17 Maj, 2019 - 4:33 pm
Ndue Ukaj
Nuk mund të ndërtohet asgjë në boshllëk dhe kaos. Këtë gjë shoqëritë e përparuara e dinë qëmoti, por nga kjo shkollë empirike, ne nuk kemi mësuar asgjë dhe kështu kemi dalë në anën negative të historisë, duke mbetur nxënës të këqij të saj.
Sot dhe dje – duke parë ç’ndodhi me fotografinë e prezantuar në Parlamentin e Kosovës- në mendje më erdhi një vigan i kulturës shqiptare, Lazër Shantoja, i cili, në kohën kur bëheshin përpëlitje të forta për të bërë Shqipërinë, shkruante: “Historija e Shqypnís sё lirё âsht nji kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicjonesh, partinash kaq tё mёdhaja, tё shpeshta, tё ndyeta e tё damshme qi nuk e gjênё askûnd shoqen nё botё”.
Pas gati një shekull, politika shqiptare është po kjo që e përshkruan Shantoja. Për fat të keq, në kohën kur shqiptarët janë të lirë, këto mosmarrëveshje dhe ngatërresa, për të cilat flisnin e flasin elitat më përfaqësuese shqiptare, që kanë sfond politik, ideologjik dhe historik, kanë shkarravitur dhe zhubravitur si është më së keqi fotografinë e kombit shqiptar.
Me siguri, meritorë për këtë janë udhëheqësit demagogë (dhe jo vetëm ata), që shtetin e konceptojnë si çiflig, ndërkaq veten e tyre si çifligarë.
Këto ngatërresat dhe kacafytje, nuk bëhen për koncepte, parim, ide e vlera, por për interesa krejtësisht egoiste, partiake e ideologjike dhe që asnjëherë nuk lidhen me atë që bota normale i njeh dhe e gjykon si Res Publica.
Prandaj, kjo ka bërë që nga mëngjesi deri në darkë, në vendet tona të flitet dhe të shkruhet me një gjuhë të çoroditur dhe të përçartë për goditje, krim dhe tema të kësaj natyre. Sepse, këto dalin nga gjiri i kaosit politik, ku goditjet e njërit udhëheqës ndaj tjetrit janë dukuria më normale e ligjërimit publik. Në këtë mënyrë, këta udhëheqës, përveç faktit se kanë varfëruar popullin shqiptar dhe e kanë zhubravitur fotografinë e tij, me turfullimet e artikuluara me një gjuhë të pështirë, e kanë shëmtuar edhe gjuhën shqipe.
Dhe, arsyet pse perëndimi ende nuk na ka futur në gjirin e vet, nuk lidhen me gojëkëqijtë e as dashakeqësit, përkundrazi, perëndimi ka bërë çmos që të na përqafojë dhe të na përfshijë në vallen e qytetërimit, por ne, të zhytur në kaosin politik dhe të verbuar nga pushteti, nuk kemi mundur të shohim asgjë matanë interesave tejet të ngushta. Në fund të fundit, është njerëzore, kur ke kaq shumë ngatërresa e kaos të brendshëm, nuk mund të shihesh përtej vetvetes, ashtu siç nuk kemi parë ne tash e sa vite asgjë përtej gardhit tonë primitiv ku jemi vërtitë.
Në Kosovë, po bëhen një vit që kur institucionet janë thelluar edhe më tej në një kaos të pashembullt ngatërresash dhe në të cilat është përfshirë për të keq edhe Shqipëria.
Nuk di të ketë një shoqëri tjetër ku presidenti i shtetit
përditë e “godet” kryeministrin e vet, kurse ky i fundit, po ashtu ia kthen
përditë me “goditje” të parit. Në këtë lojë goditjesh- ku vërtet goditën
qytetarët- jo rastësisht është futur edhe kryeministri shtatgjatë por
mendjengushtë i shtetit amë, me një ligjërimi shumë destruktiv.
Dhe sot, deshëm apo jo, na erdhi keq apo jo, fotografia reale e kombit shqiptar
është kjo: një popull ngatërrestar, me mosmarrëveshje të brendshme dhe që s’di
të del prej kaosit politik.
Dhe, duke e parë në çfarë dergje janë shtet shqiptare, më duket se romani i
madh i Ismail Kadaresë, “Viti i mbrapshtë” është një roman profetik që flet për
paaftësitë tona për të bërë shtet.
