974/75, studentët e vitit të dytë nxitonin të siguronin ulëset e para në amfiteatrin nr. 2 të juridikut ngase sa më pranë tavolinë së tij, ishte dëgjueshmëria më e lartë për të përvetësuar njohuri akademike nga pedagogu virtuoz dhe juristi poliedrik i cili ndiqej me kërshëri të madhe dhe admirohej për figurën morale, metodikën didaktike, potencën e veçant të narracionit akademik dhe gjuhën elokuente.
Do ta shkëputja edhe një episod të veçant nga kujtimet e paharruara të jetës studentore. Teksa i ushqente studentët me dashuri për kulturë juridike universitare kishte vërejtur se studentët paksa me vështirësi po e përvetësonin materjen e lëndës për çgjë e cilësonin ndër provimet më të rënda. Duke mëtuar “relativizimin” e këtij përceptimi, profesori Ejup shpërthente nganjëherë në ligjërata. Iu drejtohej studentëve me një dozë humori duke u shprehur: “Le të votojmë “për” apo ”kundër” heqjes së kësaj lënde. Mbase do e heqim qafesh! Apo jo ? Natyrisht, sakaq pasonin reagime studentore “të zhurmshme” dhe komike. Me një rast, njeri ndër studentët i cili shquhej për sens humori, buzagaz iu drejtua: “Profesor, unë do votoja i pari “për” ! Pres që edhe të tjerët të votojnë si unë. Do shpëtonim edhe na edhe Ju ! Ç’na duhet e drejta civile ? Mjaft na dalin lëndët tjera ! Pra, kolegë studentë, urime e për hajr na koftë …” ! Profesori u përmbajt si me vështirësi nga shpërthimi i emocioneve dhe të qeshurat deri në çastin kur shfryu zëshëm grupi i studentëve dhe u krijua një atmosferë relaksi që pasojë me ligjëratën e radhës nga profesori Ejup.
Personalisht e kam njerin ndër profesorët më të shtrenjt si për vlerësimin që ia bënte studentëve ashtu edhe për cilësinë e mësimdhënies.
Ndryshe, s’do mend se doktrina juridike kosovare do t’kishte të mangët një nga gurët e themeltë të mozaikut modest të saj pa veprat e shkruara nga pena e këtij dijetari të drejtësisë civile. Gjatë eksperiencës akademike përtej tri dekadëshe (1967-1999), shkencëtari i apasionuar pas çështjeve juridiko-civile nxjerr nga duartë e veta mbi 60 botime të denja akademike – monografi, studime, artikuj, disertacione dhe ese. Megjithatë, produktiviteti i tij shkencor e profesional shënonte herë ngritje herë rënie. Duket se gjatë harkut kohor sa ishte Rektor (1991-1997) botoi vetëm dy punime (1993, 1995), ndërsa për pesë vite (1991, 1992, 1994, 1996 dhe 1997) nuk dijmë për ndonjë publikim. Nëse është kështu, arsyet për këtë gjendje ka të ngjarë t’ishin nga më të ndryshme: koha dedikuar menaxhimit të Universitetit; beteja me pushtuesin serb; gjendja jo stabile shëndetësore, dhuna fizike e psikike, bastisjet e banesës dhe zyrës arrestimet, ndalimet, burgosjet, … Këto peripeci s’kanë për t’u zhdukur gjatë nga memorja popullore, kujtoj unë.
Pa asnjë hamendësim do themi se prof. Statovci ishte shkruesi më prodhimtarë në shekullin e XIX në fushën juridiko-civile në Kosovë i cili derdhi më së shumti energji dhe pasion për çështjen e pronësisë që ngel kryefjalë e interesimit të tij shkencorë. Këtej, do t’ishte e pafalshme dhe e pakuptueshme që ndonjë dorëshkrim eventual i tij të ket ngelur ende pa e parë dritën e botimit, kur Ai nuk është fizikisht ndër ne gati 24 vite. Ndërkohë që, veprat e tij jo vetëm që shënojnë kontribut të pazëvendësueshëm në studimet juridike civile por edhe lartësojnë prestigjin e studimeve juridike kosovare në disa vende dhe qarqe shkencore ballkanike, europiane e botërore. Ndaj, juristët, sidomos civilistët, nuk duhet t’i ndajnë nga dora dhe ta shkëpusin vëmendjen nga ato botime akademike. Të ndalemi kalimthi në tituj librash të këtij feniski të doktrinës juridike që kanë bërë epokë dhe janë xhevahirë tekstesh juridike në tregun bashkëkohor të teorisë juridike shkencore në përgjithësi e të asaj juridike civile në veçanti, gjithnjë referuar vlerave të tyre të padiskutueshme shkencore, pse jo edhe praktike.
