5 Shkurt, 2018 - 7:22 pm
Studimi Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare i studiueses Albulena Blakaj – Gashi është një kërkim mbi gjurmët e gjeniut gjerman në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ky kërkim mbi fenomenin Goethe, i bërë sipas metodës integrale, argumenton interesimin e përkthyesve, studiuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve shqiptarë për veprën kolosale të autorit gjerman, receptimi, adhurimi dhe ndikimi i të cilit në kulturën shqipe vjen bashkë me konsolidimin estetik të saj.
Profili i studiueses
Studiuesja Albulena Blakaj, profesoreshë e letërsisë gjermane në Universitetin e Prishtinës, ka përkthyer, shkruar dhe botuar shkrime nga dhe për autorë si Goethe, Mann, Trakl, Süskind etj., si dhe ka shkruar një sërë studimesh letrare dhe kulturore nëpër revista shqiptare dhe ndërkombëtare, me të cilat ka zgjuar interesim te lexuesit shqiptarë dhe të huaj. Interesimi kryesor i saj lidhet me figurën e shkrimtarit të madh botëror, Goethe, për veprën e të cilit ka bërë studimin e doktoratës dhe ka publikuar disa studime në gjuhën shqipe dhe gjermane.
Studimi Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare është libri i parë i saj dhe monografia e vetme shqiptare që trajton çështjen e receptimit të kryeshkrimtarit gjerman në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Rrjedhimisht, kjo është monografia më e madhe shqiptare e shkruar sipas metodës gjermane të receptimit.
Objekti i studimit
Libri i studiueses Albulena Blakaj, që ka për objekt autorin Johann Wolfgang von Goethe, përkatësisht receptimin dhe ndikimin e tij në kulturën tonë, është një studim që ballafaqon një shkrimtar të madh me kulturën shqiptare, duke shtuar kontributin në shkencën e studimeve mbi Goethe-n dhe duke e lartësuar kulturën shqiptare, e cila ishte mjaft mikpritëse, madje shpesh adhurimtare, ndaj shkrimtarit gjerman. Kështu, ky studim jo vetëm që mbush një vakuum në studimet tona, por edhe nderon letërsinë dhe kulturën tonë me rezultatet që sjell. Derisa receptimi, si tezë primare, është njëri nga segmentet që kërkohen, dokumentohen dhe komentohen në këtë studim, ndikimi, si tezë sekondare, është një fenomen më i vështirë për t’u eksploruar, pasi askund nuk është shfaqur në mënyrë të afishuar, por ka dalë thjesht si i nënkuptuar. Pavarësisht vështirësive, autorja e këtij studimi e ka kaluar këtë sfidë, duke i argumentuar bindshëm hipotezat e saj mbi receptimin dhe ndikimin.
I ndarë në gjashtë pjesë, studimi për Goethe-n sjell portretin e tij të gjallë dhe hijen e tij të madhe të përhapur mbi vende dhe kultura të ndryshme, me theks të veçantë në hapësirën dhe kulturën shqiptare, ku, siç shihet në pjesën e fundit të këtij studimi, edhe pse hija e poetit gjerman nuk ishte shtrirë sa e si duhej, nuk mungonte dëshira për të qenë nën atë hije, prandaj njëri nga kritikët e parë dhe më seriozë të letërsisë shqipe, Krist Maloki, i njohur për edukimin në universitete austriake, ku mori dy doktorata, dhe për tonin e rreptë kritik, i pakënaqur me praninë e vogël të veprës së madhe të Goethe-s në kulturën shqipe, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së poetit gjerman, uron që kjo të ndryshojë me rastin e 200-vjetorit të lindjes së këtij gjeniu dhe të fillojë edhe ner ne një përlindje kulturore, të përhapet i mallshëm goethean, e të na mëlojë një hieje weimar-jane shqiptare!
Studimi interpretues dhe evidentues i studiueses Albulena Blakaj ngrihet mbi hulumtimin nëpër arkiva të ndryshme, prandaj gëlon nga emra të shumtë që janë marrë me veprën e shkrimtarit gjerman, qoftë duke e përkthyer, qoftë duke e analizuar, apo duke e përkujtuar. Kështu, regjistri i emrave meritorë për ardhjen e Goethe-s në kulturën letrare shqiptare është shumë i gjatë dhe përfshin personalitete të mirënjohura, të njohura dhe më pak të njohura, që nëpërmjet punës së tyre traduktore apo interpretative, synonin ta bënin të njohur poetin gjerman te lexuesi shqiptar, i cili për arsye të njohura historike, sociale dhe politike, kishte ngecur pas në receptimin e vlerave estetike të këtij kolosi botëror, fama e të cilit në botë kishte eklipsuar të gjithë bashkëkohësit e tij. Ndër emrat e përmendur, të evidentuar, apo të komentuar në këtë studim janë: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Aleks Buda, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Përtef Kruja, Fatos Arapi, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Bujar Doko, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci, Anila Omari etj.
