20 Shtator, 2017 - 1:22 pm
Fahri Musliu: RTK nuk ka shënuar 18 vjetorin, ky institucion nisi punën në vitin 1945
Gazetari Fahri Musliu, i cili poashtu ka qenë pjesë e RTK-së, ka reaguar me rastin e shënimit të 18 vjetorit të RTK-së, shënim i cili u bë nga vetë ky institucion, pasi që, sipas Musliut, me këto deklarata po bëhet falsifikimi i historisë, shkruan KultPlus.
Ai ka shkruar në rrjeton social facebook për kato shtrembërime, më poshtë mund të lexoni të plotë reagimin e tij.
RTK dje e ka shënuar 18 vjetorin e themelimit, mirëpo ky është një falsifikim i tmerrshëm i të vërtetës që po i shitet opinionit dhe njëkohësisht, në këtë mënyrë, po e mohojmë të kaluarën tonë.
Historiku i RTK nuk nis nga shtatori i vitit 1999, por shumë më heret: Radio Kosova punën e vet me emetimin e lajmeve e nis më 5 Shkurt të vitit 1945 në Prizren, si Radio Prizreni , kurse nga vjeshta e vitit 1946 kalon në Prishtinë, si Radio Prishtina. Fjalët e para në ekranin televiziv në shqip u emetuan më 29 Nëntor të vitit 1966 (nga TV Beogradi), ndërkaq TV Prishtina u themelua më vendimin e Kuvendit të Kosovës, më 15 Maj 1973, (dhe funksiononte në kuadër të TV Beogradit), por si televizion i pavarur RTP nis të emetoj program që nga 14 Shtatori i vitit 1975. Kjo do të thotë se Radio Kosova është themeluar para plotë 72 vitesh kurse Televizioni para 50, respektivisht para plotë para 42 vjetësh.
Edhe radiotelevizionet e ish republikave jugosllave të cilat e mbanin emrin e kryeqytetit, pas shpalljes shtete të pavarura, e ndërruan statusin e tyre në mediume publike duke e marrë emrim e shtetit, por nuk ju ra ndërmend që ta shlyejnë vitin e themelimit. Pse mohohet kjo e vërtetë dhe falsifikohet historia? Kujt i shërben kjo? Deri kur do të heshtim dhe tolerojmë falsifikime e gënjeshtra të tilla?
Është turp që një falsifikim të tillë e pranojnë ata që punojnë në këtë medium, e “luftojnë” për të vërtetën. Unë si pjesë e këtij mediumi (01.06.2005 deri 31.07.(31.12) 2013 e kam kundërshtuar këtë falsifikim dhe kam kërkuar nga tjerët ta ngrenë zërin, por kot! Interesi personal, politik e klanor mbi të gjitha. Historia edhe ashtu është e falsifikuar. Ama po harrohet se kush e mohon të kaluarën nuk mund ta ndërtojë të sotmen dhe nuk ka të ardhme!/KultPlus.com