Monografia “Marrëdhëniet pronësore juridike në sendet e paluajtshme në KSA të Kosovës” (1977), është disertacion doktorate i prof. Statovcit. Në teorinë e së drejtës civile cilësohet e para vepër kushtuar studimit shkencor të marrëdhënieve pronësore juridike të patundshmërive në Kosovë si përnga thellësia vertikale ashtu edhe përnga gjërësia horizontale e studimit të këtyre marrëdhënieve. Sipas tij, “marrëdhëniet pronësore jo mjaft të spastruara në Krahinë gjatë historisë, shpesh shkaktonin komplikime dhe afrime të ndryshme këtyre me pasoja të paparandiera dhe shpeshherë formoheshin supozime të përgjithshme negative mbi marrëdhëniet pronësore dhe natyrën e tyre ndaj paluajtshmërive”. Ai ngre pretendimin se shkaqet e ndryshme historike kanë bërë që raportet pronësore juridike në Kosovë të jenë specifike n’raport me atë të viseve tjera jugosllave. Vëren se Kosova s’ka libra tokësore, dokumente dhe matje të detajuara kadastrale. Gjen se, ”kushtet për fitimin e pronësisë private në viset jugore (pra edhe në Kosovë) kanë qenë dukshëm më të vështira se sa në vise të tjera të shtetit.”
Monografia “Pronësia – Origjina dhe zhvillimi” (1983) është studim komperativ. Boshti i veprës shtrihet prej të drejtës babilonase për të përmbyllur me të drejtën moderne. Pas shpjegimeve analitike dhe krahasimit të sistemeve juridike, studijuesi i zellshëm përcolli te lexuesi konkludimin e prerë se historikisht, pronësia qe e njohur qysh para të drejtës romake. Njëri nga tre recenzentët, dr. H. Hashani këtë vepër e kishte çmuar për rrallësinë e saj që si e tillë sjell vlera juridike deri në shkallë globale duke e vlerësuar shprehimisht si “studim të rrallë që e begaton literaturën tonë juridike sikurse edhe ate botërore”.
Eksplorimi i detajuar dhe kronologjk i çështjeve të mbrojtjes së pronësisë në të drejtën romake, frenge, gjermane, etj. deri te Kanuni i Lekë Dukagjinit, qe në fokus të sensit të autorit të veprës vijuese “Mbrojtja e pronësisë”, Studim komperativ (1980). Mbrojtja e pronësisë realizohej posaçërisht me ushtrimin e padive: rei vindicatio, actio negatoria dhe padia publiciana. Sistemet juridike, shton ai, parashohin padi reivindikimi – padi të pronarit për kthimin e sendit nga poseduesi. Sipas analizës së tij, ka sisteme juridike ku njihet padia publiciana që aspiron kthimin e sendit por në baza të ndryshme – pronari vërteton vetëm posedimin uzucapio, ndërsa i padituri humb kontestin nëse posedimi i tij është i dobët. Ka edhe sisteme ku parashihet padi negatoria me të cilën pronari-poseduesi kërkon mbrojtjen nga shqetësimi i posedimit.
Vepra u vlerësua lartë nga recenzentët botërorë. Dr. Finzhgar u dakordua me idenë e Statovcit, se “çështja e mbrojtjes juridike të pronësisë s’është një çështje natyre juridike teknike”. Sipas tij, teksti “sjell një freskim të caktuar në literaturën mbi mbrojtjen e pronësisë”. Sipas dr. Vedrish,“ky është një studim shumë i gjërë dhe do të paraqes një kontribut të rëndësishëm për literaturën profesionale dhe shkencore”. E bashkërecensuesit Dr. Alishani–Presheva, thonë se “për nga problemet që shoshiten dhe ngase begaton doktrinën juridike në gjuhën shqipe, meriton daljen në dritë”. Statovcin e vlerësuan lartë edhe: dr. Xavier Blanc-Jouvan (Sorbone), Athur von Mehren (Harvard), Feti Gjilani e Zejnullah Ballanca (Tiranë) dhe dr. Ismet Salihu (Prishtinë).
