21 Mars, 2022 - 3:01 pm
Hapja e ekspozitës së dytë të këtij viti në galerinë e Bludencit allerArt filloi në mënyrë mbresëlënëse. U prezantua një seri fotografish shqetësuese të artistit dhe fotoreporterit kosovar Hazir Reka me titullin “Before and after the war”. Vizitorët u lutën në fillim të hapjes që të mbajnë qetësi. Tingëlloi një pjesë e operës Siegfried të Richard Wagner. “Në këtë operë shkrihen elemente të trishtimit, vuajtjes, reflektimit dhe dhimbjes. Daullet në këtë pjesë kujtojnë njoftimin për një marsh vdekjeje”, tha manfred Egender, kurator i galerisë.
Fotograf i njohur ndërkombëtarisht
“Ekspozitën e Hazir Rekës e patëm planifikuar para një viti e gjysmë”, tha Wolfgang Maurer, udhëheqës i shoqatës kulturore allerArt. “Atëherë patëm menduar se me këtë ekspozitë do të mund të nxisim një diskurs lidhur me atë që do të mund të bëhej për t’i shëruar plagët e luftës. Për shkak të luftës pushtuese të forcave ushtarake ruse në Ukrainë, kjo ekspozitë fitoi aktualitet të cilin nuk do ta dëshironim.” Pas disa shëtitjeve në art objekti dhe art konceptual, fokusi i kuratorit deri tani ishte kryesisht në pikturë. Në ekspozitën aktuale me fotografitë e Hazir Rekës, i lindur në 1961 në qytetin jugor kosovar Ferizaj, në plan të parë del aspekti i jashtëzakonshëm i fotografisë dokumentare. Fotografi ka jetuar mbi 30 vite në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Aty gjatë kësaj periudhe ka përcjellur praktikisht të gjitha demonstratat, pradat, marshet paqësore, si dhe jetën e përditshme. Lufta e Kosovës zgjati prej 28 shkurtit 1998 deri më 10 qershor 1999. Ajo është muri ndarës për periudhën para dhe pas të historisë krijuese të fotografive të Rekës, të cilat mund të shihen në Bludenc.
Simbolikë shprehëse
Hazir Reka filloi karrierën e tij si fotograf profesional para 38 vitesh me angazhimin në “Botën e re”. Pastaj fotografitë e tij u botuan në revista të tjera të rëndësishme jugosllave, por edhe në revista e gazeta presitgjoze perëndimore, si “New York Times” ose “Times Magazine”. Prej 1998 punoi për agjencinë e lajmeve Reuters përmes së cilës fotografitë e tij u shpërndanë në tërë botën, kështu edhe në “Spiegel”, “die Presse” ose “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Reka dokumentoi tërë konfliktin e Kosovës dhe luftën e Irakut. Ekspozita të veçanta të fotografive të tij janë organizuar në atdheun e tij, në Zvicër, Francë, Spanjë, Arabi Saudite, si dhe në Bregenz ku tërhoqi vëmendjen e Manfred Egender.
Në shkrepjet e fotografit të jashtëzakonshëm reflektohet në mënyrë subtile gjendja e një popullsie të përvuajtur, por pa ndikuar si vojariste. “Fotografitë nuk janë të inskenuara por komente të fuqishme fotografike të një bote agresive, të dalë nga binarët”, tha Manfred Egender. “Motivet në fotografinë e luftës janë të shkëmbyeshme. Me kornizën tematike “para dhe pas” mund të ndodhë përpunimi dhe analiza. Reka me fotografitë e tij fokusohet pikërisht te ato momente në të cilat dëshmia historike depërtohet nga ndjenja e tejkalimit të kufijve dhe nacionaliteteve – dmth. nga humaniteti.
Përktheu: Blerta Ismajli / KultPlus.com