Filmi “All quiet on the Western Front”, rreth i të qenit ballë për ballë me vdekjen

8 Nëntor, 2022 - 2:40 pm

Nga Ballsor Hoxha

(Ky film është krijuar në regjinë e Edward Berger, bazuar në romanin shumë të njohur të Erich Maria Remarque në të njëjtin titull.)

Filmi fillon me klishenë e disa të rinjve që falsifikojnë nënshkrimin për të marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore, gjegjësisht në anën e Gjermanisë (Prusisë).

“Për dy javë do të jemi në Paris” ia përsërisin njëri tjetrit, këta të rinj, menjëherë pasi që kuptojnë se lufta ‘është e mundshme’ edhe për ata.

Po të njëjtit të rinj që falsifikojnë nënshkrimet për të “qenë në Paris për dy javë”, vdesin në sulmin e parë, pos njërit, të cilit i thuhet qysh në ditën e parë se do të vdesë para mbrëmjes së parë në front.

Ky film është film për luftën, përjetimin e saj në detajet e saj, pafundësinë e saj, padallueshmërinë e anëve në front, dhe sigurisht, tragjedinë e saj.

Dhe me këtë hyjmë në rrethin e parë të frontit të luftës. Rreth i të qenit ballë për ballë me vdekjen. Dhe në anën tjetër harrimin përjetë të Parisit, jetës dhe botës siç e kemi njohur. Në të vërtetë vetë vdekjen e bartësve të fillimit të filmit.

Sa më shumë që penetrojmë në zonën e frontit/luftës, aq më thellë ndahemi nga jeta. Ushqimi, vjedhja në fermën e afërt me frontin, të një shote, dhe gjatë të ngrënit të saj rikujtimin e jetës dhe tërë asaj që ajo përmban. Pastaj, harrimin dhe rikujtimin e femrës, një takim krejtësisht i rastësishëm, dhe rikujtimin e saj përmes brekëve të marra kujtim nga njëri prej ushtarëve; ndarjen e përbashkët të aromës së tyre, rikujtimin e jetës.

Me vazhdimin e filmit, shkëputemi nga jeta, nga bota siç e njohim, duke penetruar thellë e më thellë në zonën e luftës. Shpeshherë gjatë luftimeve ndërthuren frontet dhe nuk dihet kush kënd është duke e vrarë. Krijohet efekti i përhumbjes në front, në zonën e luftës, derisa përhumbet gjithashtu edhe rëndësia e jetës dhe me këtë rëndësia e luftës derisa të rinjtë e dërguar në front janë të mbetur në zonën e zjarrit dhe duhet të vrasin çdo gjë dhe të vriten deri në asgjë.

Shkëputja është rrethore, prej bazës së rekrutimit, kur Paul Baumer (aktori Felix Kammerer), ushtari në rolin kryesor merr teshat e një ushtari të vrarë, me emrin e mbetur në uniformën e ‘re’ të vetë Baumer. Më tutje duke vazhduar shkëputjen në front, ku çdo gjë është zjarr, eksplodim dhe vrasje e njëri tjetrit, njerëzoren harruar në vijën e rekrutimit, apo në ato “dy javët për në Paris”.

Kjo rrethore e kalimit të njeriut nga një naiv, apo ndoshta thënë më saktë, nga një i rrëmbyer nga entuziazmi shoqëror dhe propaganda e luftës, në krijesë që ka humbur orientimin njerëzorë, njerëzoren dhe qeniesimin sipas ligjeve nga ku ka ardhur, e ku gjendet, e që është një masakër totale, e njerëzimit.

Në njërin nga luftimet e fundit bartësi i tërë ngjarjes ushtari të cilit i thuhet se do të vdes që në ditën e parë në front, Paul Baumer, humbë të gjithë bashkëluftëtarët. Por para kësaj ka një detaj ku njëri nga shokët e tij të luftës, Albert Kropp (aktori Aaron Hilmer), varë në istikamin e tij një vizatim të një gruaje franceze (printim për shfaqje teatrale). Ai, luftëtari, e fton atë në istikam, e fton në betejë, bisedon me atë, disa momente para se të vritet. Përpos tragjedisë së kësaj skene, reflektohet dhe dëshpërimi dhe kalimi i njeriut në një zonë tjetër të qeniesimit, në pakthyeshmëri, në të vetëdijshëm për atë që po bën dhe që do t’i ndodhë, vdekja.

