20 Janar, 2019 - 7:00 pm
Nga Lavdie Dobi Banushi
Ditët e fundit, në të gjithë rrjetet sociale, është bërë virale sfida e të krahasuarit të fotove para dhe pas. Kjo dëshirë për të parë nga e shkuara, e për t’u ballafaquar me te sotshmen ka prekur këdo. Nuk përcaktohet saktë kujt i përket merita e të parit/ës që u bë nismëtar i kësaj “epidemie narcisiste”.
Këtij “virusi” për të evidentuar ndryshimet fizike përgjatë 10 viteve nuk i kanë shpëtuar yje botërorë, personazhe publike e njerëz të përditshmërisë. Ka edhe nga ata që kanë pakënaqësi dhe zgjedhin ashtu si padashje një foto të pesë-gjashtë viteve më parë. Këta/o autokritikë herë krenohen e herë demoralizohen për këtë mos ndikim që faktori kohë ka.
Motoja dhjetë vite më parë, na rikujton kush ishim, e cilët jemi sot. Mbase kjo sfidë i tejkalon pritshmëritë që kemi ndaj vetes, i kalon kufijtë e fizikes, shkon përtej tek mentalja, profesionalja, e realizimi. Pas këtyre viteve fshihet një histori jetësore. Pas rrudhave të shtuara, kilogramëve të vëna, stilit të ndryshuar të veshjes, pozimit përballë aparatit fshihet dicka më tepër. Kjo modë e fundit e para dhe pas-it, ka të bëjë edhe me vetëreflektimin. Thirrja “kujto kush ishe” e ” shiko kush je” duket sikur të ngacmon ndërgjegjen e thërret “kush do të jesh”? Një fotografi e shkrepur vite më parë, të shton vullnetin për ta dashur veten edhe sot. Sa vlerë mbartin dy poza? Sa rëndësi ka ” privatja” jonë, e dëshira për t’u bërë domosdoshmërisht “publike”? Vlen me siguri për tu përgjigjur në çmendurinë mediatike të rradhës.