Libri mbi Goethe-n i përmbahet një logjike studimore, duke filluar me portretin e autorit të zgjedhur për objekt studimi, për të kaluar te fama, kritika, përkthimi dhe komentimi dhe për t’u mbyllur me evidentimin e teksteve të hershme mbi veprën e autorit gjerman të botuar në shtypin shqiptar, tekste këto që botohen si homazhe dhe që sjellin një frymë adhurimi ndaj këtij shkrimtari, i cili, sipas tyre, por edhe sipas disa studiuesve të huaj, kishte kaluar përmasat njerëzore dhe konsiderohej si gjysmëperëndi, që adhurohej gjithandej nëpër botë.
Metoda e studimit
Ky studim është një kritikë receptive, e bazuar në teorinë e receptimit të teoricienit gjerman Hans Robert Jaus, si një qasje alternative e hermeneutikës së filozofit gjerman Hans-Georg Gadamer. Mirëpo, për shkak të natyrës së objektit, studimi nuk i përmbahet vetëm një metode dhe realizohet qëllimisht si sinkretizëm metodash kritike për të sjellë të plotë portretin e autorit që krijoi konceptin e letërsisë botërore, weltliteratur, dhe u bë pastaj një ndër përfaqësuesit kryesorë të asaj letërsie, krahas Homerit, Dantes dhe Shekspirit.
Studimi Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare, përveç informacionit detajizues mbi ndikimin dhe receptimin e veprave të shkrimtarit gjerman, sjell edhe analiza për veprat e ndryshme të tij nga autorë dhe përkthyes të njohur shqiptarë. Pra, studimi vjen si një kërkim kritik që nënkupton hulumtimin, analizën dhe komentimin. Në këtë mënyrë, studimi ka status të dyfishtë: kritik dhe metakritik. Në të flitet për receptimin nëpërmjet përkthimit dhe kështu zbulohet dëshira e shqiptarëve për ta integruar në kulturën e tyre këtë figurë madhore botërore, si dhe zbulohet kapaciteti i gjuhës shqipe dhe i shkrimtarëve dhe përkthyesve të saj për t’u përballur me përkthimin e kryeveprave të këtij autori.
Nëpërmjet pjesës metakritike të librit, studiuesja Albulena Blakaj bën zigzage metodike, duke e sjellë fillimisht tekstin si rezultat të një hulumtimi, pastaj duke e diskutuar nëpërmjet tri mënyrave interpretuese: leximit, analizës dhe komentimit. Funksioni i leximit kritik është përfolës, funksioni i analizës është shkoqitës, kurse funksioni i komentimit është alternim i dy mënyrave të para.
Rezultatet e receptimit
Ky studim monografik mbi receptimin e një kolosi botëror në kulturën shqiptare, i studiueses Albulena Blakaj, është një kontribut i rëndësishëm shkencor dhe letrar, sepse sjell një burim të pasur informatash mbi receptimin dhe përflet, diskuton, komenton, analizon, interpreton dhe kritikon tekste dhe probleme të kthyera në objekt studimor. Nëpërmjet këtij studimi shihet qëndrimi i shqiptarëve ndaj veprës së Goethe-s, një qëndrim që herë është më entuziast, herë më racional, por gjithmonë adhurues.
I shkruar me sinkretizëm metodash kritike dhe me etikë akademike, ky studim i përmbush kriteret kritike dhe akademike, i plotëson nevojat universitare, hap shtigje në studimet tona krahasimtare dhe, përgjithësisht, nderon studimet shqiptare, pasi që, si për nga metoda, ashtu edhe për nga objekti, sjell përvoja dhe dëshmi për një tendencë të hapur të studiuesve, shkrimtarëve dhe përkthyesve shqiptarë drejt letërsisë botërore.
Monografia Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare i studiueses Albulena Blakaj, është studim i rëndësishëm jo vetëm për rezultatet që sjell, por edhe për shtigjet që hap. Është për t’u lavdëruar që në krye të studimeve tona të receptimit tash e tutje do të jetë figura e atij që është në krye të letërsisë botërore, figura e shkrimtarit botëror Johann Wolfgang von Goethe. /KultPlus.com