“E drejta e servituteve, Aspekte komperative” (1985), cilësohet e para vepër studimore e këtij lloji në Kosovë dhe ndër të paktat në teorinë krahasuese botërore. Pas përsiatjeve shkencore, në pjesën e I autori konkludon se servituti ka prejardhje të pavarur nga pronësia, në pjesën e II, konkludon se servitutet sendore kanë origjinë dhe evoluim të pavarur nga pronësia dhe në pjesën e III, të fundit, përfundon se servitutet personale janë tagra sendore, jo servitute të mirëfillta.
Vlerësime tejet pozitive këtij studimi i atribuohen si nga juristët kosovarë (prof. dr. Ismet Salihu, mr Abdullah Aliu) ashtu edhe të huaj (në Paris: Ksavier Blank). Sipas optikës sime, e përbashkëta e tyre është se studimi inkurajon zgjidhje origjinale dhe të reja në shkencën e servituteve në veçanti.
Do e sjell fare thukët në vëmendjen e opinionit lexues edhe veprën E drejta e pengut – Aspekte komperative (1988), studim brilant në letërsinë juridike civile. Me stil elegant pena e autorit zbërthen historikisht pengun e dorës (dhe hipotekën) përgjatë sistemeve juridike. Në këtë hulli gjurmimesh, teza e tij, se – e drejta sendore e pengut ka gjenezën e vet të pavarur nga e drejta e pronësisë, e servitutit, e frutgëzimit, e institucioneve tjera juridike, faktuar me terma shkencorë, del të jetë tezë tejet e guximshme e prof. Statovcit ngase kësisoj bie ndesh me të drejtën romake !
Parakuptohet natyrshëm se opusi shkencor e profesional i Statovcit përfshin edhe temën e magjistraturës “Sistemi i mjeteve juridike sipas Kodit shqiptar të kontesteve civile dhe Ligjit jugosllav mbi procedurën kontestimore”i cili i përket lëndës së të drejtës procedurale civile – jo të drejtës materiale civile të cilën e ligjëronte profesori ynë.
Ndryshe, revista e së drejtës krahasimtare në Paris, nr. 3/1986, publikoi shkrimin e Ksavier Blank-Zhuvan dedikuar veprës së Statovcit “E drejta e servituteve – Aspekte komperative” (1985). Sipas prof. të Fakultetit Juridik të Sorbonës (Paris), studimi “del si rezultat i një hulumtimi të gjatë e me përkushtim të bërë në Universitetin e Kosovës dhe që paraqet një kontribut të shquar në teorinë e të drejtës sendore”. Artikullshkruesi Blank-Zhuvan veprën e quan “vazhdimësi logjike e këtyre punimeve pararendëse”. Shton se “Duke kritikuar një terminologji që nuk mund të jetë tjetër, pos burim i paqartësive (e që e rimerr vetëm si “respekt për traditën”), Z. Statovci tregon se, megjithatë, në mesin e nocioneve të ndryshme, ka vend për korrigjime të mundshme, meqë ai ia kushton në tërësi pjesën e parë paraqitjes së problemeve që janë të përbashkëta; origjina, evoluimi, etj. …”.
“Ne nuk dijmë se çfarë të lavdërojmë më parë, saktësinë (precizitetin) e analizave të Z. Statovcit apo pasurinë e informacionit të tij”, citohet Blank-Zhuvan të ketë thënë për ikonën e drejtësisë civile kosovare, duke vënë në pah kështu apoteozën dhe skrupolozitetin e figurës lapidare shkencore të prof. dr. Ejup Statovcit.
“Bibliografia që na ka dhënë të habit me llojllojshmërinë e saj të madhe: konkretisht aty gjejmë referenca të shumtë në literaturën juridike franceze, e po ashtu të vëndeve të tjera romane, socialiste apo të common law-ut (të drejtës së përbashkët, anglosaksone)”, shprehet tutje Blank-Zhuvan. Statovci “tregon një kulturë të gjërë të një fushe të njohur me vështirësi”. Për gjuhën e prof. Statovcit, ai ka vlerësim interesant. “Gjuha e përdorur vërtet mund të reduktojë pranimin në botën e jashtme, por kjo do t’ia shtojë famën në mesin e juristëve të vendit të tij”, kujton prof. Blank-Zhuvan. Së fundmi, shprehet:“Do të dëshironim që duke dhënë një instrument të shkëlqyeshëm të punës së Z Statovcit, do të stimulojë interesimet e tyre për studimet krahasimtare dhe do të bëjë që edhe ata të marrin pjesë në idenë, punën që po e themelon”.
