Filmi “Mbi qentë dhe tapetat” – “I love to be loved”

15 Tetor, 2020 - 2:33 pm

Ballsor Hoxha

Filmi Mbi qentë dhe tapetat i regjisorit të mirënjohur Visar Morina, është film tragjedi e cila ndërtohet në mënyrë pasive, e cila në mënyrë latente krijon rrëfimin për vetminë e njeriut, dhe ligësinë dhe dhembjen që ajo e buron.

Por kur pyetesh se cila është “ e keqja që duhet përballur” në këtë tragjedi, del se realja (sipas konceptit të The Real të Lacan), pandjeshmëria e botës ndaj njeriut, është vetë kjo e keqe. Realja e cila ka dezintegruar njeriun në ndërnjerëzoren e tij dhe e ka bërë të dorëzohet ndaj pafuqisë së tij.

Pandjeshmëria e botës, është vetë pandjeshmëria e njeriut për njeriun dhe shkëputja e ndërnjerëzores. Është tablo e cila kapë rrezikun e vetmisë dhe ferrin ku është izoluar njeriu.

Filmi Mbi qentë dhe tapetat i regjisorit Visar Morina përfundon me fjalinë “I love to be loved”. Është film i cili e zbulon pikërisht psikologjinë e njeriut, i cili ka ardhur në stad ku çirret se “do të jetë i zhveshur para zotit dhe të mos ketë turp”, psikologjinë e po të njëjtit e cila gjatë filmit gjarpëron ndërmjet dashurisë dhe krimit, dashurisë dhe urrejtjes, dashurisë dhe paevitueshmërisë së dhembjes.

Janë dy pleq në një apartament, bashkëshortë, ku gruaja është e paralizuar në karrocë për persona me aftësi të kufizuara, të cilët vizitohen nga djali i tyre, për t’u kujdesur për nënën/bashkëshorten derisa bashkëshorti do të udhëtoj në një udhëtim me “Kishën e tij”.

Në këtë ndërtohet një dramë ku janë dy pleq që gatuajnë, janë të dhënë pas kishës së tyre/tij, luajnë lojëra shoqërimi pas darke. Por që në të vërtetë, në latencën e kësaj jete “plot përkujdes”, shpërthejnë momente të agresionit, urrejtjes, dhe aq më shumë edhe krimit klasik. Në dy momente: 1. Kur dikush (pavarësisht se në apartament gjenden vetëm dy bashkëshortët dhe djali i tyre) ka liruar mbajtësen për bashkëshorten e paralizuar dhe ajo pëson asksident gati se fatal; dhe 2. Kur bashkëshortja e ngulfat bashkëshortin  në një shpërthim krejtësisht të beftë për shkak se ai ka lënë letrat e tualetit jashtë mundësisë së saj për t’i arritur ato; urrejtja, dhembja, dhe krimi bëhen të qartë si pjesë e jetës së përditshme të tyre. Në të vërtetë, sipas këtyre dy jetëve që këta dy bashkëshortë jetojnë, lojërat e shoqërimit me darkat dhe kishat e tyre në njërën anë, dhe në anën tjetër urrejtja, dhembja dhe krimi që shpërthejnë krejtësisht beftë në film, janë përditshmëria e tyre. Gjë që shpërfaq në mënyrë tejet të arrirë “hell is the other” (Sartre), apo thënë më saktë, se dashuria dhe urrejtja e njeriut ndaj njeriut, kalojnë në diçka të pandashme në pafuqinë e tij ndaj reales (The Real sipas Lacan) së jetës, dhe kjo në dy shtresat e punës së Visar Morinës: konteksti dhe universalja. Pleqëria dhe pafuqia e njeriut përballë reales së jetës.

Filmi Mbi qentë dhe tapetat është film mbi tragjiken e njerëzores. Shtruar në dy shtresa krejtësisht të sofistikuara dhe mishëruar me narracion i cili bartë tërë këtë tragjedi:

Në shtresën e parë është konteksti, drama në kohë reale të filmit, që është vëzhgim i kujdesshëm i njeriut në pamundësinë për të ikur nga tjetri, nga lidhja, nga raporti, nga pafuqia e tij përballë reales, nga vetja.

Në shtresën e dytë është universalja në pafuqinë e tij, plakjen e njerëzimit dhe me këtë dorëzimin reales, dhe kësaj pafuqie, impotencës simbolike të njeriut si zgjedhje, dhe ndërthurjen e dashurisë me urrejtjen nën këtë pafuqi.

Në bisedën e babait që është në prag të çmendurisë (derisa kjo shfaqet qartë në fund të filmit) me të birin e tij, babai e pyet të birin

“Ç’do të bësh me jetën tënde”;

“Asgjë” i përgjigjet i biri;

“Po një fëmijë bile?” i thotë babai

“Unë fëmijë” përgjigjet djali, dhe vazhdon “po ç’më duhet”.

Njerëzorja, njeriu ka zgjedhur të – ruhet – nga tjetri, qoftë edhe nga fëmija dhe nga lidhja me njeriun tjetër. Është zgjedhje për t’iu dorëzuar asaj ku gjendet pa kusht as dëshirë – në jetë, dhe për të harruar.

