27 Gusht, 2017 - 1:35 pm
Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të udhëtarëve të mëparshëm britanikë që udhëtuan në Shqipëri ishte dhe Edward Lear (1812-1888), peizazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani.
Pavarësisht sepse është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze”, Lear në fushën e studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851. Ditari është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Leare ndërmori në Shqipëri më 24 shtator –4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit “A journey through Albania and other European provinces of Turkish Empire” që vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin e XV, Krujën. E veçanta e Lear-it nuk është vetëm fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit( porti i Selanikut) por se udhëtoi gjatë e thellë në drejtimin jug-veri.
Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit” .Në 2 tetor të vitit 1848 ai arriti deri në Shkodër ku u prit nga Zvkonsulli Britanik Spridon Bonnati. Edward Lear kishte letra rekomandimi për z Bonnati dhe ai e rregulloi të flinte në shtëpinë e një farmacisti venecian të quajtur Marko. Pasioni i Lear-it ishte piktura dhe gravurat. Një nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit të XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin. Lear bënte pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peizazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe,ai vazhdimisht ishte në kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut. Për këtë arsye pas vizitave të kortezisë te Pashai i Shkodrës dhe drekës së shtruar për nder të tij, ai nxitoi që të nesërmen të pikturonte pejsazhet e mrekullueshme të Shkodrës. Përveç pejsazheve Lear skicoi dhe portretet e të njohurve të rrethit miqësor të Spiridon Bonattit që ai takoi në Shkodër.
Ditën e katërt të qëndrimit në Shkodër Lear-i e kish planifikuar për të pikturuar për miqtë. Që herët shkoi në shtëpinë e Konsullit përt të vizatuar një kapedan gegë, Abdullah Beun, i veshur aq mrekullisht në ato kostume në të kuq e me ar. I mrekulluar nga kostumet popullore shqiptare , Lear pikturoi Elena Bonnatin, vajzën e dytë të zv/konsullit britanik ne Shkodër, z Spiridon Bonatti, të veshur me kostum tradicional shkodran. Familja Bonatti kishte ardhur nga Korfuzi dhe ishte vendosur ne Shkodër. Me parë i ati i Elenës, kish shërbyer në Prevezë si konsull britanik. Ai shërbeu për një kohë të gjatë në Shkodër si zvkonsull i Britanisë së Madhe. Nga viti 1842-1847 pranë nën konsullatës britanike punoi edhe Pashko Vasa si sekretar i kësaj nën konsullate. Mesa duket në këto vite ai është njohur me Katerina Bonnatin(Ninën), motra e Elenës me të cilën ai u martua më vonë në 1860. Ata patën së bashku katër vajza dhe një djalë, ndër të cilët tri vajza dhe djali vdiqën në moshë të njomë, ndërsa vajza e katërt vdiq më vonë, por edhe ajo e re, në moshën 28–vjeçare.(Shkruan Dorian Koçi. Marrë nga Gazeta Shqip)./ KultPlus.com