15 Mars, 2019 - 10:20 pm
Ilir Seci
Nji fotografi sa për nji milion fjalë…Kjo fotografi asht marrë te shpia e poetit Martin Camaj, në Temal të Shllakut, Dukagjin…Asht marrun ditën që fisi i poetit Martin Camaj, mbasi u lajmruen për dekën e burrit të fisit të tyne, u mblodhën dhe i banë Gjamën…
I banë Gjamën njashtu si ka kenë tradita, gjithmonë e jetë kur ka dekë nji mashkull Fisit…Ksaj herë burri i fisit vdiq lerg, vdiq në dhèna të hueja, po Fisi prapë u mblodhën me i ba Gjamën si të kish dekun aty…Se ka len Dielli asht Toka e Zotit…Njisoj asht! Gjamën ja banë në oborr të Kulles ku leu poeti… burrat e fisit tue mos pasun mundësi me shkue deri në Gjermani ku dha shpirt Martini, ja banë Gjamën në Temal…Në oborr të kulles qitën teshat që ja kish dërgue të vllaut, nji palë kpuca, pantollt, setrën e kmishën, tana të tija…Nuk patën trup me nxjerrë në oborr, por nxuerën teshat e tij… tek e mbramja çka asht trupi pos nji teshë për Shpirtin!?… Teshat që dikur kish veshë vetë Martini, teshat që dikur kishin mbajtun nxehtë kurmin e tij, i qitën aty njashtu si hapej dikur në morde kmisha e përgjakun e mashkullit të vramë ditënn e marrjes së gjakut… Me ndryshimin se Martini s’kje kurrë në gjak! Në rini të vet, nji kohë mbasi iku nga regjimi komunist, Martini ndejt Maleve me komitë, por gjak as varrë nuk bajti kurrë! Ora e tij kish shkrue tjetër fat per tè… Teshat i qitën për trup…ndërsa te kryet…në vend të kresë ja vunë librat që kish shkrue vetë Poeti!… LIBRAT… Çfarë metafore rranqethëse! Librat aty ku vehet kryet! Librat që poeti shkroi me mendjen dhe shpirtin e tij prej artisti të rrallë. Librat që Poeti la mbrapan për me bajtë perjete emnin e tij… Njeriu nuk mundet mos me u rranqethë tue kqyrë këtë foto! Malsoret e fisit te Martinit me atë genin krijues që e kanê pasë në gjak me shekuj ja thurën djalit të Temalit nji poezi edhe ditën e Gjamës. I njajti gen që ka thurun Eposin tonë legjendar e diftoi vedin edhe atë ditë tue krijue këtë metafore si ndër tragjedinat antike…Librat ku vehet kryet!
…Gjamën ja banë si e kish lanë vetë me fjalë ndër librat e shkruem prej tij…E fjala e lanun duhet krye, porosia duhet çue në fund :
“ELEGJI E PARË”
Ku kam me qenë i këputun nga mundi i vjetve të rrëpita sa ‘i shkamb, mos të vijë keq ty, Taze, për mue të shtrimë mbi drrasat e vdekjes, kingj i gatuem për flije. Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë për njerzit e vet, vdekë qysh kur. Edhe një amanet, moj grue: kur vdiq im atë, premë dy qe me ngimun të unshmit e thneglat e lamit me grimca buke. Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej ndër drekët e mija qitni vetëm kafe të idhta.” Porosia për ditën e Dekës : “Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej ndër drekët e mija qitni vetëm kafe të idhta.”… Njerëzve të ngijshëm!…Në vendin ku vdiq ndoshta po…në vendin ku leu, jo asnjiherë deri më sot!
