15 Shkurt, 2025 - 1:08 pm
Fjalë Rasti për Ekspozitën e Anton Krasniqit “Arkeologjia e Shpirtit”
Sibel Halimi
Ekspozita “Arkeologjia e Shpirtit” e Anton Krasniqit mund të lexohet përtej estetikës vizuale, si një proces filozofik i zbulimit të vetvetes. Në thelb, ajo shtjellon idenë se shpirti i njeriut është një shtresëzim kujtimesh, ndjesish dhe përvojash që formojnë identitetin tonë.
Në mendimin filozofik, arkeologjia nuk është thjesht një disiplinë që merret me zbulimin e objekteve të së kaluarës, por edhe një metodë për të kuptuar strukturat e dijes dhe vetëdijes.
Michel Foucault, përdori termin “arkeologji e dijes” për të shpjeguar mënyrën se si diskurset historike ndikojnë në të kuptuarit e realitetit. Në një mënyrë të ngjashme, Krasniqi na fton të zbulojmë brendinë tonë përmes analizës dhe reflektimit të kujtimeve, sikur të ishim arkeologë të shpirtit tonë.
Veprat e tij vizualizojnë këtë eksplorim të brendshëm si një proces të pashmangshëm të njeriut që kërkon të kuptojë origjinën e vet. Ashtu si një arkeolog që gërmon për të zbuluar shtresa të historisë së një qytetërimi të zhdukur, njeriu, përmes artit dhe introspeksionit, zbulon shtresëzimet e përvojave që e kanë formuar. Kjo na sjell tek ideja sokratike “Njihe vetveten”, një thirrje për të depërtuar përtej dukjes dhe për të eksploruar thellësinë e qenies sonë.
Në këtë kontekst, arti i Krasniqit nuk është vetëm një reflektim estetik, por edhe një proces hermeneutik – një dekonstruktim i shpirtit për të gjetur kuptimin e fshehur në fragmentet e përvojës sonë. Ai na vë përballë pyetjes: A është identiteti ynë diçka e dhënë, apo diçka që e zbulojmë duke gërmuar në kujtesën tonë?
Në fund, “Arkeologjia e Shpirtit” nuk ofron përgjigje përfundimtare, por e lë shikuesin në një proces të vazhdueshëm kërkimi. Arti, ashtu si filozofia, nuk është një destinacion, por një udhëtim i pandërprerë drejt të panjohurës së vetes./KultPlus.com