2 Korrik, 2018 - 11:00 am
Rafet Rudi
Petriti…
Petrit Çeku përsëri në “Peja International Festival”! Ndoshta për dikë mund të ketë qenë thjeshtë një befasi (gjithsesi, e këndshme), por për mua, paraqitja e Petrit Çekut, kësaj radhe, kishte një sinjifikim, shumë më të thellë. Koncerti i tij i sërishëm e bën Petritin pjesë të pandashme të festivalit (fatmirësisht), dhe ai ngadalë po bëhet një lloj “engjëlli mbrojtës” i festivalit. Më duket se ky festival (bashkë me Garat e vlefshme e kitaristëve brenda tij), ka nevojë për përkrahje të emrave si Petriti, pa mëdyshje. Festivali është në fazën e konsolidimit organizativ, të promocionit mediatik, dhe është manifestim që po tërhjek (me arsye) vëmendjen e opinionit muzikor të vendit, të rajonit dhe në një të ardhme të afërt, ka gjasa të bëhet pikë e pashmangshme reference për instrumentistët e rinj që i përkushtohen këtij instrumenti aq të popullarizuar.
Programi i koncertit të mbrëmshëm ishte i qartë : ishin tre autorë, krejtësisht diferent, Bach, Schubert dhe Tárrega. Pa asnjë mëdyshje, Bahu ishte poenta e programit. Në këtë dëgjim të ri të Bahut të Petritit, s’mund të mos e shquajmë përshtypjen se ngadalë, Bahu, po bëhet një idiomë e artit të tij. Asgjë e re në këtë tendencë, do të thoshim, sepse kështu ka ndodhur gati te të gjithë interpretët e mëdhenj. Shumë artistë kulminant në botë, rritën e tyre artistike e masin me evoluimin e Bahut në universin e tyre interpretues. Për artistët me pretendime të mëdha, e rëndësishme është mënyra e përvetësimit të kësaj bote oqeanike të quajtur BACH. Lundrimi i suksesshëm, në krijimtarinë e këtij gjiganti, është determinues për karrierën e tyre.
Shumë herë i kam dëgjuar Suitat e Bahut në interpretim të Petritit, por në koncertin e mbrëmshëm, ‘Bahu i Petritit’, më dukej se kishte fituar konotacione të reja, të tjera nga ato interpretimet e tij të mëparshme. Çka ishte kaq e veçantë në këtë interpretim të ri? Nuk ishte, kurrsesi, fakti se dëgjuam një Bah të saktë në çdo aspekte, të stabilizuar, të pastër stilistikisht, meqë kjo, objektivisht, ishte të thuash e pritur nga ai, sidomos pas këtij dy vjetëshi të fundit, që ai merret intenzivisht me muzikën e tij, në radhë të parë për shkak angazhimit që ai ka pasur në botimin integral të gjashtë Suitave për një Shtëpi prestigjioze spanjolle…apo për shkak se ai për herë të parë, në këtë rajon ballkanik (si duket, edhe më gjerë) interpreton në mënyrë spektakulare i të gjitha suitate Bahut në një koncert të vetëm!!! Pra, nuk ishte kjo veçanti në këtë koncert. Kësaj radhe, mua më impresionoi përshtypja e fituar se Petriti është në fazë të kërkimit intenziv të asaj që mëshihet ‘pas notave’. Bile do të thosha se Petriti, tashmë i liruar nga çdo ‘presion’ teknik-interpretativ dhe memorik, atij, tashti kanë filluar “t’i pengojnë” notat dhe partitura e Bahut (!). Është një stad i ri i komunikimit të tij me muzikën e këtij gjeniu barokien! Është një evoluim ekzemplar i “Bahut të Petritit”. Thjeshtë, ai është duke synuar të nxjerrë në pah një dimension të rij, një dimension të veçantë bahovien, një dimension krejtësisht paralel, bile edhe të ndarë nga aspekti grafik (partitura) i veprës. Ky dimension, sado që është mistik, i largët dhe hyjnor, ai është, në esencë, thellësisht njerëzor! Nëse ka një produkt njerëzor në këtë botë (qoftë ai material apo shpirtëror), që nuk i nënshtrohet fuqisë gravituese të këtij planeti, atëherë ajo është muzika e Bahut, këtij hyu të pakontestueshme të mendjes njerëzore. Mbrëmë të dukej sikur Petriti thellohej pikërisht në këtë dimension. Sikur gjurmonte shenjat sekrete që Bahu i ka lënë njerëzimit, me qëllim dekriptimi të kësaj bote (jo gjithmonë të drejt dhe të njerëzishme – për më tepër, shpeshherë të vrazhdë dhe të frikshme). Ai lëvizte në një « realitet ëndërëje ».
(Ishte indikative që gjatë koncertit, në momente kur ne sallë, ndonjë “harestari” të pakujdesshëm i cingëronte telefoni, në atë moment Petriti, pa asnjë gestikulim, por në mënyrë rezolute e ndërpretë muzikën, dhe e vazhdonte të luan, në momentin që ndalej telefoni – ai thjeshtë, e ndërprente muzikën që të mos ndërpritet ëndërra!)
