19 Prill, 2018 - 11:00 am
(Kujtim Rrahmani : “Taksa e gjumit”, Cuneus, Prishtinë, 2016)
Shkruan Valire Jasiqi.
Tregimet e “ Taksës së gjumit” ngërthejnë në vete copëza antikiteti, për të vazhduar me histori, e duke mbërritur dalëngadalë deri ne aktualitet. Secili tregim karakterizohet me një veçanti në vete, ku mpleks tematika të ndryshme e fuqizon një ide, të cilat në fillim duken të thjeshta por në vazhdimësi marrin trajta komplekse që përcillen me hamendje e pikëpyetje të shumta që Rrahmani i vendos në sfond të disa tregimeve. Autori duke qenë njohës i frazeologjisë popullore, njohjës i së kaluarës, ai bën një udhëtim nëpër kohë, periudha lufte e paqeje, herë- herë duke iu kthyer elementeve popullore, me fantastiken në krye. Veprën e përbëjnë 13 tregime si:“A ka vdekë kush sot?”, “ Përgjigje e vonueme”, “Eh!”, “Cironka”, “Sans Soci”, “Mrekullia e fshehur në sënduk”, “Qilimi prej purpuri”, “Sall një gëzhojë”, “Fryu një erë”, “Zënka për qiell e yje”, “Udha e zanit”, “Speci i zi” dhe “Taksa e gjumit”. Tregimet nuk lidhen mes vete, por secili i referohet një fenomeni të caktuar, ku disa prej tyre na dërgojnë kah kallëzimet e moçme e legjendat, disa kanë elemente të përrallave prej të cilave gjithmonë përcillet një mesazh, e ka edhe prej atyre të cilat përcillen me një lloj thumbimi ndaj situatave të ndryshme kohore. Përmes kapërcimeve në kohë e hapësirë, trajtimit të çështjeve të ndryshme e në mënyrë të veçantë, këto tregime e mbajnë lexuesin përherë të vëmendshëm në rrjedhën e tyre. Tregimi me të cilin fillon vepra, me titull “A ka vdekë kush sot?”, në krye me personazhin Demë, shpalos një gjendje të vitit 1957, në kohën kur kishte vdekur Mosha Pijade, një figurë e njohur e Jugosllavisë. Tregimi bart idenë se si populli ynë nuk kishte pranuar që jetën ta shikonte kah e ardhmja, pra kah jeta e re, por që të qëndrojë aty nën pushtetin jugosllav.
Përmes Demës artikulohet ideja e çlirimit, ku kënga e tij shihet si një lloj revolte ndaj sistemit të huaj. Shihet një lloj relacioni i së resë me të vjetrën, ku e reja lidhet me një çlirim nga një ngulfatje e kahmotshme. Duke pasë parasysh retrospektivën, kthimin në kohë, tregimi tjetër : “Zënka për qiell e yje” trajton të kaluarën e popullit shqiptar, duke u zhvendosur kështu në vitin 1689.
Vetë titulli i këtij tregimi shpërfaq një realitet, ku lufta për territore e pasuri ka ekzistuar fillimisht në mes të shqiptarëve, e pastaj edhe me popujt e tjerë, si turqit, malazezët, etj. E tërë ngjarja zhvillohet përmes personazheve kryesore, Lekës dhe Palit, të cilët ndonëse s’kishin qenë vëllezër njëmend, të tillë e kishin konsideruar veten gjithmonë. Por që konflikti i tyre kishte filluar kur ata të dy u gjendën para qiellit e yjeve, dhe ndarja e tyre shkoi drejt përçarjes vëllazërore. Se, kujt i kishte takuar qielli e kujt yjet…dhe ku kishin përfunduar këta të dy, është histori që shkon në një vijë paralele me historinë e popullit në përgjithësi. Lufta shekullore me Perandorinë, murtaja dhe çështjet fetare janë ndër pikat kulminante të këtij tregimi. Shihet qartë se autori nuk ka mundur të bëjë kapërcime pa i trajtuar këto çështje siç janë: lufta me pushtuesin osman, murtaja që u përdor si mjet për shkatërrimin e psikologjisë së popullit shqiptar dhe çështjet fetare , konkretisht detyrimi i shqiptarëve që të konvertoheshin nga katolikë në muslimanë.
Përmes Lekës e Palit dhe ritakimit të tyre theksohet një miqësi e një vëllazëri e fuqishme. Jeta jashtë atdheut shihet si detyrim i rrethanave të kohës prej nga krijohet një jetë e re, me ç’rast ndërrohet feja e emri si një asimilim i tërësishëm. Në këtë tregim autori, e vë edhe një personazh tejet të rëndësishëm, Pjetër Bogdanin, njeri ky i cili pati ndikim të madh në përhapjen e gjuhës shqipe, gjegjësisht ndikimi i tij u lidh me mësimin e shkrim – leximit, gjë që në atë kohë kishte munguar shumë.