Para botimit të librave të sipërpërmendur, Statovci natar kishte prekur me akribi të theksuar shkencore aspektet e mësipërme, në shkrimet autoriale: “Ca pikëpamje mbi të drejtën e pronësisë në përgjithësi” (“Përmbledhje punimesh – Zbornik radova”, nr. I/1973 dhe nr. II/1974);“Pronësia në Graqinë e lashtë”, (“Përparimi”, nr. 5/1982); Pronësia në Indinë e lashtë” (“E drejta- Pravo”, nr. 1/1982);“Parashkrimi – trajtimi i tij në praktikën gjyqësore dhe administrative me rastin e zbatimit të Ligjës mbi uzurpimet” (“Përparimi”, nr. 5/1967, me çka nisi veprimtarinë botuese);“Disa çështje për transformimin e superstrukturës juridike dhe rregullimi i marrëdhënieve juridiko-civile (“Përmbledhje punimesh – Zbornik radova”, nr. IV/1976);“Kompetencat e ligjvënësit krahinor në rregullimin e marrëdhënieve juridiko-civile”(Dituria”, nr. 2-3/1971/72); “Disa çështje mbi servitutet personale” (“E drejta-Pravo, nr. 3-4/1982) dhe recensionin: “Prof. A. N. Yiannopoulos: Louisiana Civil Law Treatise-Property, vol. 2, WP.1967/75, f. 501+130 (aneks), botuar në “E drejta-Pravo”, nr. 1-78. Por, do theksuar se për të tilla aspekte dhe jo vetëm, kishte botuar edhe në të përditshmën prishtinase “Rilindja”, etj.
Ndërgjegja juridike sikur më thotë se prof. dr. Ejup Statovci mund të mbahet përfaqësues i denjë i drejtësisë civile në botën shkencore të arealit juridik ndërkombëtar. Ç’është e vërteta, atributet akademike që ndërkombëtarizojnë figurën e prof. Statovcit reflektohen nga një spektër këndvështrimesh: nga ai i panelistit të simpoziumeve dhe tubimeve shkencore ndërkombëtare; i vizitorit studiues në universitetet e huaja; i ligjëruesit në universitete të huaja dhe nga opinionet e recensentëve të huaj. Prof. Statovci ishte në: Paris, Clermont-Ferant (Francë) pjesëmarrës në “Ditët frengo-jugosllave të juristëve”, (1-10 maj 1979); në Hagë (Holandë) në “Kongresin ndërkombëtar juridik mbi shkencën juridike”, (1977); në Portorozh (Kroaci) në Simpoziumin ndërkombëtar “Shkenca dhe shoqëria” (1977), në seminarin ndërkombëtar “Universiteti sot” në Dubrovnik, etj. Emrit të studijuesit tonë të rrallë i bënin jehonë edhe vizitat studimore ndërkombëtare nëpër universitetet prestigjioze të botës: në Angli (Kembrixh e Oksford) dhe në SHBA (Harvard), ku prof. Statovci duke “strukturuar” formimin e tij prezentonte edhe gjendjen e shkencës juridike civile kosovare dhe përpjekjet për afirmimin e saj në përmasa ndërkombëtare. Për këtë përshkallëzim kontribut dhanë edhe recensuesit amerikan (Arthur Taylor von Mehren), francez (Ksavier Blank-Zhuvan), slloven (Allojz Finzhgar), kroat (Martin Vedrish), boshnjak (Mehmet Begoviç), etj. Ndërkaq, takimet dhe komunikimet e Statovcit me juristët e vendeve të ndryshme, i realizonte në gjuhë të huaja – angleze, frenge apo ruse që i njhte dhe patën impakt edhe në zgjërimin e këmbimit për të arritura shkencore dhe forcimin e raporteve të Universitetit të Prishtinës me Universitete të tjera që do i përmendim në vijim. Më thotë mendja se këto prononcime, vizita dhe kontakte ngjizën kulturën demokratike perëndimore te ky profil kombëtar shqiptar.
