1 Maj, 2020 - 12:45 pm
Nga Ballsor Hoxha
Regjisorja Zeqiraj në filmin e saj në përgjithësi po arrin dy gjëra krejtësisht esenciale për kinematografinë tonë: të bërit të thënshme përvojën tonë dhe sidomos bashkëkohësinë tonë; dhe aq më shumë ballafaqimin tonë me/dhe njohjen e gruas. Në të vërtetë të njohjes së gruas nga vetë gruaja, pikë së pari, e pastaj edhe krejt shoqëria.
Më në fund po ndodh, regjisorja Lendita Zeqiraj ka kthyer vëmendjen e shikuesit kosovar ndaj filmit të vet, të shoqërisë dhe për shoqërinë e vet kosovare. Filmi “Shpia e Agës” i regjisores Lendita Zeqiraj tanimë është një prej filmave më të shikuar në Kosovë.
“Shpia e Agës” si titull premton atë që ka qenë gjithherë parajsa, apo thënë më saktësisht prehja e gruas prej vuajtjes. Shpia e Agës shkurt konoton shtëpinë e babait të gruas kosovare ku ajo ka hequr mërzinë e të qenit grua. Por në të vërtetë Shpia e Agës, si titull i filmit të Zeqiraj është ironi tejet e thellë për zhdukjen të edhe kësaj strehe të gruas kosovare. Në të vërtetë “Shpia e Agës”, shtëpia ku ndodh tërë ngjarja e filmit të Zeqiraj është ferri dhe parajsa e disa grave të ‘leçitura’ nga shoqëria jonë, diku “zotit pas shpine”.
Ajo që nisë si premtim i të mirës – gruas kosovare duke jetuar jetën e saj, kalon në të vërtetë në – ndodhje të jetës së gruas kosovare në tërë brutalitetin e realitetit të saj. Është narracion që na bartë tejet bukur dhe thellë në natyrën e huaj të femrës për shoqërinë tonë. Paradoksalisht të huaj edhe për gruan e edhe për burrin kosovar. Ky kalim dhe kjo – ndodhje e gruas në tërësinë e jetës së saj, në përgatitje të ajvarit, në rrahje grash, në të “qeshur” me fatin e “të qenit të lidhur bashkë me lopë”, në të priturit e “menaxherit për t’u bërë këngëtare, në “cigaret e mërzisë” (marihuanë) etj, ky kalim pra dhe shtrirje e guras në të gjitha refleksionet e jetës së saj, është i pa pushtetin e regjisë klasike dhe ideologjike. Pa premtimin për një moral, pa motivin moralizues. Është jeta në tërë realen e pandjeshme të saj. Është regji bashkëkohore, e vetëdijshme, me mendimin e saj dhe e perfeksionuar në idenë e saj.
Por të nisemi nga fillimi, filmi i regjisores Zeqiraj në tërësi, prej filmit “Ballkoni”, “Gardhi” dhe deri tek “Shpia e Agës” është film i skenave në grup të aktorëve. Ndodhi që krijojnë dinamikën grupore dhe kakofoninë e jetës reale, është kërkim artistik në jetën që ndodh, jo të premtuar as të moralizuar. Aq më shumë Zeqiraj si regjisore në dy filmat e saj “Gardhi” dhe “Shpia e Agës” ka për trajtim vetëm gruan. Në të vërtetë, kur e shikojmë filmin “Gardhi” dhe “Shpia e Agës” struktura e personazheve është e njëjtë: një grup grash në tërësinë e shtrirjeve të refleksioneve të jetës së saj dhe një fëmijë djalë që “pështillet” rreth tyre. Është e çuditshme por në filmin “Gardhi” të regjisores Zeqiraj, festa e një numri konsiderueshëm të madh të grave të të gjitha moshave, gjatë tërë filmit, ngjanë me jetën klanore të filmit “The Sopranos” (film për mafinë dhe klanet mafioze të Amerikës). Gratë në filmin “Gardhi” e marrin si të mirëqenë rrahjen e gruas nga burri, si të përditshme shtrirjen e pushtetit të ‘klanit, dhe në thelb mbrojtjen e – racës, po sikur mafia dhe klanet mafioze në “The Sopranos”, në të vërtetë kjo ngjashmëri me burrin, apo gruaja e humbur në vazhdimësinë e burrit në to, është konotim i menduar i autores Zeqiraj. E tëra është mbrojtje e asaj që është brenda ‘gardhit’. Në të vërtetë gratë në këtë film janë vetë burrat.
Në këtë, duke iu kthyer ironisë së filmit “Shpia e Agës”, ky film rrëfehet brenda një institucioni, e që është zonë – zotit pas shpine. Është ‘leçitje’ e grave me tragjedi të pazgjidhshme. Por rrëfimi ndodh në kujdesin e autores së filmit që të jemi dëshmitar të gruas në të gjitha refleksionet e saj, para se ta marrim vesh këtë. Është shndërrim i një idile grash në ferr grash. Dhe pikërisht ky ferr është në pamundësinë e patriarkalizmit dhe të institucioneve të shoqërisë sonë për t’i bërë vend tragjedisë së gruas. Në të vërtetë rrëfimi krijon perspektivën e tij kinematografike reale, që ndodh, dhe na le të pavarur në dëshminë tonë ndaj këtij rrëfimi. Dhe po ashtu ky rrëfim mjeshtëror i autores Zeqiraj është – kalim krejtësisht i sofistikuar dhe i kapshëm për secilin, në shndërrimin e saj. Mbyllur, lëçitur dhe lënë në pazgjidhshmëri dhe pa relacion me shoqërinë, në “Shpinë e Agës” tërë filmi shpërfaq shtresat e mungesës së gruas. Pamundësinë e jetësimit të saj, si njeri dhe si raport ndërnjerëzor. Aq më shumë, gjuha në këtë rrëfim, si në shembullin e padallueshmërisë ndërmjet fjalës “shkinë” dhe “horvat”, armikut dhe mikut apo asaj që bashkëvuan (aktorja Rebeka Qena), kjo gjuhë është pikërisht mungesa e refleksionit të shoqërisë sonë, refleksionit si kalimit të Shtëpisë së Agës nga parajsa në ferr.
Pse ndodh ky sukses i regjisores Zeqiraj për t’i folur dhe për të mundur të krijoj një raport me shoqërinë tonë, më në fund? Gruaja dhe përvoja e gruas dhe raporti ynë me atë, në filmin e regjisores Zeqiraj është bërë i thënshëm. Është bërë i kapshëm. Dhe është bërë i rrëfyeshëm në raport me realitetin dhe bashkëkohësinë tonë. Narrativi/rrëfimi i kosovarëve për veten e tyre ishte tëhuajsuar aq shumë nga vetë përvoja jonë sa që vetë shoqëria e kishte ndëshkuar atë, qoftë nga moskuptimi, keqkuptimi apo edhe përsëritja jo reale e përvojës sonë. Filmi “Shpia e Agës”, mjeshtëri e përkryer rrëfimi kinematografik, duke qenë dëshmi për gruan sot, shndërrimin e saj gjatë kalimit nëpër përvojë të re kolektive, duke qenë në raport real me atë, kalon shkëputjen e shoqërisë sonë pikërisht nga rrëfimi ynë, në të gjitha fushat, dhe krijon estetiken e reales të lexueshme për ne. / KultPlus.com