Influencimi popullor në tregimet e Rrahmanit
Tregimet e Rrahmanit kanë një parabazë popullore prej nga dëshmon se autori është njohës i kulturës orale. Qysh në tituj vërejmë se disa nga këto tregime kanë një përallë përbrenda si: “Cironka”, “ Qilimi prej purpuri”, “ Mrekullia e fshehur në sënduk”, dhe janë të ndërtuara mbi bazën e elementeve të përrallës, apo thënë ndryshe fantastikja është ajo që i shoqëron gjatë tërë kohës, e që mesazhet didaktike e moralizuese padyshim nuk mungojnë. Gjithnjë haset ajo lufta mes ligësisë e mirësisë ku përçohet ideja e së mirës duke i ironizuar ligësitë shoqërore e njerëzore në përgjithësi. Elementet kyçe si: ligësia, mirësia, plaku, plaka, peshku i artë, qilimi fluturues, sënduku, mrekullia etj, janë elemente që shpalosin të kaluarën, boshtin popullor, e me një mjeshtëri të madhe ato riaktualizohen edhe në të sotmen.
“Përgjigje e vonueme” është tregim që bart në vete elemente të tilla popullore, ku përshkruhet jeta bukolike, delet si shumësi, prej së cilave gjithmonë mungon njëra, element ky i shfaqur shumë herë në letërsinë tonë, ku potencohet ajo mungesa e “plotnisë”, e asaj lumturie në jetë. Vetë imazhi i Galës në largësi del si projektim i vuajtjeve të shumta, herë si xhubletë, herë si qefin e herë si një paqartësi e si një mjegull, do të thotë ngjyra e saj merr shumësi interpretimesh deri atëherë kur qartësohet figura e saj. Tregimi në brendësi ka nuanca muzikaliteti, me përsëritje
të shumta si: “A mos bjeshka e kish zanë? A mos ujku ia kish përla delet? A mos deka e kish zatetë udhës?”
Thirrja “ O babë” shihet si një lloj shprese për shpëtim e mospërgjigjja e saj shfaq një shuarje të imazhit të babës duke dërguar drejt një ofendimi të detyruar ndaj tij dhe ndaj një pendimi të mënjëhershëm: “Qysh me e pa mbas këtij çasti babën në sy?! Ku me nejtë?! Ku me hupë?!.”
“Mrekullia e fshehur në sënduk” është tregim me natyrë prej përralle, kjo vërehet duke filluar qysh nga titulli, meqenëse fantastikja dhe e mrekullueshmja janë pjesë të përrallës si elemente identifikuese apo karakterizuese. Tregimi në qendër të tij, ka personazhet fëmijë, Hanën dhe Bitin përmes të cilëve zhvillohen një sërë situatash, të cilët shfaqin një lloj kureshtje ndaj sëndukut të gjyshit që sipas tyre mbante diçka të vlefshme. Ky tregim paraqet ngjarje të ndryshme, ato herë shkojnë tërësisht kah fantastikja kur përmendet sënduku , mrekullia, etj, e herë – herë paraqet jetën e njeriut në faza të ndryshme, fillimisht fëmijërinë, e rininë , për të vazhduar me mezo moshën, apo pjekurinë. Pikërisht është ajo mosha e pjekurisë ku këta protagonistë, vetëm pas 20 viteve fillojnë të kuptojnë gjërat më ndryshe, dhe të vlerësojnë atë cka është vërtetë e vlefshme.
Autori shton edhe linjën e dashurisë, duke i ribashkuar ata pas 20 viteve, pas asaj kalueshmërie e cila ndikoi përpos në hetimin e gjërave me vlerë po ashtu edhe në forcimin e lidhjes së tyre dashurore. : “ Ah ç’paska fshehur ai çelës sënduku! Si papirus ishte paluar aty, fare në fund, puthja e tyre e dikurshme nën pjergull, e nisur por kurrë e sosur, puthja e pangopur…” E sa i përket aktualitetit, preokupimi i autorit ndaj vrazhdësisë së realitetit shihet qartë në tregimin “ Speci i zi”. Qysh në konotimin e titullit vërejmë njëfarë dhimbje, një përjetim të rëndë që ndërlidhet me djegësimin, duke u gërshetuar me ngjyrën e zezë që del si simbolikë e si aludim i realitetit të sotëm e të errët. Në mënyrë ironizuese shpërfaqet realiteti prej nga thumbohet ai, duke i potencuar vdekjet “e heronjve” pa heroizëm. Citojmë fjalinë : “Jetojmë në Kosovë dhe jam aq i irrituar nga vdekjet këtu; këtu ka vetëm vdekje heroike, industri heronjsh, vdekje nga të bëmat e mëdha; këtu jeta pa këto vdekje s’ka kuptim; vetë jeta është vdekje pa këta heroizma; edhe mijëra veteranë të gjallë këtu janë heronj të gjallë…” Dialogimi i Ali Babës e i Kelit si : “a je ti veteran?, çdo i dyti është veteran, marre është të mos jesh veteran”, shfaq një aktualitet të hidhur, një egoizëm në totalitet, ku ngrihen lartë heronjtë e rremë e dalin si përfitues në fund. Haset edhe një lloj relacioni mes jetës e vdekjes. Ku jeta shihet si një pasqyrë realiteti, prej nga kërkohet vdekja e atij “speci djegës” do të thotë që vdekja të shpie tek ai dinjitet i rremë, duke të ofruar pensione, dekorata e duke të mbështjellë me flamur kombëtar. Faktikisht të paktë janë ata që merituan e që mbi kurrizin e tyre vishen të tjerë me petk heroizmi dekorues.
