14 Dhjetor, 2017 - 10:52 am
Shkruan: Menduh Derguti-Studiues
Punimi “Arkivat Shqiptare” i autorit Gjet Ndoj, për mua, vjen në dritë jo rastësisht. Pozita e autorit si Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë është një kondicion shumë i favorshëm, është një privilegj i një indicieje, por nuk bën ushqimin themelor që ka sjellë krijimin e kësaj vepre me karakter shkencor e profesional, me vlerë kombëtare që paraqet interes të veçante për çdo lexues në përgjithësi dhe për punonjësit shkencor të fushës së historisë në veçanti.
Ushqimi i vërtetë e ka bazën tek formimi i shëndoshë intelektual e pasioni i autorit për shkencën historike që ka ardhur duke u rritur, përsosur ndër vite. E njoha autorin gjatë viteve 1984-1988, kur ai vazhdonte studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Degën e Historisë, ku unë punoja si pedagog.
Që në atë moshë të re, autori më ka tërhequr vëmendjen duke u dalluar nga të tjerët si student serioz, i vullnetshëm, me dëshirë për dije dhe kërkesa ndaj vetes. Ishte këmbëngulës, i prerë, i mprehtë në gjykim. Nuk e rrëmbente riprodhimi mekanik, por lëndët i studionte me logjikë, arsyetonte e gjykonte mbi faktet mbi të cilat formonte bindje e siguri.
Rastësia më solli në një mbledhje që organizonte Ministria e Arsimit në qytetin e Rrëshenit, për të dekoruar mësues të dalluar. Aty takova autorin (ish studentin tim), i cili ushtronte profesionin e mësuesit të historisë në një nga shkollat e mesme të përgjithshme në Mirditë. Në një bashkëbisedim me drejtuesit e arsimit në rreth u fola për figurën e aftësitë e autorit të cilin duhet ta vlerësonin për formimin e tij shkencor, kulturor e profesional.
Vitet kaluan dhe kohët e fundit u gëzova kur rashë në kontakt me botimet shkencore të autorit ku trajtoheshin tema nga fusha e historisë, të periudhës antike (rreth ilirëve), Mesjetare (rreth arbëroreve), si dhe të jetës aktuale. Në krijimtarinë e tij zënin vend të veçantë edhe figura të shquara të Historisë tonë Kombëtare. Është ky formim e pasion për shkencën burimi që ka ushqyer studimin serioz të autorit.
Ka pasur shumë drejtorë më parë, bile historianë të mirëfilltë që kanë patur pozicionin administrativ të autorit, por nuk kanë dhënë punime të kësaj natyre, që të shpalosin përpara shoqërisë shqiptare vlerat e Arkivave Shtetërore më tërë diapazonin shterues të tij. Punimi jo vetëm informon mbi strukturën e Arkivave Shqiptare, por paraqet me hollësi dokumentacionin që përmbajnë ato duke filluar nga Arkivi Qendror i Shtetit, arkivat e tjerë shtetërorë të sistemit, pjesë e Rrjetit Arkivor të Republikës e deri tek arkivat private.
Punimi është shkruar me një metodologji moderne, me stil konciz e mjaft tërheqës. Është përdorur një gjuhë e qartë, e kuptueshme, pa e rënduar me fraza të ngarkuara e fjalë të tepërta, që do ti sillnin vështirësi jo vetëm në lexim , por dhe në kuptimin e saktë të ideve që përmbanin ato. Punimi jo vetëm që mban ngjyrën e një vepre shkencore, por është trajtuar shumë profesionalisht.
Pa hyrë në analizën e tre pjesëve dhe kufijve që përmbajnë ato, theksojmë se vetëm me një punë metikuloze të imtë e të kujdesshme, precize e pedante e shumë të vullnetshme mund të arrihej realizimi i këtij punimi. Theksuam në fillim rolin determinues që ka luajtur formimi intelektual i autorit , por duhet nënvizuar fort edhe shpirti nacionalist të tij, ndjenja e atdhedashurisë pa të cilën nuk mund të arrihej fryma që ka kjo vepër, e cila i krijon shoqërisë shqiptare mundësinë për të njohur të vërtetën historike, e cila paraqitet sot mjaft e deformuar.
Dokumentet arkivore përmbajnë memorien historike, zbulojnë çështe e vërtetë dhe jo e vërtetë, gjysmë e vërtetë apo e dyshimtë duke krijuar kushte të plota për ndërtimin e një historie të saktë, gjithëpërfshirëse , për historinë e vërtetë të kombit tonë. Në këtë këndvështrim autori Gjet Ndoj, me veprën e paraqitur bën një gjest të vërtetë patriotik.
Vepra është një manual në dorën e çdo studiuesi, shqiptar apo i huaj i cili orientohet ku të kërkojë e të zbulojë materialin dokumentar që i nevojitet për të studiuar çdo aspekt të botës shqiptare, të fushës politike, social- ekonomike, kulturore apo fetare, duke filluar nga e kaluara e largët (Shekulli i VI, pas.Krishtit) deri në ditët e sotme. Vepra “Arkivat Shqiptare” e para e këtij lloji shënon një hap shumë serioz në fushën e Arkivistikës Shqiptare, si një fillesë e re e kësaj shkence pothuajse e heshtur deri tani në vendin tonë.
Menduh Derguti -studiues Tiranë më 29.X.2017./ KultPlus.com