Njerëzorja, dhe njeriu, parë nën pëlhurën e filmit mjeshtëror të Visar Morinës, si në shembullin e një nga protagonistët e filmit, në bashkëshortin/babain, është ferr i vetmisë, me lidhje të paevitueshme, ferr i përditshëm me “dashurinë” e tij, dhe mungesa totale e ndjenjës për tjetrin, deri në psikopati latente, dhe krim jo dhe krejtësisht të paramenduar. Por ky krim i “paparamenduar”, në filmin e Morinës, nuk është agresivitet as kërcënim, është në të vërtetë e liga e lindur dhe e jetësuar përbrenda ferrit të përditshmërisë në përballje me realen, me pafuqinë, me impotencën dhe me pleqërinë në fund.

Në kontekstin dramatik të filmit, zhvillohet marrëdhënia në një familje: babai, nëna dhe djali. Është film i cili përmes familjes shpërfaq tëhuajsimin dhe lidhjen ndërnjerëzore si relike, si ritual i harruar që përsëritet pa asnjë mishërim jete. Dashurinë dhe urrejtjen e njërit për tjetrin. Në momentin e takimit të të birit me nënën, i biri i cili ka ardhur të kujdeset përkohësisht për nënën e tij, ai vetëm aty kupton se ajo është tanimë e paralizuar. Babai nuk ia jep të birit paratë e premtuara – për kujdes të të birit ndaj nënës -. Nuk ka as jetë dhe as vazhdimësi të saj. Është impotencë simbolike e cila ka përfunduar në shkëputje totale megjithëse bashkëshortët, babai dhe nëna, ende darkojnë së bashku, luajnë së bashku dhe vazhdojnë të jetojnë sikur të martuar. Është jetë e cila ka mbetur e harruar në ritualet e saj megjithëse krimi është i vazhdueshëm në këtë bashkëshortësi. Megjithëse e liga ka mbizotëruar. Megjithëse impotenca gërryen çdo njerëzore ndërmjet tyre.

Është film për njeriun, i cili përsërit në kor “

“Jezusi banon në mua”;

“Jam i lidhur me zotin dhe përmbushem brenda tij”;

”Jam një me natyrën e shenjtë”;

“Zoti më do, më do dhe është unë”;

“Zoti është në kontroll për çdo gjë për mua”.

“Të falënderojmë zot”.

Nëse e përcjellim përmbajtjen e këtij kori kishtar, kjo është përshkallëzim i dorëzimit të njeriut në pafuqinë e tij ndaj reales, shpëlrbërje e egos dhe kalim në deluzion:

– kalimi i njeriut në papërgjegjësinë, apo pavetësinë e tij

– totalizimi i papërgjegjësisë dhe pavetësisë së tij

– projektimi i një shënjimi të jashtëm përbrenda si dorëzim

– dashuria e vetes por vetëm përmes ndërmjetësuesit (e që është zoti në këtë rast)

– dorëzimi total ndaj pafuqisë me projektim zotin si kontroll

Në këtë përshkallëzim shpërfaqet tërë vetmia e njeriut në pafuqinë e tij për t’i bërë ballë jetës në vetmi. Së pari mungesa e vetes, personit dhe individit, shkatërruar dhe dezintegruar nga vetmia. Dhe së dyti, mungesa e një njeriu, mungesa e tjetrit, mungesa e ndërnjerëzores, mungesa e lidhjes së mirëqenë. Kështu duke i dhënë të drejtë një entiteti tjetër, qoftë religjioz, qoftë psikologjik, për të bartur vetminë nga e papërballueshmja e reales në diçka tjetër prej saj.

Duke iu kthyer përfundimit të filmit, që vjen menjëherë pas këtij kori, fjalisë “I love to be loved”, regjisori Visar Morina ka ndërtuar një psikologji të vetmisë e cila, paradoksalisht, është edhe e izoluar në raportin ndërnjerëzor edhe e vuan mungesën e raportit ndërnjerëzor.

Njeriu i cili çirret “I love to be loved” është në të vërtetë njeriu i cili çirret “dua të më duan”, derisa askush nuk e do askënd. Pikërisht kjo çjerrje në kor dhe vetëm e njeriut është nënshtrimi i tij nga realja. Krisja e tij nën realen, në të keqen, nën pafuqinë ndaj saj.

Pandjeshmëria e botës ndaj njeriut, si universale, në këtë film të Visar Morinës, është pandjeshmëria të cilën e kemi ndërtuar vetë si njerëzim deri në frikë për të lindur fëmijë (si në dialogun në mes babait dhe të birit), nga frika prej të dashurve tanë dhe nga tëhuajsimi prej njëri tjetrit. Andaj kjo pandjeshmëri e shtjelluar aq bukur në këtë film, është jo një faj, jo një argument apo kundërargument ndaj njeriut, është këtu me ne, dhe në të cilën duhet të sillemi dhe të mbijetojmë./ KultPlus.com

Të ngjajshme