Përkthimi i veprave të prof. Statovci në ndonjë gjuhë të huaj, do të sforconte tutje karakterin sinjifikativ ndërkombëtar të këtij emri shumë të nderuar dhe do e begatonte literaturën e huaj.
Prof. Statovci shqipëroi nga anglishtja punimin e Peter Stein: “Precedent and Code” (“Precedentët dhe kodi”) dhe nga serbokroatishtja punimin e Alojz Finzhgar: “Neki pravni-teorijski pogledi na drustvenu svojinu” (Ca teza juridiko-teorike ndaj pronës shoqërore).
Prof. Statovci dha kontribut të spikatur edhe në promovimin e demokracisë, të drejtave e lirive të njeriut, shtetit juridik. Në Tribunën tematike mbajtur prej 5-8 prill 1988 mbi Projektamandamentet në Kushtetutën e Jugosllavisë u paraqit me referatin “Pronësia shoqërore dhe amandamentet”. Ndërkaq, në Tribunën publike shkencore mbajtur më 26 tetor 1988 u paraqit me kumtesën “Të drejtat sendore dhe ndryshimet kushtetuese”.
Prof. Statovcin e quaj garant të vlerave dinjitoze të trashëgimisë së tij shkencore, vlera të cilat, ç’është e vërteta, kërkojnë studim të veçant ngase mahnitin me: metodikën shkencore, pedantërinë e mendimit të thellë shkencor, argumentimin e bindshëm e të bollshëm, konsistencën kohore të tezave, gjuhën e zgjedhur me shije, kulturën e gjërë dhe mjeshtrinë e shkrimit. Këto cilësi të veçanta lartësojnë kredon e tij shkencore në nivel të civilistëve më të mirë juridik ndërkombëtarë, mendoj unë.
Statovci shquhet si njëri ndër bashkëhartuesit e Kushtetutës së Kosovës të 7 shtatorit 1990 me kryehartues akademik Gazmend Zajmin, aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.
Prof. Statovci ishte ai i cili s’u gjunjëzua dot gjatë segregacionit etnik të pushtetit serb – aktit të polarizimit etnik të Universitetit të Prishtinës në vitet e 90-ta kur studentëve shqiptarë, për dallim prej atyre serb, u ndalohej shfrytëzimi i hapësirave zyrtare universitare dhe u imponoheshin kurikulat serbe. Ndryshe, në Universitetin e Prishtinës ishte përqëndruar ajka e intelegjencisë shqiptare të Kosovës. Këtu ishin përfshirë fakultetet që përgatitnin ekspertë dhe akademik të shkencave shoqërore, natyrore, teknike e mjekësore. As në kushte të rënduara stafi akademik nuk rreshti me kërkime e studime shkencore dhe gjeneronte ide në funksion të sensibilizimit dhe quarjes përpara të shoqërisë kosovare. Universiteti ishte vend ku edhe promovoheshin ndryshime të thella shoqërore, sociale, ideologjike e politike ku Statovci, përmes fakteve politike, juridike e kulturore sfidonte skenarin e gënjeshtërt serbomadh.
Është me vlerë jetëshkrimore të theksojmë se përveç në jetën juridike, prof. Statovci la gjurmë të thella edhe në historinë më të re të Universitetit etnik shqiptar të cilin rrebeshet dhe furtunat e kohës e shkundën por nuk arritën ta rrënojnë. Duke pasuar Rektorin paraprak prof. dr. Skender Karahoda – prof. dr. Ejup Statovci vazhdoi drejtimin e Universitetit të Prishtinës në sistemin paralel arsimor në Kosovë prej 26 nëntori 1991 deri më 31 dhjetor 1997. Gjatë autonomisë së saporrënuar të Kosovës pasuan: rrethana të rënda – politike, juridike, ekonomike, kulturore, sociale, institucionale, shpirtërore, psikologjike, etj. për popullin e shumëvuajtur shqiptarë ndjekja e jashtëligjshme e delegatëve të Kuvendit të Kosovës; ndërprerja e marrëdhënieve të punës së punëtorëve shqiptarë për motive politike me akte juridike diskriminuese dhe gjenocidiale (amandamentet në Kushtetutën serbe te 28 marsit 1989); u miratuan: Ligji mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të veçanta (1990); Ligji mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës dhe Këshillit Ekzekutiv (1990) dhe Ligji mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të veçanta (1990) Kushtetuta e Serbisë (1990), etj. Kjo odiseadë famëkeqe legjislative ishte pasojë e: pjesëmarrjes së punëtorisë shqiptare në grevën e përgjithshme më 3 shtator 1990; anëtarësimit në Sindikata të Pavarura; solidarizimit me grevistë të Trepçës, mosdaljes në votime serbe për shkak të kundërshtimit të masave dhe ligjeve serbe,… Këtej, pasuan: masa të dhunshme; zëvendësimi i udhëheqësve shqiptarë me ata serb në mbi 200 ndërmarrje dhe institucione; 200 mijë të papunë: largim nga puna të 50 mijë punënjësve përfshirë punonjës arsimi, shkence, etj.; ndërprerja e financimit, etj. me çka, në fakt po rrënoheshin vlerat e qytetërimit, të drejtat e njeriut.
