Fevzi, kush të ka “përdhunuar” në fëmijëri?

19 Nëntor, 2019 - 9:24 am

Nga Bledi Mane

1./
Ti e mban mend, e mban mend atë beharin e djersitur të vitit 2002. Rexhep Meidanit po i mbaronte mandata dhe politika shqiptare kërkonte një President Republike konsensual. I ndjeri shkrimtar Teodor Laço nga rradhët e opozitës propozoi Ismail Kadarenë, por ky burri gjirokastrit nga Parisi ktheu përgjigje të prerë:
-Jo! Unë jam dhe mbetem një shkrimtar që i shërbej iluminizmit të atdheut tim nëpërmjet letërsisë.
Ndryshe nga çeku disident Vaclav Havel, Kadare fisnikëroi edhe një herë tjetër profesionin dhe nacionalitetin e rrënjëve të tija.
2./
17 vite më pas, 11-17 nëntor 2019.
Fillimjava u ngrys me programin Opinion te TV Klan, Blendi Fevziu si gjithmonë në ekranin kombëtar. Pastaj e marta me Fevziun, e mërkura me Fevziun, e enjtja me Fevziun, si për çudi edhe e premtja e Zonës së Lirë të Arjan Çanit me mysafir Blendi Fevziun.
Të shtunë robi shkonte në Panairin e Librit por përsëri aty ishte Blendi Fevziu me botimin për gjyshet ndërkohë e djela te stadiumi i ri në ndeshjen kundër Francës na gjeti me Blendi Fevziun veshur kuqezi në shkallët e Arenës Kombëtare.
Facebook me Fevziun, instagram me Fevziun, ekranet televizive me Fefziun, portalet me Fevziun, udhëtimet nëpër botë me Fevziun, botime librash me Fevziun. Ndoshta ju nuk e dini por edhe protestat e studentëve të dhjetorit 1990 me Fevziun janë. Protestat moderne të studentëve dhjetor 2018 me Fevziun, gjyqet për prona te Pedonalja e Tiranës dhe Gjirit të Lalëzit në Durrës prapë Fevziun protagonist kanë. Mos përtoni, mësoni edhe disa fakte të reja:
Kur filloi botimin gazeta e parë opozitare Rilindja Demokratike në janar 1991, Fevziu botonte shkrime. Edhe në zgjedhjet e majit 1996 kur partia e Neritan Cekës, Aleanca Demokratike doli kundër Berishës, Blendi Fevziu ishte kandidat për deputetet.
3./
Çdo natë nëpër ekranet e televizioneve janë ata, tashmë edhe me botime librash nuk ngurojnë të shfaqen ata, ata rutinëzuesit e së përditshmes tonë:
Grida Duma, Iva Tiço, Anxhela Martini, Mustafa Nano, Andi Bejtja, Edmond Tupe, Preç Zogaj, Besnik Mustafaj, Blendi Fevziu, shef Renato Mekolli, Arbana Osmani.
Harrova tu them që këtë vit ka botuar libër edhe vajza e Niko Peleshit!
4./
Ismail Kadare është përkthyer anembanë planetit në më shumë se 46 gjuhë të ndryshme. Ka fituar dhjetëra çmime prestigjioze, dhe mos harroni për rreth 25 vite kandidohet për Çmimin Nobel në Letërsi.
Ndërthurur stilistikën e tij unike me tregimtarinë e historisë dhe dramat e Shqipërisë. Ka ngritur në art orientimin tonë kolektiv oksidental e përsëri mbetet modest dhe racional.
Ismail Kadare është dashuri e patjetërsueshme, e nevojshme, eterne e megjithatë nuk shfaqet kaq dendur e kaq besdisshëm edhe si shkrimtar, edhe si gazetar, si prezantues, si kuzhinier, si bloger, si fashionist, si opinionist, si politikan, si sharlatan.
Lexo Kadarenë, mëso, reflekto dhe oriento veten! / KultPlus.com

Të ngjajshme