Ironia dhe çnjerëzorja e këtij detaji, apo kësaj sjelljeje, e shfaqë njeriun të pa shpëtim, në kaosin e masakrës së njerëzimit (me 17 milion të vdekur gjatë kësaj lufte), të zhveshur në atë që e ka shndërruar lufta: krijesë pakthim dhe pa jetë të mbetur tutje, tërë ajo që ndodhë është pikërisht përplasja dhe pafundësia për të dalë prej kësaj masakre, në të gjitha stratat e organizmit mbi dhe në këtë luftë. Pamundësia për të ndalur njeriun, krenarinë e tij, tragjedinë e tij, dhe aq më shumë pamundësia për të përpirë po të njëjtën tragjedi, posaçërisht në stratat më të larta të organizimit komandues.  

Më pas bartësi i tërë ngjarjes, në rolin kryesor, Paul Baumer, në një luftim tjetër mbetet në llucë me njërin nga ushtarët e armikut. Në dyluftim ushtari Paul Baumer e therë disa herë ushtarin armik (francez). Por të mbetur të dy në të njëjtën llucë, pa ndonjë njeri tjetër, ushtari në rolin kryesor nuk mund të durojë rënkimet e tjetrit. Ia mbush gurmazin me dhe, por megjithatë ai vazhdon të rënkojë. Pas një kohe, mbetur vetëm me armikun, të të dëgjuarit e rënkimeve të tij, megjithatë ushtari Paul Baumer ndërgjegjësohet dhe fillon t’i japë ndihmë të parë po të njëjtit ushtarë të armikut. Derisa po ky nuk vdes. Më pas karakteri Paul Baumer kërkon në xhepat e tij dhe gjen një foto të gruas dhe të vajzës së ushtarit të vrarë nga Baumer duke i premtuar vetes se do të vizitojë familjen e ushtarit të mbytur, gjë që asnjëherë nuk e bën duke i pas humbur diku po e njëjta fitografi.

Këtu dhe përfundon shkëputja, dhe fillon kthimi. Jo ai në jetë, jo ai në paqe, jo ai në botën siç e imagjinojmë, por është kthim në ndërgjegjen shkatërrimtare dhe që ka shkatërruar, çdo gjë, prej vetes deri tek një njerëzim të tërë.

Fillojnë vetëvrasjet, dhe përballja me pamundësinë e shpëtimit, jo më nga lufta, pasi që është vendosur paqja, por nga vetja, nga harrimi i njerëzores dhe aq më shumë pamundësia e cilitdo kthim në jetë, me tërë atë që është përjetuar.

Dhe ky është kthimi në rrathët e prapmë, tutje më pas dhe më afër jetës, së mbetur, tanimë të shkatërruar, apo të harruar.

Por, lufta kurrë nuk ndalon. Tragjedia, qoftë edhe e një të vrari në luftë në emër të dikujt tjetër, është e pamundshme të përpihet. Dhe pikërisht për këtë ajo kurrë nuk përfundon. Kaosi i krijuar dhe jetësuar me vite, vazhdon tutje dhe pas në afërsinë e paqes dhe jetës. Edhe një herë duhet shkuar në front. Edhe një herë duhet sulmuar armiku. Edhe një herë duhet shkatërruar. Apo, thënë ndryshe, edhe një herë duhet të dëshmuar krenaria, qoftë e humbësit e qoftë e fituesit. Është kaos në të cilin janë të humbura të gjitha stratat e njerëzores.

Dhe saktësisht në këtë sulm të fundit, apo të pandalshëm, vdes karakteri Paul Baumer, i dëshpëruar, duke pas parë shokët e tij duke bërë vetëvrasje nga pamundësia për të përballuar tërë atë që është jetësuar gjatë luftës. Duke pas parë shokun e vetëm të mbetur, bashkëluftëtarë, të vritet nga një fëmijë, krejtësisht në mënyrë të pandjeshme dhe të pa ‘lavdinë’ e heroikes. Tërë kjo duke pas ndodhur, e shtyen karakterin kryesor në luftë të pakthim, e kthejnë edhe një herë në front, pas paqes së arritur, stratat organizative të luftës, dhe ai kthehet i bindur, i vdekur, dhe vdes, siç nuk ndodhë në filma e në magjinë e jetës, vdes në momentet e fundit të luftës! Apo të fillimit të një armëpushimi, deri në luftën e radhës! / KultPlus.com

Të ngjajshme