Dhe pikërisht përgjatë këtij misioni të lartë të periudhës së errët historike (1991-1997) kur pushtuesi serb po marshonte duke mbjell kulturën e makthit e të dhunës, guximi dhe përkushtimi i kreut universitar dëshmoi devocionin patriotik për punë ngulmuese themelvënëse të një Universiteti të ri etnik shqiptar. Më 10 dhjetor 1991 Rektori Statovci paraqiti Programin e punës. Menaxhonte 13 fakultete dhe 7 shkolla të larta me 845 arsimtarë e 247 bashkëpunëtorë. Punohej nëpër lokale e “shtëpi-shkolla”. Pa kushte elementare: pa infrastrukturë, pa paisje konkretizimi,… Por, edhe në të tilla kushte akomodimi, me vullnetin e paepur e të patundur, krahas procesit mësimor, ndonëse me plot sfida, realizohej autonomia politike, juridike, ekonomike, financiare, shkencore dhe profesionale e këtij Universiteti.
“Vendimet ishin të përbashkëta në ndërtimin e Universitetit tonë, si institucion shtetëror i Republikës së Kosovës, autonom dhe i pavarur”, shprehej Statovci. Kësisoj, i pari i Universitetit, po rrimëkëmbte atë sepse fakultetet sikur po merrnin veten. I rrëmbyer nga ideja për një model europian apo botëror, kryeprotogonisti ynë gjakonte një Universitet demokratik për t’siguruar pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të tij që të artikulojnë lirshëm fjalën e vet. Ndaj, u dha i tëri për reformimin e Universitetit përmes transformimit sipas rrethanave të kohës. Me synim rekoperimi, reorganizoi e rifunksionalizoi Universitetin në kushte gjenocidi ekonomik, gjenocidi social, gjenocidi kulturor dhe gjenocidi demografik. Hartoi akte origjinale me dedikim juridizimin e Universitetit: Dekretligjin për shkollimin e lartë (1994), Statutin e aktet nënligjore. Rektori dërgoi mesazh gjithandej se ky Universitet është i kthyer me këmbë në tokë dhe po mbijeton. Bashkërendoi përpjekjet dhe forcat për t’i dhënë rolin dhe vizionin që duhej të kishte si një universitet bashkëkohor. Nuk u mjaftua me kaq. Në vorbullën e këtyre ngjarjeve lobonte zëshëm për te. Mbante marrëdhënie me universitete të Shqipërisë. Kështu, pas Themelimit të Konferencës Kombëtare të Universiteteve Shqiptare (1994) vazhdoi edhe me Universitetin e Jenës “Freidrich Schiller”, Universitetin teknik të Drezdenit, Universitetin e Lirë të Berlinit, Universitetin e Lublanës, të Vjenës, të Leqës, të Ulmit, të Padovës, të Firencës, të Zagrebit, etj.
Madje, le të themi pa dorashka: në kushte okupimi e apart’hejdi Statovci kishte përplasje me ca mësimdhënës e student dritëshkurtër për marrëzitë e tyre përçudnuese që përvijonin nga Qeveria në ekzil dhe LDK !? Paradoksale, do thosha !? Por, pengoi të nakatosen. Me mençuri dha udhë të ndritura drejt konsolidimit të raporteve konfliktuale. Thënë shkoqur, davariti dëshprimin, krijoi atmosferë pozitive pune dhe ja doli ta shpëtoi kredibilitetin e Universitetit nga dëmsjelljet e butaforive juridike.
