15 Shkurt, 2022 - 10:16 pm
Nga Gjon Keka
Gjithmonë ka qenë zakon i zotërve,perandorëve, princave dhe mbrëtërve të mëdhenj të mbanin dhoma të veçanta të thesareve të paçmuara, antikuariati, galeri, biblioteka etj, në të cilat ruheshin gjëra të vjetra, të rralla, të mrekullueshme, qoftë për lavdinë e përjetshme të artistëve, qoftë për kënaqësinë e syve, apo për të ndezur mendjen dhe frymëzuar nga heronjtë dhe studiuesit fisnikë ,ose edhe për të gjetur e zbuluar gjëra të përzemërta për ta.
Në dhomat apo sallat e tilla të mëdha që ata i kishin projektuar më kohë, ishin të mbushura me gurë mermeri, diamante, ari, statuja ose kolona portretesh të ndryshme, shqiponja të punuara etj. Kjo është parë edhe në kohën e Cezarit, i cili mbante edhe ai gjësende të tilla, por edhe portretin e tij që ishte zbukuruar me një kurorë dafine, si i pari i të gjithë perandorëve romakë.
Poashtu edhe Aleksandri i Madh në botën e tij të madhe,mbante figurat e Jupiterit, Saturinit e të ngjashme, të heronjëve, si dhe shumë gjësende me vlera të paçmuara.
Ndërsa, njihet edhe biblioteka e famshme e Ptolomeo Filadelfi (Faraonit) mbretit të Egjiptit i cili mblodhi njëqind mijë libra nga më të jashtëzakonshmet. Biblioteka e mbretit Xerxes të cilën e ngriti dhe e zbukuroi në Athinë ishte me famë të madhe.
Edhe arkiduka Ferdinand i Austrisë i cili e ktheu kështjellën mesjetare Ambras në muze të famshëm e të mrekullueshëm, në të cilën u ruajtën gjësende me vlera të paçmuara, në mesin e relikteve të tilla të jashtëzakonshme ishin edhe armët dhe përkrenarja e Gjergj Kastriotit të cilat tani qëndrojnë në muzeun e historisë së artit në Vjenë.
Një muze të tillë e ngritën edhe shumë perandor, e princa tjerë të Europës dhe Botës.
Është e mundur që edhe mbreti arbëror Gjergj Kastrioti të ketë ngritë një sallë apo dhomë të tillë të veçantë të ruajtjes së gjësendeve me vlerë, kjo për faktin se nga përshkrimi i jetës dhe veprës së tij, shihet se ai është shumë i lidhur me figurat e lashta heroike, me lashtësinë dhe njeri që e donte artin dhe leximin. Mendoj se është e pamundur që ai të mos ketë patur një muze, bibliotekë apo sallë të tillë me vlera të paçmuara. Dhe duke qenë se ai është e mundur të ketë patur të tilla gjëra me vlera të rralla e të paçmuara, atëherë pas vdekjes së tij nuk dihet se ku kanë mbetur, apo ndoshta disa nga gjësendet me vlerë i ka marrë me vete në anijen me të cilën lundruan për në itali bashkëshortja e tij Donika me të birin e saj Gjonin. / KultPlus.com