28 Prill, 2025 - 4:44 pm
Nga Musa Sabedini –
E tërë lufta në gazetarinë ditore dhe informative ka për qëllim që të tregoj të vërtetën, që të thuhet ajo kur dhe si duhet. Gazetaria kosovare fatkeqësisht e ka devalvuar këtë maksimë dhe në vend të saj, në të gjitha mediet nacionale, dominojnë lajmet protokollare të zbehta dhe të pa vlera.
E kam thënë edhe shumë më herët se gazetaria online në Kosovë, duke mos përjashtuar as TV nacionale e radiot, po dominohet nga lajmet protokollare, të cilat ekskluzivisht përshkruajnë një hark të ngushtë Parlament – Qeveri – Presidencë – Shtabe të partive politike, dhe portrete me politikanët e subjekteve politike.
Dikur në mediet qendrore kishte edhe paralajmërime nga gazetar me zë dhe media kredibile në stilin “Super intervistë”, “Ekskluzive ose super ekskluzive me Albin Kurtin..etj”. Ky trend me gjasë sivjet pak ka ndryshuar, pikërisht sepse u pa që as kryeministri e as kushdo tjetër, nuk ua rregullon gazetarëve, as kushtet financiare e as vendin e punës.
Duke i dhënë hapësirë përherë lajmeve të kota nga Qeveria, Parlamenti, Presidenca dhe çfarëdo informacioni që del nga “klubet institucionale”, qytetari i rëndomtë mbetet larg realitetit dhe përditshmërisë.
Personalisht as nuk i postoj e as publikojë shtëpitë kafaz të tipit “Big Brother”, sepse për mua nuk kanë asnjë vlerë etike dhe të mos flas mediatike. Por kështu nuk po e shohin televizionet qendrore të cilat për interesa të tyre, e për klikime po janë në gjendje të shkaktojnë lloj – lloj krize me publikun.
Ndërsa kur erdhi puna te protestat e rrymës, u ndalë turri mediatik sepse nuk kishte ndonjë interes të theksuar prej asaj pune.
Media parasë gjithash ka rol edukues, ka rol këshillues e sensibilizues për të përkrahur çdo iniciativë të shoqërisë, të grupeve të shëndosha të interesit dhe të gjithë atyre që vërtet punojnë e veprojnë për një vend ligjor e demokratikë.
Unë parimisht përherë i kam përkrahur të gjitha nismat e gazetarëve kundër institucioneve kokëforta, por “Shefat” e medieve kryesore nuk duhet të dërgojnë gazetar të rinj e të papërvojë dhe të shohin si realizim të “ëndrrës” një përgjigje nga Albin Kurti apo Vjosa Osmani, e ndonjë lider tjetër politik.
Për mua këto prononcime dhe ky vrapim i gazetarëve shpërfaq një gjendje kaotike të vet medieve kryesore, që tolerojnë, që aq ulët e aq jo profesionalisht, lejohen të nëpërkëmbën nga ndonjë kryeministër që i mungon sjellja etike.
Gazetaria sot dhe ajo që do të vije pas nesh, duhet të fokusohet në tema problemore, tema të nxehta, trajtim serioz ndaj të gjitha dukurive negative, një hulumtim dhe hetim profesional për të gjitha dilemat e dyshimet, që lidhen me korrupsion e krim të organizuar.
Gazetaria hulumtuese sikur nuk ekziston fare në këtë Kosovë të dërmuar nga politikat shterpe. Gazetaria hulumtuese mund të praktikohet orë e çast në Kosovë, duke i parë defektet që i kemi si shoqëri.
Po kush e zhvillon dhe e avancon gazetarinë profesionale dhe atë hulumtuese. Sigurisht të gjithë ata, që e duan me shpirt e zemër gazetarinë, dhe të gjithë ata profesionist të vërtet që nuk tremben nga e vërteta që përshkruhet nga argumenti dhe vërtetësia e fakteve.
Hetoni, hulumtoni, zbuloni, verifikoni dhe raportoni, pa u ndaluar përkundër pengesave dhe presioneve tuaja. E dua një gazetari vërtet kredibile e cila i nënshtrohet një rregulli bazik e funksional, e kjo lidhet edhe me guximin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.
Nuk po them që s`ka fare gazetari në Kosovë, e as hulumtuese, por kjo për momentin është e pamjaftueshme, për ta bërë më të përgjegjshme klasën politike, ndaj obligimeve shtetërore që kanë ata.
Media ka obligime publike për ta avancuar saktë, drejtë, shpejt, objektivisht, me argumente e saktësi çdo zhvillim që ndodhë rreth nesh.
Porosia për gazetarët e mediet servile ndaj pushteteve. Kurrë mos harroni se politika është jetëshkurtër, kurse profesioni dhe karriera e juaj në gazetari nuk vdes, e as shuhet kurrë.
Gazetaria e mirë dhe e vërtetuar jeton gjithmonë në zemrat e çdo lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi. Autori është gazetar profesionist dhe ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT./ KultPlus.com