– Çdo depërtim të ri që ti bën në universin e pakufishëm të Bahut, për ne është hapje e një dritareje të re. Faleminderit Petrit për këtë!
Schuberti (6 Schubertian Songs – arr. J. Mertz for guitar) u luajt me një ndjeshmëri të theksuar, kongjeniale muzikës së mrekullueshme të këtij mjeshtri të lidit gjerman. Përkundër kësaj, edhe më tutje mendoj se jo e gjithë muzika klasike/romantike funksionon në këtë instrument, instrument që mban në vete konotacione eksplicite të muzikës së vjetër (renesansës dhe barokut). Për më tepër, kam përshtypjen se, edhe muzika bashkëkohore, tingëllon më natyrshëm në të.
Në vazhdim të koncertit, në program ishin miniaturat shumë të popullarizuara të kompozitorit spanjoll Francisco Tárrega. Ishte kënaqësi t’i dëgjoje këto margaritarë të Tárrega-s (Prelude, Recurdos de la Alhambra Marieta dhe Danza Mora), që aq shumë e kanë popullarizuar muzikën për kitarë. Në një interpretim të tillë, të relaksuar por edhe me qasje të përgjegjshme dhe shumë serioze, çfarë bënte Petriti, ato tingëllonin shumë të freskëta, me një sharmë të jashtëzakonshëm. Më gjasonin në interpretimet e kolosëve të pianos (Richter e Barenboim), kur luajnë sonatat e thjeshta të Mozartit (psh., Sonata facile).
Ehati…
Garat ndërkombëtare për kitarë klasike, që mbahet në kuadër të festivalit ‘Peja International Festival’, mban emrin e kitaristit tonë të famshëm, Ehat Musa. Për shumë arsye, organizatorët duhet përgëzuar që Garat i kanë emërtuar me emrin e një legjende të pakontestueshme të muzikës kitaristike po aq shqiptare/kosovare, sa françeze dhe ndërkombëtare . Ne që e njohim më për afër veprimtarinë kolosale të tij, ne që e përcjellim çdo hap të rëndësishëm artistik të bërë, në këto katë deceniet e fundit, thuajse nuk njohim një kitarist të këtyre anëve (të ish Jugosllavisë), që ka pasë një renome aq të lartë si Ehat Musa. Kosovarët, me të drejt kanë qenë krenar për këtë. Deri sa në fushën pianistike, violinistike etj., qendrat si Zagrebi, Ljubjana dhe Beogradi kanë pasur primatin e kuptueshëm, ne e kemi pasur në fushën kitareske Ehat Musën. Që nga edicioni parë, ai me përkushtim dhe dashuri mban ligjërata dhe Masterklas kitaristëve të rinj. Kjo është e vlefshme, por edhe të mos ishte ky kontribut direkt i tij, vet prezenca fizike e tij, është nder dhe poentë e rëndësishme e Festivalit. Ai është, do të thosha, ëmblema e Festivalit.
Pa asnjë mëdyshje, mendoj se Ehati do të vërej që në dyzetvjetëshin e fundit, ndryshimet (të cilat ai sigurisht i përcjellë nga afër), në botën kitaristike, janë shumë të mëdha. Kjo është e kuptueshme dhe logjike, kur dihet se në vitet e para të karrierës së tij, në tërë vendet ballkanike, dhe një pjesë të madhe të Evropës, nuk është mësuar kitara si instrument në Akademi artistike (!). Specialiteti i kitarës, në Akademitë muzikore ekzistuese, është futur relativisht vonë. Ka filluar në mesin e viteve ’70-ta, së pari në Zagreb, në Beograd dhe pastaj në qendrat tjera të rajonit, që sot të konkludojmë një ‘boom’ aritistik. Por është pikërisht Ehat Musa, personaliteti i tij artistik, pastaj Darko Petrinjak (profesori i Petrit Çekut dhe Xhevdet Sahatçiut), dhe Dushan Bogdanoviç (që të tretë emra europian, qoftë si interpret apo si pedagog), që arrijnë ta promovojnë kitarën si specialitet i shkollimit të lartë në Ballkan. Falë këtyre emrave veteranë, fillon edhe literatura bashkëkohore për kitarë (joekzistuese deri në atë kohë!), të shfaqet. Në dyzet vitet e fundit, pedagogjia kitaristike ka përparuar aq shumë, sidomos në aspektin e përparimit teknik-interpretues, sa që sot ajo është plotësisht në nivel të instrumenteve të tjera, të cilat kanë një rrugë të gjatë qindravjeçare. Derisa në koncertet e Ehatit, decenije më parë rrinin në publik, qindra adhurues të tij, sot, krahas tyre, rinë në sallë, qindra talent të ri. Për këtë, legjenda e kitarës klasike, Ehat Musa, duhet të jetë i lumtur dhe me arsye shumë krenar.
Është e pritur që me ndihmën e këtyre dy “engjujve mbrojtës” të festivalit, ideatori i festivalit, Profesori i çmueshëm i një brezi të tërë të kitaristëve të rinj, Xhevdet Sahatçiu, edhe më tutje do të llogarisë, së paku deri në arritjen e pikës së dëshiruar, që Garat e kitaristëve në kuadër të këtij festivali të bëhen vend prestigji për karrierën e tyre. /KultPlus.com