Parë nga kjo perspektivë, nuk ishte luftëtar për protagonizëm. As ikanak për në dhe të huaj. Shpirti altruist i tij përzgjodhi të mbetet në vendin e vet. Vendlindja po e thërriste që të ngel sa më pranë tij. Dhe ngeli. E në ditë të trishta për kombin dhe Universitetin, intelektual si ky ishin pak ! Për “motivet” që i kishin, ca sish ua mbathën këmbëve nga frika që përgjegjësinë për fatin e Kosovës t’mos e ndajnë me ata që i merrnin këto përgjegjësi ! Mungesa e ndjenjës së flijimit për atdhedashuri e lëndonte seriozisht ndërgjegjën atdhetare e akademike të Rektorit qëndrestar.
Rektori i institucionit të nderuar të Republikës së Kosovës dhe i dijes sonë kombëtare iu përgjigj fuqishëm kushtrimit të lëvizjes studentore. Ngriti zërin me protest paqësore, trajtë e rezistencës aktive për çlirimin e objekteve të Universitetit të okupuar nga agresori serb prej nga ishin dëbuar dhunshëm studentët shqiptarë nga qershori 1991. Kësisoj, Statovci nuk suprizoi kërkend kur gjashtë vite pas, pikërisht më 1 tetor 1997 parakaloi në kolonë para qytetarëve mbështetës. Përkundrazi. Protestuesit dhe populli shqiptarë shfaqnin brohoritje ngazëllyese. Ai botërisht rrezatonte qëndrim dinjitoz akademik, kombëtar dhe patriotik teksa po marshonte mes lidershipit studentorë: Dugollit, Lajqit, Mavrajt, Kurtit, pasuar nga mbi 20 mijë studentë nga të cilët gëlonin gjithandej rrugët e Velanisë së kryeqytetit kosovar. Ndonëse atmosfera dukej impozante, megjithatë, sikur pa dashur fshehte ndjenjën e ankthit e të shpresave. Ndjenjën e ankthit nga një eskalim eventual drejt gjendjes së rrezikshme, kurse ndjenjën e shpresës për arritjen e kauzës historike liridashëse studentore për të tejkaluar status-quon. Anipse aspak violente por e organizuar sipas skenarit të Këshillit organizativ të protestave, tani e 24 vite me parë, protesta madhështore – shprehje e një frustrimi tejet të ndjeshëm studentor që kishte mision puro paqëdashës, u shtyp dhunshëm nga lukuni policësh. Kordonët e armatosur të efektiveve policore që përdornin shkopinj gome, dhe hedhnin gaz lotsjellës si dhe autoblindat e agresorit serb, survejuar nga helikoterë policie në etër, u sulën befas në turmën përball ku qëndronin të rreshtuar pedagogë e studentë bluzëbardhë me slogane paqeje në duar duke shprehur kundërshtimin e vendosur për padrejtësitë e pushtetit serb. Sulmi i egërsuar ndaj turmës studentore qe një lemeri e vërtet, një llahtari torturash çnjerëzore dhe ulurimash të dhëmbshme, histerike, që ngjallnin trishtim të thellë. Këto forca arrestuan rrëmbimthi kryeprotestuesin Statovci, ngase “paskësh thirrë popullin që të bashkangjitet në protesta !” Imazhi i tillë ngashëreu të gjithë. Arrestuan edhe prorektorin Ahmet Gecaj dhe studentët: Albin Kurti, Driton Lajçi, Lulzon Jagxhiu, … ngase paskëshin “shkel rendin dhe qetësinë publike”! Me verdikt klandestin kundërvajtës, gjyqësori serb e privoi nga liria 30 ditë Rektorin Statovci. Dënimin e vuajti në qelitë e kazamateve të Prishtinës e Mitrovicës. Ndërsa, përmes zëdhënësve dhe vëzhguesëve nga vendi i ngjarjes, titanët medial botërorë artikuluan ndër kryelajme kumtin dhe transmetuan skenat e shëmtuara dhe tronditëse në sytë e botës duke fiksuar dhe identifikuar katërçipërisht dhunën e pushtetarisë serbe. Me këtë ilustrim dramatik, saora u njoftuan faktorët ndërkombëtarë. E kjo dhunë, vetëkuptohet se u ndëshkua nga popujt e qytetëruar të globit të cilët e panë atë për t’mos e harruar kurrë. Ishte goditje e rëndë për agresorin serb, kurse atu për Kosovën që të sforcoi mbështetjen dhe të zgjëroi besimin në bashkësinë ndërkombëtare për ndalimin e dhunës ndaj shqiptarëve të pafajshëm në kushte kur kërcënimi dhe rreziku i përshkallëzimit të dhunës në Kosovë po shtrihej në çdo cep të saj.