Gjama ju ba njashtu si ka kenë tradita gjithmonë e jetë, prej se ka mbi Lisi në ato male. Malet e Dukagjinit pritshin me e ndie jehonën e Gjamës së Martin Camës, njashtu si e patën ndie gjashtëdhetë e shtatë vjet ma para jehonën e pushkës që i kumtoi fisit lindjen e nji djali, Martinit, fmisë së tretë të Kolë Camës… Nji ditë të nxehtë korriku të vjetës 1925, malet e Dukagjinit ja përcuellen njani-tjetrit jehun e pushkës që kumtoi ardhjen në jetë të Martin Camës… -“O çka asht pushka moreee!”… -“Ooo i ka le djalë Kolë Camës moreee!”… …Gjashtëdhetë e shtatë vjet mbrapan, në nji ditë të ftoftë marsi ato male nuk mund të gjejshin paqë pa e përcjellë edhe jehun e Gjamës së malsorit Martin Camaj… -“O çka asht kjo Gjamë moreee!” -“Ooo asht dekë Martin Camaj more!”… …Má e randë ish Deká se bahej fjalë per nji mashkull të fisti që vdiq lerg, në dhé të huej… Për ato male e kreshta të Dukagjinit, Martin Camaj qysh herët ishte kenë gur i rreknyèm larg nga shkambinjtë e vendlindjes…Gjama e Fisit e bante Martinin të kthehej prapë njaty, malet e vendlindjes má në fund gjejshin paqë, orët dhe zanat e maleve nuk do rrijshin ma tue pritë kur do vinte ai kumt…Shpirti i njeriut mbas dekës mundet me shkue në pariz, mundet me shkue kudo, po malsoret e dinë që shpirti para amshimit ndalet aty ku ka njoftë jetën ma së parit, në vendlindje…Fisi i Martin Camajt gjithmonë e kanë ditë mirë njatë gja, ata gjithmonë e jetë e kanë ditë ka endet shpirti…E kanë marrë vesh prej shenjave që kanë dhanë orët e zanat…ato që gjithmonë e jetë kanë përcjellë kumte në Malsi…Vllaznia ja kishin detyrim Gjamën… Poeti ka shkue te të shumtët… Ka shkue njashtu si kish parandie vetë dikur ndër vargje :
“MES SHËNGJERGJAVE”
Nëpër palcin e eshtnave ndij frymën e vdekjes. Për rreth digjet ajri e shikimi tret në udhën e pa skâj. Më dhimben vetëm sýt: do të shohin dhambët e amshimit tue u mbyllë përpara.”
Në ditën e Gjamës u mblodhën burrat prej kahmos, Dukagjini e Nikaj-Merturi, gjithkah prej Malsie…U falshin me ma të parin, plakun e zgjedhun për krye të vendit… -“A la emën mbas vedit ky burrë!?” – dvetshin pleqte që u prijshin para atyne që kishin ardhë në të pamé…U dvetshin ka ndrrojshin kutitë e sermta të duhanit…Dvetshin ata që kishin ecë nandë male udhë për me ardhe me pa … -“Po, pasha Tokë e Qiell fort emën të nderuem ka lanë mbas vedi ky burrë.” – u gjegjshin pleqtë e Shllakut… -“Po mall e gja…Pasuni a la?” – nuk u durue pa dvetë dikush, ishte vjeta 1992 e njerëzit kqyrshin edhe për kto gjana… -“Po besa boll” – jau ktheu plaku në krye të vendit, – “La boll pasuni, sa na bani ma të pasun ne të tanëve mbas tij! Na la kangët e tijna, la kallzimet e tij që kanë me rrnue sa të jenë jeta!…
RRASA E VORRIT TË POETIT
Do kohë mbas Gjamës së poetit Martin Camaj, në vendlindjen e tij, në Telumë të Shllakut, erdh Erika bashkëshortja e tij gjermane… shoqe e jetës së tijna… Erika, kjo bashkëudhtare e tija ndër motè, kje ajo grueja sojnike që ju gjind te kryet kur ndrroi jetë e la amanetet e mbramè… nji ditë erdh prej Gjermanie me takue njerëzit e burrit të saj, njerëzit që s’i kish njoftë kurrë ma parë!… A thue kish ndie për Gjamën!? A thue e kish pru Erikën deri n’Telumë jehu i Gjamës që ja banë fisi poetit?! A thue njaq larg kish mbrri jehu i Gjamës së poetit?! O mos ndoshte edhe malet e Dukagjinit kishin rrahë gjokset e tyne në Gjamë për poetin?! E njashtu kishin përcjellë jehun e Gjamës majave të Gadishullit Ilirik… Alpe m’Alpe… Prej Bjeshkëve te Namuna deri në Lenggries, ndër Alpet e Bavarisë ku prehej poeti…!? A thue vargu i maleve Dinarike të ngjituna sup në sup ja kishin përcjellë njana-tjetrës kumtin e Gjamës, njisoj si burrat dukagjinas!? …dhe kumti kish mbrritë në Lenggries të Bavarisë… o ndoshte Erika kishte pa ndokund ndër libra a gazeta fotografinë e bamun ditën e Gjamës n’Telumë të Shllakut… fotografine e marrun ditën e Gjamës nga fotografi anglez Rhodri Jones, që e kish ba at foto madhështore!? Asnjiherë s’u muer vesh kjo gja… Erikën nuk e dveti kush pse e qysh… si mund të dvetet robi në shpi të vet pse ka ardhë!? Njaty për habinë e të tanëve Erika u kërkoi nji rrasë guri prej rrasave të katundit të tyne… Pleqtë s’mund u përmbajtë dhe e dvetën se çka i lypej nji rrasë guri prej Telumit n’Dukagjin, me shkue ne Gjermani!? – “E due nji rrasë guri të Telumit, nji rrasë të vendlindjes së Martinit për me ja vendue te kryet e vorrit, në Gjermani… me ja vendue si rrasë vorri!” Ra heshtje… Tanë e kqyrën sho-shojnë të habitun… – “Má ka lanë amanet Martini.” – u kish thanë gjermanja, – “Më ka pasë thanë se si asht kenë zakoni… Po kje se burri dès n’dhe të huej dhe nuk vjen me u kalbë n’dhè të vet, ka mè mbetë i pakalbun… se at s’ka me e kalbë dheu i huej! Trupin e poetit e kalb veç dheu i vet!”
