Guximi për t’u ballafaquar me zotin (në film)

25 Shkurt, 2023 - 2:00 pm

Mbi librin “Zoti në kinema” të Dritan Dragushës

Ballsor Hoxha

Zoti në kinema, blasfemi? Zoti në kinema, ngacmim? Zoti në kinema, histori e filmit, ndoshta? Apo, zoti në kinema aparencë e paevitueshme? Dritan Dragusha autori i këtij libri përmbledhje të eseve mbi filmin, është në të vërtetë ballë për ballë (kushtimisht si aparencë e ndodhur) me zotin. Në njërën anë trajtohet fenomeni i tij, dhe në anën tjetër, individi.

Por, kjo përballje, është mirë e menduar si dialog asociues ndërmjet zotit dhe individit, pavarësisht se esetë janë të pavarur dhe jo të ballafaquar. Zoti për filmin, sipas shikuesit, filozofit dhe eseistit/autorit Dragusha, del i heshtur. Është një heshtje. Lind që nga dyshimi dhe dilema e birit të tij Krishtit në filmin Tundimi i fundit i Krishtit, dhe heshtja e zotit ndaj tij po në këtë film. Dhe vazhdon tutje edhe me rastësinë që sjellë njeriun para fatit të të qenit personi më i afërt me zotin, vetë papën, në filmin “Dy papët”, por që krejt ajo që është kjo afërsi kalon në një ‘Amen’ të zotit dhe edhe vetë papës para terrorit të nazizmit ndaj hebrenjve. Gjë që në të vërtetë, në të gjitha esetë e Dragushës mbi zotin në kinema, ai është vetëm një heshtje, apo një zot i heshtur, brenda, apo qoftë jashtë, një bote me Kainë.

Sa i përket eseve të individuales njerëzores, prej esesë mbi Indinjatën e Philip Roth në filmin me të njëjtin titull, e deri tek eseja mbi filmin Truman’s Show individi është gjithherë në rolin, apo në përpjekje për të marrë dhe për të përvetësuar rolin e zotit.

Dialogu në fjalë është më shumë i asociuar, më shumë se sa një rrjedhë lineare dhe, apo, ballafaqim i këtyre dy kategorive. Në këtë asocim lindin interpretimet dhe filozofia e Dragushës, e cila në detajin më të thellë të saj shfaqet së paku në dy momente të tërësisë së këtij libri, e që është, rastësia dhe mundësia e devijimit të njerëzores, qoftë si religjion (më saktësisht në filmin Dy papët), dhe në pallton e kuqe të vajzës hebreje në kampin nazist të filmit Lista e Schindlerit.

Këto detaje janë në të vërtetë njëlloj kapje e momentumit të marrjes së kahut, apo të lëvizjes së njerëzimit, të mundësisë së po të njëjtës dhe të historisë së po të njëjtës.

 Në shtrirjen (skemën) dekonstruksioniste këto detaje dhe momentume të theksuara të autorit Dragusha janë gjurma (Freudiane, sipas Derrida) të shpërfaqjes së një të kaluare që fshihet nga një e tashme. Gjë që në të vërtetë, është vetë momenti i dekonstruktimit, apo zanafillës së dekonstruktimit të hierarkisë, në gjithpërfshirjen e saj, apo të shtrirjes rreth fenomenit të trajtuar.

Duke i marrë si gjurmë në filozofinë e Dragushës, këto dy momentume të lartcekura, paradoksalisht, zoti, apo në të kundërtën, vetë individi, është heshtja e zotit, apo vetë zoti është heshtja e individit. Gjë që e rrënon hierarkinë. Qoftë atë humaniste, dhe qoftë atë religjioze, si të varur, dhe të ndërvarur, kështu duke na lënë në shtrirjen e filozofisë së ekzistencës, të të dy kategorive, si një Faj! primordial, si një Faj! përtej zotit dhe individit, dhe aq më shumë përtej zgjedhjes. Dhe me këtë edhe përtej vetëdijes njerëzore (si zë që shtjellohet nga dhe në Publiken).

Më tutje, Ag Apolloni, për këtë përmbledhje të eseve të Dragushës thotë se derisa zoti ka ‘vendosur’ të heshtë, Dragusha ka vendosur të flasë! Interpretim brilant mbi idenë e autorit Dragusha, duke i dhënë përgjegjësinë zotit për vetë heshtjen e tij. Perspektivë individualiste dhe humaniste, por që në këtë na rikthen tek paragrafi paraprak mbi Fajin! njerëzor, sipas shtrirjes së filozofisë së ekzistencës. Duke qenë se nuk ka një vetëdije, apo që në të kundërtën është vetëm Publikja njerëzore, Faji! si pashpjegueshmëria e qeniesimit tonë rrënon edhe ‘vendimin’ e zotit (për të heshtur).

Mirëpo dy gjurmët e lartcekura në filozofinë e Dragushës si momentume të lëvizjes së njerëzimit, në rrënimin e kësaj të tashmeje, duke na pas kthyer deri tek Faji! primordial, i paravetëdijshëm, janë njëkohësisht edhe ajo që njihet si përmbledhja e potencialit njerëzor, si vendim për të bashkëjetuar me atë që është, i hedhur dhe i pavetëdije! Posaçërisht ndaj ankthit të ekzistencës.

Por, në të vërtetë, të gjitha këto salto në këtë tekst mbi esetë e Dragushës, thirrin njëra tjetrën, duke qenë se asocijimi që jep dialogu i lartcekur ndërmjet zotit dhe individit në kinema, thellon tutje në fajin njerëzor, me të gjithë fenomenet e botës njerëzore si mekanizma mbrojtës të ballafaqimit, po në të kundërtën, miratimit të heshtjes.

Andaj kjo e bën “Zoti në kinema” me esetë brenda tij dhe autorin Dragusha, një ulurimë të individit për një ballafaqim të ankthit njerëzor, ndaj Fajit! dhe ndaj vetë sajimeve tona, e qoftë edhe shprehjes sonë – artit. Një përmbledhje tejet tejet e rëndësishme mbi interpretimin dhe filozofinë mbi filmin./ KultPlus.com

Të ngjajshme