Një apo dy vite pas, shumë nga këta protestues do rreshtohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbi 300 sish do të bijnë martirë e dëshmorë në luftën çlirimtare të viteve 1998/99, Ndërsa, pas dy vitesh prej këtyre protestave do të ndahet nga jeta edhe Rektori Statovci.
Faktet dhe ngjarjet e mësipërme shpresoj të kenë dhënë tabllon besnike të përmasave të pamposhtmërisë e të sakrificës gjashtë vjeçare të Rektorit Statovci gjatë drejtimit të Universitetit të Prishtinës nën kushte okupimi e apart-hejdi, ndaj duhet ndarë me lexuesin. Për këto dhe të tjera arsye që nuk u zunë n’gojë këtu, Statovci paraqet shembull të lartë për t’u ndjekur. Ndaj, e quaj simbol rezistence. Ai bëri përpjekje të mëdha, të vështira e të rënda ndër vite, përtej asaj që sapo u tha këtu, për t’i qëndruar stoikisht presioneve e represioneve pushtetore serbe dhe nuk u zmbraps. Flijoi dhe tregoi vetëmohim. Ndaj, në sfondin e këtyre ngjarjeve, pos si simbol rezistence, e quaj edhe personifikim të rezistencës. Ndryshe, ishte prof. dr. Ejup Statovci që me të drejtë u cilësua nëpër media me togfjalëshat “arkitekt historik”,“Rektor historik” i Universitetit të Prishtinës të cilin do e pasojë prof. dr. Zejnel Kelmendi.
Në nderim të bëmave të mëdha që ka për Universitetin e Prishtinës, pavarësinë e Kosovës dhe kombin shqiptar, prof. dr. Ejup Statovcit iu ndanë: “Çmimi i Dhjetorit” (1980); “Mirënjohje” Universitetit të Prishtinës (1999); “Mirënjohje” pas vdekjes, (2000); Medalja Presidenciale e Meritave (2012), Medale Presidenciale Jubilare e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë (2018) titulli “Krenaria e kombit shqiptar” në 20 vjetorin e vdekjes (2019). Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, ne vitin 2009 financoi botimin e kompletit të veprave të prof. Statovcit.
Për fatin e tij të mirë, nëse mund të thuhet kështu, prof. Ejup arrijti të përjetoi ditëlindjen e parë të Kosovës së çliruar më 12 qershor 1999. Por, në luftë e sipër me sëmundjen që po e lakoniste prej kohësh, për fatin e tij të keq, iku nga kjo botë katër muaj pas, pikërisht më 19 tetor 1999, kur i kishte fiks 59 vjet, 6 muaj e 3 ditë jete. Sa i ri, do thoshim ?! Pothuajse fatin e njejtë të jetëgjatësisë e kishin përjetuar edhe dy kolos të botës intelektuale kosovare të shekullit XX duke ndërruar jetë kah mosha 60 vjeçare: Gazmend Zajmi (1936-1995) që ndërroi jetë në moshën 59.5 vjeçare dhe Bardhyl Çaushi (1936-1999) i cili ndërroi jetë në moshën 63 vjeçare. Ishte kjo vetëm një përpjekje e ish studentit të profesorit të respektuar Ejup që duke hedhur dritë në ca aspekte nga jeta dhe rava e jetës së tij të evokohet ky personalitet i shquar në vigjilje të 81 vjetorit të lindjes.
Ndryshe, me shuarjen e Ejup Statovcit humbëm të gjithë: familja – bashkëshortin dhe prindin e dashur, universiteti – prijësin e guximshëm dhe energjik, shkenca juridike – studiuesin e thellë, studentët – pedagogun e veçantë, ndërsa kombi humbi luftëtarin e devotshëm të çështjes kombëtare shqiptare. Prandaj, prof. dr. Ejup Statovci do të jetojë në kujtesën kolektive të një kombi të tërë. E ne i falemi tërësisht dhe e falendërojmë përultësisht !/ KultPlus.com