…
“Fotografia nuk gënjen, por nuk e tregon gjithashtu krejt historinë”- shkruan
shkrimtari i njohur Paul Auster. Në fakt, fotografia e publikuar dje në
Parlamentin e Kosovës tregon vërtet me ç’politika improvizuese mbahet në këmbë
shteti i Kosovës. Ajo e tregon fytyrën reale të shtetit tonë, që është
ngulfatur nga pesha e madhe e mediokritetit dhe “politikanëve” pehlivanë, forca
politike e të cilëve mund të matet me muskuj, por jo me mendje.
Dje, kur e pashë fotografinë, si shumica e shqiptarëve mbeta i shtangur dhe në
imagjinatën time lundruan viktima të shumta të terrorit serb në Kosovë, në të
cilin vend ka patur terror serb, krim të menduar dhe të organizuar dhe për këtë
askush nuk duhet të guxojë të ketë dilemë, por ne, meqë jemi marrë dhe
vazhdojmë të merremi me ngatërresa të brendshme e dokrra, nuk kemi ditur dhe
dyshoj se do të dimë të tregojmë fytyrën e vërtetë të barbarisë serbe.
Akti i djeshëm, që u duk si shtizë e fortë drejtuar kah politika e egër serbe,
doli të jetë një mashtrim dhe kjo heshtë rrezikon tash të kthehet kundër
Kosovës, veçmas kundër viktimave të terrorit serb. Dhe për këtë, përgjegjësia
rëndon mbi ata që e kanë kultivuar tash e dy dekada këtë kaos politik.
…
Ne përditë kukurisim dhe kërkojmë solidaritet e mirëkuptim nga Bashkimi
Europian dhe Amerika për interesat tona, kurse vetë, nuk jemi solidarë dhe
s’kemi mirëkuptim në asnjë temë të brendshme, përkundrazi, duam t’ia nxjerrim
sytë njëri-tjetrit.
Ne kërkojmë që tjerët të na zgjidhin problemet tona esenciale, të mëkëmbjes
ekonomike, kurse vetë dalldisemi duke shkruar histori të lavdishme politike dhe
patriotike.
Dy dekada pas luftës, mijëra qytetarë pyesin: ç’ është ky mallkim, të cilin
s’po dimë ta tejkalojmë? Dhe kjo pyetje nuk është e pamotivueshme. Ajo është
pasojë e mos zhvillimit te Kosovës dhe gjuhës së pështirë dhe neveritëse që
promovohet përditë, e të cilën asnjë mendje normale nuk mund ta përligjë.
Dy dekada pas luftës, në vendin tonë askush nuk flet për ide solidare, për
respekt, njerëzi, pa të cilat vlera asnjë komb a shtet nuk mund të mbahet në
këmbë.
Pra, vendi ynë është ngulfatur dhe demoralizuar. Dhe duket sikur kanë mbetë pak
shpresa dhe tonelata dëshpërim, prandaj, kjo ka ndikuar që nga mëngjesi në
mbrëmje nuk dëgjon njeri tek thotë: lum unë për shtetin tim.
…
Kosova, nëse është në rrezik, siç po thuhet, nuk është
çiflig që ta mbrojë një njeri, kushdo qoftë ai, kryeministër, president, lider
i opozitës, etj.
Udhëheqësit tanë, këtë ligjërim po e përdorin për interesa politike dhe me këtë
po duan të mbushin hambarin e tyre politik, për pushtet të mëtutjeshëm.
Duke bërë referenca politike për vetveten, ata duan të mbushin hambarin e tyre
politik, të cilin e përdorin nesër për qëllime elektorale.
Historia tregon se veprat e mëdha të njerëzimi, janë vepra të dashurisë dhe jo të urrejtës, janë punë të vërteta dhe jo propagandë, kurse udhëheqësit tanë, tash e sa vite, kane treguar sa shumë dinë të urrejnë dhe sa pak dinë të duan dhe po ashtu sa të aftë janë të bëjnë propagandë dhe sa pak punë të vërteta.
Shoqëria shqiptare nuk do të shërohet kurrë, për sa kohë udhëheqësit shqiptarë nuk janë të vërtetë dhe të njerëzishëm dhe për sa kohë ata nuk bëhen ndërtues të unitetit të brendshëm. Derisa sot ata janë faktorë kryesorë të ngatërresave dhe të kaosit të brendshëm politik. Shqiptarët nuk kanë armik më të madh se vetveten. Kjo thënie e Konicës është provuar disa herë në historinë tonë dhe tash është më aktuale se kurrë. Ne të gjithë e dimë se, edhe të bashkuar, jemi të pafuqishëm dhe shumë pak, kurse të ndarë, jemi hiçgjë./KultPlus.com