Etër e bij, dy botë përballë njëra – tjetrës

3 Gusht, 2019 - 12:00 pm

Nga Batjar Halili

Kohëve të fundit në shoqërinë kosovare shikojmë prishje të raporteve të prindërve me fëmijët e tyre. Sociologët i shohin në këndvështrimin e konfliktit të gjeneratave, psikologët me raste e lidhin me çrregullimet, me zhvillimin dhe formimin e individit. Kurse specialistët e fushave të komunikimit e lidhin me pamundësinë e komunikimit e ndikuar kjo nga shoqëritë patriarkale ku me i madhi (burri)  ka qenë shtylla e shtëpisë ka dituar apo nuk ka ditur të udhëheqë fjala e tij është dashur të shkonte deri në fund me apo pahir. Por nëse e shikojmë në këndvështrimin e fushës së psikologjisë ky problem duhet të shtrohet në tri fushat e studimet e lartpërmendura. Nëse e shikojmë në bazë të zhvillimit të sociologjisë ky realitet shoqëror është konflikt ndërmjet gjeneratash. Nëse e ndërlidhim me shkencat e komunikimit edhe këtu e kuptojmë se kjo ka ardhur nga mungesa e një komunikimi dhe marrëdhënie të shëndoshë prindër – fëmijë që çon në një situatë konfliktuale.

Por nëse i referohemi fushës së psikologjisë dhe bëjmë ndërlidhjen me dy fushat e lartpërmendura duhet t’i futemi një shtjellimi më të detajuar. Gjeneratat e viteve 1950 e mbrapa, shumica e tyre, kanë qenë emigrant në kërkim të sigurimit të bukës së gojës, dhe shkuarja e tyre në vende të përparuara dhe me kulturë evropiane këta i ka gjetur të papërgatitur, sepse kanë shkuar që nga bastuni (shtaga e çobanit), pra, nuk kanë pasur profesion, nuk kanë pasur shkollim, dmth maksimumi që mund të kenë pasur është shkolla e mesme. Ata nuk kanë shkuar me familje në vendet e huaja,  kanë qëndruar të anashkaluar dhe këto aspekte kanë bërë që ata për disa vite me radhë të punojnë si punëtor krahu dhe të luftojnë me jetën. Disa prej tyre edhe janë martuar dhe i kanë lënë gratë e tyre, disa pak më me “seder familjare” nuk janë martuar, por kanë mbajtur dashnore dhe në realitetin e shoqërisë sonë janë prezantuar si “të ndershëm”.

Kur përmblidhet e gjithë çështja e lartrajtuar këta lloj tipash çekiçë (çekanë) kanë shkuar dhe kur janë kthyer kanë gjetur një gjeneratë të re që i kanë parë si gozhda,  e ata në rolin e prindërit kanë menduar se duhet t’i rrahin në kokë siç goditen gozhdët. Por realiteti këtu ka funksionuar ndryshe. Rinia ka përparuar ose përmes të mësuarit (shkollimit), ose përmes të parit dhe përvojave ndaj nuk pranojnë të shtypen, nuk konformohen lehtë me rregullat prindërve të tyre të modelit të çekanit, ata reagojnë dhe shprehin pakënaqësi. Mirëpo nga ana tjetër edhe një i moshuar nuk pranon rregullat e reja kur kthehet në një mjedis të ri, në familjen e tij të shndërruar pothuaj e huaj për të tashmë, falë mungesës së tij. Kjo ndodh sepse të rritesh nën ndikimin e urdhrave siç janë rritur këta lloj prindërish në fëmijërinë e tyre, me rregulla të bazuara në dhunë, që nuk u jep mundësi tjetër pos vetmisë dhe deleve në fushë, dhe të formuar e pjekur në një mjedis të ri që prapë është i bazuar në dhunë, veçse kësaj radhe nën një dhunë dhe presion i karakterit drejtues – i drejtuar. Pra, kanë shkuar në perëndim, por kanë mbetur edhe atje të shtypur dhe njëkohësisht kanë ndjerë mungesën e familjeve (gruas, fëmijëve dhe të afërmeve) këto situata të lartcekura Frojdi i ka quajtur frustrime të zhvillimit të individit të cilat veprojnë nga sfera e pavetëdijes, duke bërë që personat në fjalë  (këta prindër) të bëhen shtypës të ideve të reja e përparimtare të shprehura dhe parashtruara nga këta të rinj. Duke qenë se jemi nga fusha e psikologjisë, dashur pa dashur, shpesh na bie që t’i analizojmë veprimet e tjerëve. Duke pyetur vetën pse bën ky kështu apo ai ashtu? Kam pasur rastin të shoh pensionist i cili thyente televizorët në shtëpinë e tij vetëm pse djemtë e tij shikonin televizorin natën vonë, e shqetësonte fakti pse të rinjtë flinin ditën, e shqetësonte fakti se pse shkonin për të bërë plazh me familjen, por këta analfabetë dhe psikopatë të pengojnë që të realizosh vetveten edhe në shtëpinë tënde si komshinj. Si shtypës që janë këto mendime i induktojnë edhe në sferat e pavetëdijes së të rinjve d.m.th. në gjeneratën e re.

Pra, në psikologji quhen çrregullime të marrëdhënieve interpersonale. Marrëdhënia interpersonale është një proces në të cilin njerëzit përcjellin ndjenjat dhe mendimet të cilat ata duan t’i përcjellin njëri – tjetrit me apo pa vetëdije.

Cilado qoftë përmbajtja, njerëzit duhet të shkëmbejnë ide, me fjalë të tjera, të komunikojnë për të zgjidhur një problem. Në një shoqëri ku aftësitë e civilizuara të të folurit dhe të diskutimit nuk janë zhvilluar, bashkëveprimi i filluar për të zgjidhur një problem shndërrohet në fërkime dhe konflikt në një kohë të shkurtër. Konfliktet e përgjakshme në shumë vende të botës qëndrojnë në rrënjën e çrregullimit të komunikimit në mjedisin shoqëror të krijuar në kushte të pavetëdijshme.

Cilësia e marrëdhënieve të një personi tregon cilësinë e jetës së tij. Problemet e marrëdhënies janë, në të vërtetë, probleme të komunikimit, shkëmbimit të mendimit dhe manifestohen në aspekte të ndryshme të jetës. Probleme të tilla mund të ndodhin midis jush dhe prindërve tuaj në jetën tuaj familjare: ata mund të mos dëgjojnë idetë tuaja, ata mund të hedhin poshtë vazhdimisht mendimet tuaja. Kurdo që të përpiqeni të flisni, mund ta gjeni veten në një diskutim të anashkaluar.

Është e pamundur të jetosh një jetë të përmbushur pa zgjidhur problemet e komunikimit. Shumica e njerëzve po përpiqen të arrijnë një jetë të përmbushur: të shkojnë në shkollë për shumë vite, të përpiqen të ngrihen në profesion, duke u përpjekur ta mbajnë familjen në mënyrën më të mirë dhe t’i rrisin fëmijët e tyre në mënyrën më të mirë, të bëjnë një jetë kuptimplote dhe të përmbushur. Komunikimi është mjeti më i rëndësishëm për të arritur një jetë të përmbushur duke e kënaqur vetveten dhe familjen. Jeta pa komunikim, me xhelozi, me frustrime, me rrahje ndërvllazrore me shantazhe dhe denigrime është jetë që të çon në mjerim.

Batjar Halili (psikolog)

Të ngjajshme