Fjalimi i Ajnshtajnit që çdo mësues, nxënës dhe prind duhet ta lexojë

7 Mars, 2020 - 9:28 am

Albert Ajnshtajn dikur ka thënë: “Çdokush është një gjëni, por nëse e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për t’u ngjitur në një pemë, ai do ta jetojë gjithë jetën duke besuar se është budalla”.

Unë dua t’i drejtohem gjithë sistemit arsimor që ekziston. Dua të di nëse është krenar për gjërat që po bën. Ky sistem arsimor po i kthen miliona njerëz në robotë. Mos ndoshta kjo gjë i duket argëtuese? A e kuptoni se sa fëmijë ndihen si peshku në thënien e Ajnshtajnit? Ata ndihen si budallenj, bësojnë se janë të pavlerë, sepse nuk arrijnë dot ta gjejnë veten në një sistem arsimor që i pengon të mendojnë në mënyrë kritike, apo të krijojnë vetë diçka.

Nëse krahasoni një telefon të dhjetra viteve më parë me një telefon aktual, do të kuptoni se midis tyre ka një ndryshim të madh. Nëse krahasoni një makinë të dhjetra viteve më parë me një makinë të ditëve të sotme, do të kuptoni se midis tyre ka një ndryshim të madh. Mirëpo nëse krahasoni një shkollë të shumë viteve më parë me një shkollë aktuale, ndryshimi i vetëm është përmirësimi i kushteve. Mënyra si zhvillohet mësimi, koncepti se si duhet të jetë arsimi, thuajse ka mbetur i njëjtë.

Ne u themi fëmijëve tanë të mësojnë dhe të marrin sa më shumë dhjeta; u kërkojmë të mësojnë dhe ta ngrejnë dorën për t’u përgjigjur; i kërkojmë atyre të mësojnë gjëra që të tjerët i kanë shpikur, ndërkohë që vetë fëmijët tanë i mësojnë ato përmendsh, ashtu si robotët. Ne nuk kemi nevojë për një sistem arsimor që prodhon robotë. Ne kemi nevojë për të rinj që mendojnë në mënyrë kreative, kritike, si dhe që veprojnë në mënyrë të pavarur, por duke ruajtur aftësinë për t’u kuptuar sa më mirë me njëri-tjetrin.

Nëse një mjek do t’i jepte të njëjtën recetë 20 pacientëve të ndryshëm, rezultatet do të ishin tragjike. Atëherë pse ky sistem arsimor vazhdon të veprojë ende në të njëjtën mënyrë, duke nxjerrë një mësuese përpara minimalisht 20 nxënësve që shpjegon njësoj për të gjithë, ndërkohë që fëmijë të ndryshëm kanë kapacitete dhe ambicie të ndryshme? Nuk ka dy njerëz njësoj dhe këtë mund ta vini re edhe vetë, nëse jeni prind i dy fëmijëve. Ata nuk mendojnë njësoj.

Nuk kanë të njëjtat mënyra të mësuari. Ndërkohë, sistemi është i tillë që të dyve u ofron të njëjtën mundësi të mësojnë, sikur të dy fëmijët të ishin njësoj.

Dhe faji nuk është i mësuesve, sepse ata punojnë në një sistem që këto mundësi u ofron. Atyre nuk u jepen mundësi dhe të drejta të tjera të veprojnë ndryshe. Kurrikulat mësimore shpesh krijohen nga njerëz që nuk kanë mësuar një ditë të vetme në jetën e tyre.

Pse mendoni se sistemi arsimor në Finlandë po ecën më së miri? Ata kanë më pak orë mësimi, kanë më tepër mësues dhe këta të fundit përpiqen të mësojnë çdo nxënës sipas mënyrës se si ata arrijnë të mësojnë më shumë. Sistemi i tyre arsimor nuk bazohet mbi konkurencën, por mbi bashkëpunimin.

Unë dua që sistemi ynë arsimor të përshtatet me çdo nxënës, sepse nëse fëmijët e shkollave mund të jenë ndoshta 20% e popullatës së një vendi, ata janë 100%-ëshi i së ardhmes sonë. Unë dua që çdo fëmijë të mos ndihet më si ai peshku në thënien e Ajnshtajnit, të cilit i duhet të ngjisë pemën, por që sistemi të përshtatet me të dhe ai të ndihet një gjeni. / KultPlus.com

Të ngjajshme