Bota e personazheve Numri i konsiderueshëm i personazheve karakterizon tregimet e Rrahmanit, duke i trajtuar njerëzit e rëndomtë, ata të shtresës së ulët e duke kaluar deri tek shtresa e lartë, te mbretërit e mes tyre edhe emra të njohur historikë e letrarë. Pra, kemi të bëjmë me natyra të ndryshme të personazheve prej nga dalin: Personazhe me parabazë popullore si: plaku, plaka dhe gjyshi, të cilët nuk janë të emërtuar por varësisht prej epitetit e kanë marrë edhe funskionin e tyre e ku kjo trini identifikon vjetërsinë. Personazhe letrare si : Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta e Borhesi. Në njëfarë mënyre autori e mbivlerëson Fishtën, sidomos kryeveprën e tij “ Lahutën e Malcis” pikërisht atëherë kur ajo del nga kutia e mrekullive. Edhe figura e Pjetër Bogdanit vihet në nivel të lartë gjithmonë duke pasë parasysh rëndësinë e tij në historinë e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Personazhe historike: Aleksandri i Madh, Mbreti Keitus e Mbreti Frederik, karaktere këto të cilat gjithmonë janë të paraqitur ne raport me shtresën e ulët.
Tregimi përmbyllës “Taksa e gjumit”, që mban të njëjtin titull me atë të veprës, përçon idenë e një jete më aktive, ku autori sugjeron për avancim dhe zgjim, në kuptimin e asaj se si njerëz të zgjuar mendërisht, jemi më produktivë në çdo lloj aspekti. I gjithë tregimi i referohet një periudhe të sundimit nga mbretërit tiranë, por që ideja e një takse të tillë përçon një mesazh vetëdijesues për lexuesin, i cili nga kjo mund ta dekodojë taksën që në zërin e dytë flet kështu: pak gjumë e shumë punë. Në anën tjetër taksa këtu vjen jo vetëm si obligim, por si gjobë apo ndëshkim që duhet paguar gjithsesi dhe çmimi i kësaj takse është i lartë. Ajo shpesh paguhet me gjënë më të shtrenjtë, jetën. Prej këtij tregimi, del edhe rrëfimi nga personazhi Marash Gashi, duke u kthyer në kohë, me ç’rast përmend Mbretërinë Dardane, në krye me Mbretin Keitus, ku paraqiten dardanët si popull dembel, të cilët për gjumë linin anash obligimet. Ky ngjan në një thumb kundrejt dardanëve dhe në një lavd për Aleksandrin e Madh, i cili e hoqi ligjin për taksën e gjumit,prej nga ky veprim e bëri hero të dardanëve. Pastaj tek personazhi Horhe Luis Borhes, rrjedha e taksës së gjumit lidhet me filozofinë e këtij personaliteti, i cili këtë taksë e merr si imponim duke e konsideruar si robëri e si dobësi e njerëzve që pranojnë t’iu nënshtrohen të tjerëve. Të gjithë mllefin Borhesi e shpreh kështu: “Sa robëria mbillet në emër të lirisë”.
Pra siç shihet tregimet e Rrahmanit vijnë si krijime e rikrijime, pas së cilave fshihet një korpus i gjerë idesh, që autori ka arritur t’i universalizojë me një gjuhë të pasur që shkon herë ka gegërishtja e herë kah toskërishtja e të figuruar, ku alegoria është figurë zotëruese e tregimeve në përgjithësi. Proza e Rrahmanit të dërgon drejt një bote të vecantë shkrimi, me digresione të shumta, e mjeshtëria e tij prej narratori sjell tek ne, një vepër sa interesante, aq edhe të mrekullueshme.
(Autorja është studente e nivelit Master në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe. Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të parë).