20 Shkurt, 2018 - 1:12 pm
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dalur me një vendim që flamuri shtetëror që ishte vendosur para festës së Pavarësisë së Kosovës, të zëvendësohet përsëri me flamurin kombëtar, shkruan KultPlus.
Lidhur me arsyet e këtij vendimi ka reaguar, Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Halil Matoshi. Me anë të një postimi në facebook, ai shkruan:
Republika e Kosovës asht e arrituna ma sublime e nacionalizmës shqiptare, pra asht kulmi i rezistencës së tyre kundrejt Serbise fashiste qe nga viti 1913 – për një shekull – pri nga flamuri kuq e zi. Flamuri i Republikës është realitet i ri juridik dhe politik – shteti sovran si projekt i mbështetur nga Perëndimi – dhe ky flamur si i tillë mbrohet me ligj. Identitetet janë ndjenjë, ato lidhen kryesisht me sentimentin dhe fuqinë ikonike të së shkuares.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka vendosur që pas festës së 17 shkurtit ta rikthejë flamurin shqiptar tek rrethi në Prishtinë për t’i respektuar ndjenjat dhe dëshirat e shumë qytetarëve në çastet kur po hyjmë në ditët e përkujtimit për Epopenë e Jasharëve!
E flamuri i Kosovës valon sovran në të gjitha Institucionet publike.
Hapësira “te rrethi” nuk është institucion.
Unë vazhdoj ta ruaj bindjen time edhe për identitetet dhe rendin e patjetërsueshëm simbolik të Republikës, porse ndjenjat e qytetarëve nuk duhet lënduar në asnjë çast.
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!
Rrnoftë përjetësisht Republika e Kosovës!!!
Atdheu ynë!!!/KultPlus.com