26 Dhjetor, 2020 - 12:57 pm
I dashur 2021, kjo letër është për ty, që do të mbërrish, bartës i shpresave, ëndrrave dhe dëshirave të reja. Një vit i ri, një kohë e re që nuk di ta shpjegoj. Si mund të të tregoj për një fëmijë që nuk di asgjë ende për botën?
Ndoshta mund të merrja ndihmë nga historia e fundit dhe e fillimit, duke përfituar nga atmosfera e ngrohtë, magjike dhe e lumtur e Krishtlindjes, që na bën të gjithëve më mirë dhe që nuk është asgjë tjetër veç parathënia e një viti të ri që do të përjetojmë. Por duke parë këtë 2020, nëse do të duhej të shpjegoja se çfarë ishte për ata që më pyesnin, nuk e di më.
Në këtë interval të shkurtër që ndan të vjetrën dhe të renë, të kaluarën nga e ardhmja, unë mbetem i mbështjellë me heshtjen e të gjitha gjërave që nuk janë bërë dhe gjërave që nuk janë thënë në këtë vit surreal, që do të përfundojë duke menduar për gjithçka që do të vijë. Të gjithë kemi humbur diçka, ca më shumë e ca më pak. Dhe është pikërisht nga kjo vetëdije, që mund të imagjinoj se çfarë do të doja për veten time, i dashur 2021.
Një përqafim për njerëzit që dua, që darka me miqtë të zgjasë pa fund, një vrapim në ajër të pastër dhe një piknik buzë detit. Ja çfarë dua: jetën time, atë të së kaluarës, të mësoj të vlerësoj të gjitha gjërat e vogla që më bënin të ndihesha gjallë, të cilave u dhashë vlerë vetëm kur i humba.
Po, mbase kjo është ajo që unë do të doja nga ky 2021: një kthim në atë normalitet të cilit i ikja, sepse ishte shumë banal dhe i mërzitshëm. E kush do ta kishte imagjinuar se do të më mungonte kaq shumë!
Do të doja të mëkatoja me pak naivitet dhe të imagjinoja atë kohë në të cilën do të ndryshojnë të gjitha gjërat, nga më e madhja tek më e vogla, pavarësisht nga realiteti objektiv. Do të doja që ky 2021 të vendosë një kapak mbi të kaluarën, për t’u kthyer dhe për të filluar nga e para, sepse ta bësh këtë është gjithmonë ebukur.
Unë do të doja të pretendoja se orët, ditët, muajt dhe vitet që kemi “shpikur” mund të rekuperojnë vërtet atë që ka qenë dhe të na japin një shans të ri. Por zhgënjimi më kujton se koha nuk ndalet, dhe as nuk fillon përsëri, ajo thjesht rrjedh midis stuhive dhe ditëve me diell.
Por unë me të vërtetë shpresoj që për këtë të ardhme imagjinata të zërë vendin e racionalitetit sepse më duhen, tani më shumë se kurrë, iluzione, ëndrra dhe shpresa, pa programe ose parashikime.
Më duhet të jetoj përsëri, intensivisht. Dhe nëse kjo nuk do të ndodhë do të kujtoj se do të ketë një vit tjetër, dhe një tjetër, dhe një tjetër./bota.al/ KultPlus.com