23 Tetor, 2021 - 1:27 pm
Shkruan: Ballsor Hoxha
I
‘Kafiqi’ – harta e shpirtit të Prishtinës
II
Pandemia, ‘Kafiqi’ – a jemi përballë kotësisë së vlerave tona?
III
‘Kafiqi’ – sociologjia ku ndodh lufta jonë!
IV
Kafet e rakisë – “Rakia connecting people”
V
MIQT – ‘çmenduria’ e guximit Prishtinas
VI
Bon Vivant – të ndërtosh kulturën e një qyteti
VII
Ellie – guximi kulturor për të ndër-komunikuar me botën
(Vërejtje: ky shkrim merr për shembull ambientin Ellie në Rrugën B të Prishtinës, pavarësisht se i gjithë zinxhiri i këtyre lokaleve bartin shenjën dhe simbolikën e po të njëjtës!)
Prishtina është qytet që nuk ka pasur një kryqëzim udhësh, dhe me këtë edhe të udhëtarëve e të huajve, dhe aq më shumë nuk ka qenë qendër kryqëzimesh të civilizimeve. Ka qenë më shumë një qytet i tërhequr dhe i mbyllur përbrenda kosovares.
Zhvillimet arkitekturore, dhe aq më shumë kulturore, e sidomos ato të mikpritjes e shërbimeve të socializimit e të argëtimit janë tejet të vonshme. ‘Kafiqi’ i parë modern në Prishtinë ka qenë i hapur vetëm në fund të viteve shtatëdhjetë dhe fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Një prej party-ve të parë jashtë lokales së këtij qyteti dhe frymës së këtij qytetit ka qenë vetëm në vitet 90 të shekullit të kaluar me ardhjen dhe organizimin e Red Bull (pijes energjike).
Në ndërkohë Prishtina ka edhe ‘ambiente’ si Ellie. Arkitekturë krejtësisht me dizajn të kulturës së lartë dhe me ambient që të asocon në vende me aristokraci tejet të theksuar si Parisi e Londra, apo shumë më shumë ambientet latino amerikane, tejet të bukura si në Buenos Aires e Havana.
Në të vërtetë me ambiente si Ellie, Prishtina po e ndërton, apo të themi më saktë po e hapë anatominë e pamjes së saj si një qytet krejtësisht i përthyer në ndër-komunikimet arkitekturore, të shërbimeve të argëtimit e të socializimit, të kulturave globale dhe qyteteve që ruajnë historinë e këtyre fushave të ndër-njerëzores në botë.
Ambienti i Ellie e jep një hapje dhe hyrje tejet të gjallë, hollë të mjeshtëruar e të kultivuar, e gjithashtu edhe me impakt të madhështores së modernes klasike. Hapja dhe hyrja e Ellie është një ambient i cili i ngjanë dhe e imiton pallatin, e aq më shumë krijon ndjesinë e madhështisë.
Më tutje, Ellie, është i krijuar në atë mënyrë që përmes detajeve minimaliste në një ambient relativihst të kulturës së lartë, krijon afërsinë e klientit me këtë ambient. Për më shumë kjo afërsi është e ushqyer nga përzgjedhja e po të njëjtave detaje të cilat e bartin qoftë komunikimin dhe qoftë estetiken dhe kulturoren e një ambienti që në tendencën e tij përpiqet të ndërtojë një madhështi përjetimi. Në socializim dhe në argëtim.
Ngjyrat janë tërësisht të sofistikuara dhe amalgamojnë konkreten e betonit të mureve dhe të errëtën e detajeve të tij. Në të vërtetë, ngjyrat nuk janë të theksuara dhe as primare në vizurën e këtij ambienti. Ajo që është primare përballë këtij ambienti është përthyerja e objekteve minimaliste në një hapje tejet të arrirë estetikisht dhe të mishëruar në një tërësi që krijon gjallërinë dhe iluzionin e pafundësisë apo mospërfundimit të këtij ambienti.
Në fund, shërbimi, klientela, dhe rrethi ku ai gjendet, në mënyrë ekzakte e reflektojnë arkitekturën e kohërave të lindjes së modernizmit në Buenos Aires apo Havana, duke qenë se Ellie, me krijuesit e saj rri dhe hapet në Prishtinë si një e ardhme para kohës së vetë qytetit. Është hapja e Prishtinës, përmes krijuesve të saj, si ndër – komunikim global dhe ndër – komunikim i kësaj kulture të jetës.
Për shembull mund të jenë klientela e saj e cila shijon në Ellie diçka ende të panjohur, ende të pakonsumuar dhe ende të paçmueshme.
Sigurisht, Ellie, është këtu për të mbetur dhe ka gjetur komunikim e saj me atë që ka Prishtina. Me atë që mund të kapë apo shijojë Prishtina.
Ellie është guximi i dijes, pasionit dhe i mjeshëtirmit të kujdesit për të shërbyer, për të shijuar dhe për të ndërtuar kulturën e socializimit dhe të argëtimit. / KultPlus.com