“DITA E MALIT TEM”
Dheu im âsht i përmendun për humneret e thella ndër banorët e malit e të fushës deri në dét. Mbramjeve atjè ndëgjohet klithma e grizhlës ndër kthetrat e shqipes e shpirti i sáj u flijohet hijevet. Atje lot drita në sytë e njerzve tash e parë e epshet s’i njeh kurrkush me emën. Shpagimi me gjak âsht, për shembull, gjarpën nën gúr e gjarpni vetë na qenka mende femne nën rubën e bardhë ose të kuqe. Në muzg atje secili prek ballin e vet e ndien ndër gishta fillin e jetës e gëzohet.”
……Rrasën e gurit të Telumit! Nji rrasë të nxjerrun njaty, te i njajti vend ku prej se ka mbi njeri mbi tokë janë nxjerrë ato rrasat e mblojes së kullave… Njaty ku janë nxjerrë rrasat e vorreve brez mbas brezi prej se Dielli ka shndrit ndër Male… Nji rrasë guri Telumi, rrasë e lmuet si rrasat qi zgjedhshin për me shkrue në to, kur mësojshin shkrim e këndim në klasë të parë! Njashtu asht mësue shkrimi në fëmininë e Martinit, tue shkrue mbi rrasë guri… Njaty mësoi me shkrue fjalën shqipe má se parit poeti, njaty mësoi fjalën e gurtë, bash njashtu si mësojshin burrat ndër Oda “Bir, fjalës bania qukun që me ndejtë në ta” …Fjala e thanun njisoj si rasa e shkrume don qukun me ndejtë ndrejtë! Shkrimi në rrasa asht i lashtë sa bota, ndoshte poeti prej se e mësoi shkrimin n’rrasë Telumi, edhe u lidh má shumë me at dhe që nuk prajti tue i këndue… Prandej poeti i kërkoi të shoqes me i sjellë nji rrasë nga vendlindja… Rrasa e sjellun në Bavari, ndër hije të lisit Ilir ka me bajtë emnin e tij, si me kenë nji poezi e fundit e tij:
“HIJA E KËSHTENJËS”
Hija e kështenjës ia mbulon vorrin ma e randë n’mendim se rrasa e shkambit mbi të. Me të asht fryma që më fali te shpia e re në mal: amza e arkës së kalbun përqesh mishin e mishit të saj. Nji botë e tanë, nji grusht eshtna ma të bardha se lulet e borës tua hapun sytë atje, n’pranverën e vonë.
…Ja zgjodhën nji rrasë e shkambit dukagjinas me ja dhanë me veti Erikës… “Heu grue e sojshme paska kenë Bija e Nemces, pasha kët gur!” – fshanë pleqtë kur e përcuellën der në megjë të Shllakut… E muer me veti Erika rrasën e gurit të Dukagjinit… Më veti në Gjermani, me ja vndue te kryet e vorrit Martinit… Njashtu me at rrasë guri të Dukagjinit të kryet, vndue si rrasë e vorrit, trupi i poetit mundet me u kalbun n’dhe t’huej…
“LETËR NGA JUGU ”
Larg në nji tjetër botë jam e shikoj kah mali: rêt ruejnë majën kujdesshëm pse ajo âsht e vetmja mbështetje e qindresës së tyne në ajër. Harrova gjithshka, Lule, në botën e malit e të qiellës unë pasqyrë e pandame e rêve. Po të shkruej se këndej sa shkambi ka ngjyrën e faqeve të rrezituna. Muret e shpijave janë kështjellë të rrxueme me frangjija të panjehuna e njimijë sy më shikjojnë nëpër to kur parakaloj në pikë të mjesditës pa hijen teme për bri. Lule, sonte ndoshta do të bijë shi i nxehtë në Jugë, e nesër do të shoh mes avullit ylberin e shtrëngatës së kalueme e atëhere kam me kthye te ti… *** …e atëhere kam me kthye te ti./ KultPlus.com